Pandemia Facebook - audienca e medias në varësi të "panairit global" online

Postuar në 23 Shtator, 2017 11:43

Media sociale bëri prezantimin e vet themelor me Pranverën Arabe. Janë emblematike pamjet e sheshit "Tahrir" në Kajro të Egjiptit, kur mijëra njerëz mbanin të veshur bluza “I love Facebook” – “E dashuroj Facebook”. Rrjetet sociale kishin kapilarizuar si asnjëherë më parë pakënaqësinë duke u transformuar në një rrjet të pandalshëm komunikimi dhe jashtë kontrollit konvencional të qeverisë. 

Mediat tradicionale, gazetat e shkruara dhe televizionet, ishin në krizën e tyre më të thellë në atë kohë, që përkonte me gjallërimin e shpejtë të mediave online. Operacioni i kalimit të burimeve kryesore në internet kërkoi kohën e vet, i shtyrë edhe nga fakti se marketingu online sa vinte dhe shtonte vëllimin e tij, pa folur këtu për faktin se në internet audienca është teorikisht globale.
Mes Twitter dhe Facebook, dy mediumet kryesore që garonin në këtë drejtim, duket se i dyti e fitoi betejën. Kjo falë epërsisë së imazhit ndaj tekstit të kufizuar, në një botë ku po finalizohet stadin më i epërm i shoqërisë së spektaklit. 

Mirëpo do të kalonte vetëm një vit, pra deri në vitin 2012 që Facebook, tashmë superfuqi në rrjet, të bënte ndryshimin e parë. Apo kur ky ndryshim do të vihej re. Kompania nisi të optimizonte shfaqjen e materialeve në murin aktiv të çdo profili, pavarësisht se në parim “news feeds”, do të duhet të ketë lidhje me angazhimin dhe ndërveprimin e secilit përdorues. P.sh fillimisht, Facebook bënte shfaqjen e çdo postimi të çdo profili apo faqeje me të cilët një përdorues tjetër ishte friend, apo kishte dhënë pëlqim. Pra kishte bërë “like”. 

Që nga viti 2012 kompania bëri ndryshime në algoritmin që përgjigjet për shfaqjen e përmbajtjes te çdo përdorues. Dhe ky ndryshim ka pasoja në shumë drejtime, edhe për mediat të cilat kanë varësi jo të vogël nga shpërndarja e materialit të tyre në sa më shumë përdorues. 
Këtë vit kjo gjë ka nisur të kuptohet edhe në Shqipëri, nga mediat shqiptare, ndërkohë që vitet 2015-2016 mund të quhen vite të shpërthimit të medias online. Ndonëse diskutimi për median shqiptare ka specifikat e veta që lidhen me mungesën e transparencës për lexueshmërinë, audiencën dhe realitetin e pëlqimeve apo ndjekësve në Facebook, sërish parimet dhe logjika e algoritmit ndëshkon në mënyrë të padiskriminuar. 

Për këtë do mbajtur parasysh dy momente: së pari që si në çdo vend të botës, edhe këtu përqindja e numrit total të përdoruesve që u shfaqet një postim për të cilin nuk është paguar (organic reach) ka rënë në mënyrë të ndjeshme, sidomos që nga fundi i vitit 2016. Dhe së dyti, duke qenë se thuajse të gjitha mediat konsultojnë Google Analytics për të parë prezencën e lexuesve në kohë reale në faqet e tyre, vizitat ditore dhe origjinën e vizitave. Pra nëse ato janë përmes Facebook, apo duke klikuar drejtpërdrejt në adresën në internet. 
Zbardhja e këtyre të dhënave do të jepte një panoramë të qartë për ndikimin konkret te këto media që ka ndryshimi në algoritmin e “news feeds” që ka bërë rrjeti social në fjalë. 
I cili është i thjeshtë dhe vetëm një: ulje e vazhdueshme e “organic reach” për çdo përdorues pavarësisht sesa është numri total i ndjekësve apo atyre që kanë pëlqyer faqen. 

Ulja e vazhdueshme e “organic reach”
Interneti gëlon nga shkrimet mbi këtë temë. Në një të tillë, i mesit të këtij viti, në një faqe që merret me zhvillimin e softuerëve për marketing(https://blog.hubspot.com/marketing/facebook-declining-organic-reach), bëhet një farë periodizimi i lëvizjeve që ka imponuar Facebook në këtë drejtim. Thotë ndër të tjera autorja Sophia Bernazzani: 

Facebook e përkufizon “organic reach” si “numri i njerëzve që mund të shohin postimet tuaja pa pagesë”. Deri në vitin 2012 ky numër ishte shumë, shumë më i madh nga sa është sot. Që nga momenti kur u bë aktiv shërbimi për Fan Page(2007), çdokush mund të krijonte një faqe për kompaninë e vet…të mblidhte fansa, postonte mesazhe pa kufizim me supozimin se ato do të mbërrinin te të gjithë. Por në vitin 2012 menaxherët e faqeve morën vesh se vetë, 16% e fansave -pëlqyesve(!) lexonin postimet në murin e vet në profilin e Facebook. Një studim i “Edgerank Checker” zbuloi se mes shkurtit të vitit 2012 dhe marsit 2014, shpërndarja normale e postimeve(organic reach) ra nga 16% në 6.5%...”. 

Për faqe me më shumë se 500 000 like, shpërndarja normale do të ishte deri në 2% të numrit të fansave. Situata e krijuar nuk mund të kalonte pa ironinë se 

ndërkohë që Facebook kërkonte para për të blerë “dashurinë” e njerëzve përmes “like” dhe “fans”, ai nisi të kërkonte sërish para që t’u conte mesazhet e “dashurisë”

Është fjala për kushtëzimin e rritjes së shpërndarjes së postimeve normale në “paid reach” – boost – që të lejon që përmes pagesave online të rrisësh shikueshmërinë e postimeve të tua. Por edhe këtu ka një “hile”. Nëse sheh ofertën e boost, ajo të jep mundësinë e targetimit të destinacionit – mosha, seksi, apo vendndodhja gjeografike e atyre që ti mendon t’u shfaqësh postimin. Ajo po ashtu e shpërndan postimin “përtej” atyre që kanë bërë “like” faqes, por “boost” sërish nuk e shfaq postimin te të gjithë fansat, apo te të gjithë që kanë bërë “like”. 


Kjo sjellje ka çuar në mendimin se kompania po kushtëzon shfaqjen e postimeve me kërkesën për më shumë para. Në fakt kompania është mbrojtur me faktin se sasia e madhe e përmbajtjes e bën të pamundur shfaqjen e të gjithë materialit. P.sh nëse dikush i ka bërë “like” 50 faqeve, të cilat mesatarisht postojnë 30 materiale në ditë, përdoruesit duhet t’i shfaqen në murin e profilit 1500 postime/ditë. Diçka që është shumë dhe praktikisht e palexueshme.

Kompania thotë se ka vendosur të bëjë optimizimet e veta, në mënyrë që përdoruesit t’I shkojë përmbajtja që i intereson më shumë. Facebook sugjeron që numri i postimeve të jetë 24-48 në ditë. Dhe nga këto ai do të bëjë shfaqjen e përzgjedhur për çdo përdorues. 
Po kështu Facebook ka optimizimet e veta në përmbajtjen që pasqyron përmes rrjetit të vet. Ajo është 50% linke(lidhje), 25% video dhe 25% foto. Pra postimet duhet të kenë këtë format strukturor në mënyrë që shpërndarja e tyre të jetë sa më e mirë. Po flasim për një kompani që ka 1.98 miliardë përdorues të regjistruar. Mirëpo edhe ky argument nuk bind më. 
https://medium.com/@kurtgessler/facebooks-algorithm-isn-t-surfacing-one-...

Sidomos për faktin se ndryshimet në algoritëm janë të pikasura nga përvoja e një menaxheri dhe nuk njoftohen nga kompania që i bën fakt të kryer ato. Rruga e vetme që mbetet në sytë e atyre që menaxhojnë faqet është pagesa për postimet. 

Mënyra për të optimizuar shpërndarjen e postimeve
Mirëpo në internet po sugjerohen edhe mënyra si të shmanget ky “kënetizim” i faqeve që nuk po arrijnë të shpërndajnë materialin e vet siç do të donin duke krijuar përmbajtje “pasive”. Një mënyrë është përputhja e formatit të postimeve me raportet e optimizimit të algoritmit. Pra link-video-foto. Një tjetër është ulja e numrit të postimeve ditore, duke menaxhuar më mirë destinimin maksimal të materialeve që kanë rëndësi. Ta zëmë, nëse një media online shqip, publikon 10 “lajme” në ditë për luanin dhe gazelat e gjarpërinjtë, me foto që kërkojnë reload të faqes në shfletim – pra shtojnë fiktivisht klikimin - është e udhës që ta shmangin postimin e këtij materiali në Facebook. 

Ndryshime të tjera nga Facebook
Nga ana tjetër, janë vënë re edhe disa kërkesa që kanë të bëjnë me performancën e faqeve online në planin teknik, të netëorkut. Faqe që përgjigjen jo mirë pas klikut të linkut të postuar, do të ulen në renditjen algoritmike, po kështu një përdoruesi do t’i shfaqen më shumë materiale të faqeve ku është bërë anëtar, apo ka plotësuar formularin përkatës. Më tej akoma. Facebook do të skualifikojë faqet mashtruese(spam), videot kanë prioritet përmbi materialet e shkruara, ndërkohë që epërsia e “like” ka himbur përkundrejt “reagimit- reactions”. Kjo sepse kompania kërkon të rrisë kohën e qëndrimit në hapësirën e krijuar prej saj, të nxisë ndërveprimin e përdoruesve, çka në finale synonë zëvendësimin e hapësirës kryesore ku përdoruesit kalojnë më shumë kohë në internet. 
https://wallaroomedia.com/facebook-newsfeed-algorithm-change-history/

Në thelb kjo është lufta e Facebook për dominimin e vet dhe goditjen e mediave online që kanë një vend “falas” në internet, por iu nënshtruan gabimit strategjik të krijimit të audiencës në varësi të rrjetit social në fjalë. Është si një panair i madh ku mësyn një turmë përherë e më e madhe dhe çmimi i biletës rritet vazhdimisht. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.