Lulzim Basha, një i tepërt në politikë që nuk mund të shpëtohet nga vetvetja
Lulzim Basha është i detyruar të pranojë se partia që ai drejton është në krizë të rëndë. Jo përmes një deklarimi të vet, pasi duket se nuk e disponon këtë stof lidershipi, as përmes Edmond Spahos, i vetëstërvitur për skriptet politike të kryetarit. Por përmes faktit se qëndrimet e sotme të Sali Berishës në intervistë për “syri.net” janë në thelb arsyetimi dhe apologjia e munguar për situatën e krijuar. Ish-kryetari i PD-së ka bërë atë që duhet të bënte kryetari, duke kredituar nga autoriteti i vet një lutje në formën e analizës autokritike, në emër të së cilës u kërkohet demokratëve të qetësohen dhe të lënë një shans të fundit për Lulzim Bashën.
Unë nuk paragjykoj asnjë njeri. PD-ja ka pësuar një humbje të hidhur shumë. Unë besoj se Lulzim Basha ka të gjitha mundësitë të studiojë për të fituar, të studiojë gjithçka. Solli këtë humbje dhe të adaptojë një model që të çon drejt fitores. A e përjashtoj unë këtë, jo, nuk e përjashtoj. Sepse mundësia e ndryshimit është e çdo drejtuesi dhe se ndryshimi gjithmonë ka dhënë. A do ti realizojë këto Lulzim Basha është në dorën e tij
tha Berisha.
Ai po kërkon kohë dhe mundësinë e fundit për pasardhësin e tij politik në kushtet e një degradimi dhe kaosi të brendshëm të cilin e ka krijuar po vetë zotëria që sot mban vulën e kryetarit. Berisha ka bërë të qartë se kërkesa për rikthimin e tij është e papranueshme dhe në fakt do të ishte dënimi kapital për këtë forcë politike. Por kjo kërkesë iracionale sqaron tensionin dhe dëshpërimin që dominon sot në PD përballë një kryetari që humbi me autogol dhe pabesi zgjedhjet e përgjithshme dhe humbi partinë duke vjedhur zgjedhjet brenda saj.
Në intervistë Berisha ka lënë të kuptohet se të përjashtuarit e Lulzim Bashës mund të rikthehen në lista, teksa e ka cilësuar listën si personale të kryetarit aktual dhe jo të partisë. Kjo kërkon edhe përgjegjësinë e madhe të kryetarit, të cilën z. Berisha e ka vënë në dukje, por pa bindur kënd se Basha në fakt po e njeh dhe po e pranon këtë përgjegjësi.
Meriton vëmendje edhe vlerësimi që Berisha bëri për marrëveshjen e majit mes Bashës dhe Ramës. Thotë ish kryeministri
Po e kam thënë dhe e saktësoj se çfarë ishte. E kam thënë me bindje të thellë. Së pari, a më ka thënë Lulzim Basha që do të bëj takimin? Absolutisht jo, por jam i bindur në mënyrë të prerë se ai nuk ka shkuar atje i paralajmëruar se do të bëjë takimin sepse Edi Rama nga Elbasani tha se nuk po marr pjesë. Nuk di të kenë komunikuar, nuk kam pasur dijeni. Pas takimit më ka thënë dhe për hapin e tij për të pranuar çfarë ishte kërkuar dhe pak më shumë biles. Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrije, t'ia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte. Nga ana tjetër e kam thënë dhe e them, Edi Rama shpëtoi lëkurën e vet dhe aty bëri mirë. Pavarësisht se ai për mua është ashtu siç është, përsëri ai aty tregoi një kuant politikani dhe shpëtoi lëkurën e tij. Ky ishte vlerësimi. Marrëveshja, ky sukses i madh u kthye në të kundërt nga Edi Rama, ky ishte problemi. Ai mori të gjitha avantazhet e marrëveshjes. Ai paraqiti atë si një sukses të vetin, e paraqiti atë si një mëshirë për një djalë të mirë si Lulzim Basha dhe marrëveshjes nuk iu bë avokatia në mënyrën e duhur nga Lulzim Basha.
Kaq mund të them, që Edi Rama me një diabolizëm të pafund, përvetësoi marrëveshjen dhe Lulzim Basha nuk e bëri dot avokatinë e saj
Këtu duhet shtuar se z. Basha nuk bën dot as avokatinë e vetes dhe të vendimeve që merr duke krijuar idenë e pavërtetueshme se edhe kjo intervistë e z.Berisha po i shërben atij si një xhaketë për ndonjë dalje të afërt mediatike me zërin disi më të sigurtë. Sepse duhet thënë, ndërkohë që z. Berisha pranon shumëçka nga kritikat dhe akuzat që vijnë nga poshtë, ato të cilat kryetari që ka vulën nuk pranon t'i dëgjojë dhe shohë, ai nuk ka dhënë shpresë për rrugëdaljen. Sepse stabilizimi kalon nga optimizmi dhe artikulimi i qartë dhe angazhimi. Ndoshta këto Berisha nuk mund t'ia lejojë vetes pse do të tradhëtonte vendimin e dorëheqjes, por ai nuk ka në dorë që të paraqesë përpara shqiptarëve Lulzim Bashën që nuk është dhe nuk bëhet dot ai që detyra dhe pozicioni ja kërkon. Të mbrosh një marrëveshje e cila likujdoi një kauzë që shteroi edhe atë pak besim që kishte mbetur te një politkan i paformë si Basha provon se cili është në thelb angazhimi i PD-së në protesta të ngjashme. Pa lënë mënjanë këtu faktin se Basha vetë e ka cilësuar atë një marrëveshje për zgjedhjet dhe jo për pushtetin siç na sqaron këtu z. Berisha. Kjo krizë e thellë besimi nuk lidhet me asnjë intrigë dhe keqdashje: ajo buron vetëm nga fakti se paaftësia e Bashës për detyrën që i është ngarkuar është ngulitur si bindje dhe nga kjo gjë nuk ka diversion apo analizë që të sjellë ndryshim.
Add new comment