Kur e keqja më e vogël për serbët është Haradinaj
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka shpjeguar para serbëve arsyet pse këshilloi Listën Serbe t’i bashkohet qeverisë së Ramush Haradinajt. Në një konferencë për shtyp edhe pse e quajti Haradinajn kriminel ai la të kuptohet se për serbët ish-komandanti i UÇK-së është e keqja më e vogël në kushtet e një opozite si Vetvendosja që kërkon bashkim me Shqipërinë.
"Opsioni i tretë ishte të mbështeste qeverinë e Ramush Haradinajt, i cili është kriminel lufte por serbët nuk kanë humbur mundësinë për të ruajtur paqen dhe fëmijët e tyre"- deklaroi Vuçiç, duke bërë një interpretim të tipit “në emër të paqes më mirë me kriminelët sesa me nacionalistët”. Vuçiç ka marrë përsipër dialogun Serbi-Kosovë dhe ka paralajmëruar se do të jetë proces i ashpër dhe serioz, në të cilin duhet të përfshihet edhe shoqëria serbe.
“Do të ndodhë edhe në Parlament, edhe në forume të ndryshme, jam i gatshëm personalisht të shkoj dhe të flas me Sinodin dhe me Kuvendin e Kishës, po flas për vende që po supozoj se janë më të vështirat për bisedime, edhe në Akademi. Nuk dua t’i iki mejdanit. Unë nuk dua të iki, nuk dua të fshihem nga askush, por duhet ta themi se çfarë do të bëjmë me planet tona në Kosovë dhe Metohi, dhe për këtë na duhet një marrëveshje sa më e gjerë, dhe të përkushtohemi për këtë, dhe jo të jetojmë në një periudhë para 300 vjetësh”-deklaroi presidenti serb.
Add new comment