Një shtet që nuk funksionon jashtë rrugëve nacionale
Sot kryeministri Edi Rama ka publikuar në faqen e vet në Facebook ankesat dhe kërkesat e qyetarëve të qarkut Gjirokastër. Duke patur parasysh se çfarë kemi lexuar deri më tani në këto drafte ankesash në qarqe të tjerë, këto të Gjirokastrës janë padyshim serioze. Prona, papunësi, mjete transporti për fëmijët, ndriçim i qendrave të fshatrave, pensionet, problemet me ALUIZNI-n, subvencionet në bujqësi, mosnjohja e viteve të punës në kooperativat bujqësore, pesticidet, këto dhe të tjera janë çështjet kryesore që ngrihen nga qytetarët.
Çfarë bie në sy është se problematika prek në shumicën e rasteve fusha të kompetencave të pushtetit vendor. Z. Rama po e lexon këtë situatë si nevojë për reformimin e administratës, kur në fakt ka para syve provën e dështimit të reformës administrative – territoriale. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale u bë me tam - tame të mëdha për njerëzit e zgjedhur, por nga sa shihet njësitë administrative nuk po dinë të zgjidhin as ndriçimin dhe nuk po dinë te menaxhojnë as transportin publik, duke blerë ndonjë makinë apo autobuz me para që nuk është vështirë të gjendjen apo huazohen. Kryeministri që lexon këto shqetësime duhet të ketë kuptuar se qeveris mbi një popull shumë modest, i cili kujton se të kërkojë është një sjellje që e vendos në detyrime para kreut të qeverisë. Ose është dorëzuar përfundimisht dhe kërkon sa më pak meqë mendon me të vetën se shteti nuk ka lekë dhe kot të harxhosh frymën duke pretenduar ndonjë gjë më të madhe sesa ndriçimi i fshatrave.
Problemi është shumë i madh dhe qasja nga lart mund të mos funksionojë. Pasi në këto raste kemi të bëjmë me neutralizimin e hallkave të ndërmjetme derisa edhe probleme të tilla vijnë si çështje në qeveri. Ndoshta duhet ndryshuar modeli i financimit dhe kontrollit, ndoshta duhen vënë afate dhe penalitete reale për disa standarde që nuk mund të neglizhohen më. Të fajësosh administratën është një gjë, të ofrosh zgjidhje krejt tjetër. Problemet me ALUIZNI-n raportohen ngado, z. Rama u mjaftua me dy shkarkime sa për të bërë shembull. U larguan drejtorët e hipotekave dhe spitaleve rajonale, por çfarë zgjdhje është kjo përveçse spastrim?
Një nga premtimet e mëdha të z. Rama përpara ardhjes në pushtet ishte edhe vendosja në kontroll e territorit. Kjo është një temë shumë e rëndësishme sa për të kaluar me një fjali premtim. Mjaftuan 30 barinj për të na bërë të kuptojmë se kush e ka kontrollin e territorit dhe pasurisë publike në këtë vend. Dhe interesant është fakti se në ankesat e qytetarëve të Qarkut Gjirokastër ka tre të tilla që flasin për kontroll territori, por kësaj radhe nga Poshtë. Një është mungesa e zjarrëfikseve, tjetra hapja e zyrës postare në Njësinë Administrative Lopës dhe e fundit, më pikantja, kërkesa nga zona minoritare e Pogonit për vendosjen e sinjalit televiziv dhe atij telefonik.
Në përfundim të këtij procesi që ka nisur e po bitiset me ikjen e vapës do të ketë një dokument. Nga ata me ngjyra. Do të ketë një apo dy koka turku, ca të ulëritura dhe pastaj shtyje ta shtyjmë. Është modeli që u pa në këto katër vite dhe mungesa e seriozitetit ajo që të shtyn të mendosh këtë. Në fund fare këto raportime e kanë një të mirë, ato zbardhin shumë thjesht një të vërtetë që nuk e mbulon dot deviza: Do bëjmë shtet. E vërteta se shteti nuk funksionon jashtë rrugëve nacionale. Edhe aty për gjoba dhe kusurin e qytetarëve.
Add new comment