Edhe një dorë e fundit për të Ngririn...
Lulzim Basha ka marrë sot edhe një ndihmë të fundit nga Sali Berisha. Ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar sot për zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, akt ky i kuptueshëm, por të cilit nuk i ka munguar edhe një prononcim:
“Në vlerësimin tim gara është zhvilluar në përputhje me statutin, pati një moment në fillimin e saj, një gabim të zotit Paloka dhe zotit Spaho, të cilët shpallën datën, por kjo u rregullua. Procesi është zhvilluar në përputhje me statutin. Kam pasur mirëkuptim të plotë për të gjitha kërkesat qoftë për largimin e kryetarit apo për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Nuk kam folur sepse kam dhënë dorëheqje pa rikthim nga partia. PD-ja ka pësuar humbjen më të thellë në gjithë historinë e saj, por humbje fatale nuk ka, ndaj dhe ftoj çdo njeri që e do këtë parti të punojnë me përkushtim për një strategji të re. Mund t’i kërkoja edhe Bashës dorëheqjen, por kjo nuk është në Statutin e partisë sonë”, tha Berisha.
Një votë që legjitimon deri diku një proces farsë, me një kryetar të ngrirë, të cilin sot Sali Berisha duket se e ka votuar për të rimarrë detyrën. Pak rëndësi ka vota nominale, pasi më shumë vlen vota si akt dhe komenti pas saj. Duket se për grupin kundërshtar të humbësit Basha mbetet ose kërkesa për lejimin e fraksioneve ose shkëputja. PD-ja është tanimë një projekt privat i Bashës dhe Berishës që kalibron interesat e veta dhe asgjë më shumë.
Add new comment