Rënia e mitit të Europës në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor ka nisur të fitojë vëmendjen e mediave të njohura dhe Europës për shkak se ai qëndron si xhep pasigurie në kufij të kontinentit. Në fakt perspektiva e leximit të realiteteve të këtij rajoni vaarion: dikush flet për radikalizmin, një tjetër për nacionalizmin, ka edhe që përmendin rrezikun rus dhe atë turk. Të gjitha analiza të njëanshme, pasi të gjithë këta elementë nuk janë të rinj në këtë zonë.
Ballkanin Perëndimor e ka nderuar me një shkrim edhe revista gjermane “Spiegel” e cila shkruan se shpresat për integrimin në BE janë zhbërë në këtë rajon dhe boshllëku patjetër që do të mbushet nga ide të tjera. Ide të cilat sipas gazetarëve gjermanë nuk ka sesi të jenë propozime alternative për zhvillimin normal, por vetëm kapërcime radikalësh në një rajon që vijon të shihet si vend njerëzish jo normal. Revista vëren se mungesa e vëmendjes së PErëndimit ka sjellë në rajon edhe aktorë të rinj, jotradicionalë, siç janë vende të Gjirit Persik.
Shkrimi hapet me Kosovën e cila sipas gazetarëve gjermanë kërcënohet nga rreziku I Shqipërisë së Madhe.
Sipas Hashim Thaçit, problemi kryesor, kërcënimi kryesor është ai që Europa mund të mbërrijë shumë vonë në Ballkan duke lënë hapësirë për të tjerë. Kërcënimet e tij për bashkimin me Shqipërinë, presidenti kosovar i ka quajtur si deklarata që u keqkuptuan, ndonëse ato janë fjali dëftore dhe Thaçi flet një gjuhë që vështirë se mund ta keqkuptosh. Sipas presidentit të Kosovës në Kosovë është rreziku i radikalizmit islamik. Një problem që po e bën Europën të duket e largët, është edhe ai i lëshimit të vizave për një vend që ka lëvizur rregullisht në kontinent. Për 55 mijë aplikime në vit për viza që bëhen në ambasadën gjermane, procesimi zgjat 6 muaj, ndërkohë që qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë drejt Turqisë pa viza. Përhapja e vahabizmit nga misionarë arabë është një tjetër problem në këtë kuadër që lehtësohet nga mundësitë ekonomike që Europa nuk i ofron më.
Shkrimi ka një natyrë informative për publikun gjerman dhe atë të huaj, pasi ballkanasve nuk u thotë ndonjë gjë të re. Sesa mund të ndikojë ai që në Bruksel të vihen në lëvizje është tjetër punë, por është e qartë se qasja e BE-së ndaj rajonit tonë është në rastin më të mirë shumë e ngurtë dhe ajo po vihet në varësi të iluzionit të stabilitetit që sugjerohet përherë e më shumë nga drejtues qeverish të korruptuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe këtë korrupsion BE-ja po e toleron ndonëse flet për standarde. Bllokimi i lëvizjes së lirë është një tjetër aspekt dhe këtu mund të kujtojmë sesa dyshime pati në kohën kur u hoqën vizat për qytetarët e Shqipërisë, se çfarë paralajmërimesh u bënë etj..Sot që flasim BE-ja hoqi madje duke festuar vizat për ukrainasit, por për kosovarët kjo kërkon ende punë.
Është një politikë që Europa e ka ndjekur hershëm me Ballkanin, që në Mesjetë, teksa për interesa e braktisi për ta gjykuar sot sërish me lentet e standardeve të veta, të sanksionuara pasi realizoi kasaphanën më të madhe të shekullit të 20-të. Ndërkohë që sot flitet për radikalizëm fetar etj., është e dukshme se përkundrejt një projekti si ai europian, Brukseli nuk po do të shquajë asnjë alternativë normale për të ardhmen e rajonit, duke e parë atë si një zonë që mundet ta trajtosh si të duash. Në fakt nuk ka sesi të jetë kështu, pra nuk ka sesi me dështimin eventual të integrimit, Ballkani t’i drejtohet ivetëm e vetëm dhunës.
http://www.spiegel.de/international/europe/tensions-in-the-balkans-risin...
Add new comment