Dossier: 1956, me ngjarjet e Hungarisë në SHBA u propozua shkëputja e Shqipërisë nga blloku sovjetik
Disa materiale të vitit 1956 rreth qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë për ngjarjet në Hungari, janë rishikuar me disa vlerësime kritike dhe janë publikuar nga Universiteti i Georgetoën. Materiali është 132 faqe dhe ai sjell në vëmendje raporte, deklarata, memo, gjithë pra atë shkëmbim mendimesh dhe pikëpamjesh për mënyrën sesi SHBA duhet të reagonte ndaj atij që njihet si Kryengritja Hungareze e vitit 1956. Në një dokument të përgatitur më 28 tetor të atij vit nga Richard Davis, anëtar i Shtabit për Planfikimin e Politikave në Departamentin e Shtetit, paraqiten disa ide sesi duhet reaguar:
Dekurajim dhe nëse është e mundur frenim i ndërhyrjes së armatosur të sovjetikëve në Hungari si dhe masa të forta kundërveprimi
Propozim në OKB për neutralitet të Hungarisë sipas modelit austriak
Nëse qeveria e Imre Nagyt ka sukses, mbështetje për të dhe përpjekje për ta influencuar
Në dokumentin e analizuar thuhet ndër të tjera se çështja e Hungarisë lidhej me zhvillimet në Poloni, që kishin hapur një fazë të re në Luftën e Ftohtë për të cilën kërkohej një përgjigje. Bordi i Planifikimit të politikave ka diskutuar për disa propozime në këtë drejtim, mes të cilave ishte edhe “ndërmarrja e hapave të shpejtë për shkëputjen e Shqipërisë dhe të Çekosllovakisë nga blloku sovjetik… dhe ridislokimi i forcave amerikane si paralajmërim për BS-në”. Siç thuhet tekstualisht në rishikimin e bërë “nuk dihet kush I kishte bërë këto propozime”, të cilat Bordi i hodhi poshtë.
Jemi në vitin 1956 kur në Tiranë ka ndodhur edhe Konferenca e Tiranës për të cilën u akuzuan jugosllavët. Në këtë vit diçka po lëvizte në vijën Poloni, Hungari, Jugosllavi dhe në material jugosllavët përmenden disa herë.
Propozimi për shkëputjen e Shqipërisë është interesant në vetvete, jo për faktin se hedh dritë mbi dobësinë e regjimit në Tiranë, çka nga sot duket diçka e vështirë për t’u kuptuar, por për faktin se në nëntor të vitit 1957 sovjetikët propozuan ndërtimin e bazës detare në Vlorë. Enver Hoxha kishte lëvizur për t’u dukur mirë edhe para Hrushovit i cili u detyrua që të vizitonte Beogradin pas ngjarjeve në Hungari, duke I njohur Titos një rol autonom. Hrushovi erdhi në Shqipëri në vitin 1959 dhe marrëdhëniet u shkëputën në vitin 1961. Ky dualitet raportesh Lindje – Perëndim shpjegon mirë mbijetesën e regjimit në Tiranë, të cilin duket se në mjaft raste e ka shpëtuar rastësia, por edhe një ekuilibër I “harresës”.
http://nsarchive.gwu.edu/dc.html?doc=3711005-The-1956-Hungarian-Revoluti...
Add new comment