Samiti i NATO-s, hendek mes BE dhe Trump
NATO do të bashkohet me koalicionin ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, por kjo nuk do të thotë se aleanca do të marrë pjesë në operacionet luftarake. Samiti i parë i Aleancës me praninë e presidentit Donald Trump arriti të unifikohet për luftën kundër terrorizmit, por tregoi edhe hendekun e madh mes presidentit Trump dhe Bashkimit Europian.
Pas komenteve nënçmuese në të kaluarën, Trump u shfaq kritik ndaj shumicës së shteteve anëtare të të Aleancës, duke i ftuar të kontribuojnë dhe të përmbushin angazhimet e tyre. Presidenti amerikan tha se 23 nga 28 anëtarët e NATO-s nuk po paguajnë atë që duhet dhe theksoi se "kjo nuk është e drejtë për popullin amerikan."
Trump në të njëjtën kohë theksoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut ka promovuar sigurinë dhe paqen në të gjithë botën, duke shtuar se tani duhet të fokusohet edhe në adresimin e çështjeve të tilla si migrimi, terrorizmi dhe kërcënimin rus.Presidenti i Këshillit Evropian Donaldt Tusk tha se BE dhe SHBA kanë pikëpamje të ndryshme mbi Rusinë, ndryshimet klimatike dhe tregtinë globale. "Ne diskutuam çështje të politikës së jashtme, të sigurisë, klimës dhe marrëdhënieve tregtare"-tha Presidenti i Këshillit Evropian pas përfundimit të takimit me presidentin amerikan.
"Ne kemi rënë dakord në shumë fusha, para së gjithash në luftën kundër terrorizmit. Por disa çështje mbeten të hapura dhe unë nuk jam njëqind për qind i sigurt se nmund të themi sot se kemi një qëndrim të përbashkët për Rusinë, pavarësisht se për Ukrainë duket se ne jemi në të njëjtën linjë”-tha Tusk. Në takim u diskutua edhe për çështjen e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve evropiane, në mënyrë që të arrijnë 2% të PBB-së.
Add new comment