Ekstremizmi në rritje në SHBA - kundër qeverisë federale

Postuar në 16 Maj, 2017 10:59

Kundërshtimi i establishmentit, i këtij rendi politik ku kalon dhe kufizohet jeta jonë, duket se po kthehet në dukuri globale. Kjo është krizë që manifeston dëshirën për të rithemeluar marrëdhënien në një botë ku po bëhet e qartë se elita përherë e më të ngushta kontrollojnë shumë më tepër sesa elitat e djeshme. Nuk është immune ndaj kësaj dukurie as SHBA, vendi ku demokracia dhe liria artikulohen si premisa dhe kufij të sistemit politik. Protestat e njerëzve me ngjyrë vitin e kaluar u konfirmuan paradoksalisht në fitoren e një njeriu që përdorte gjuhë kundër elitave dhe antisistem si Donald Trump, shprehje e qartë kjo e faktit se një kategori shumë e madhe qytetarësh kanë nevojë për përfaqësim. Zgjedhjen e Trump e pasoi lajmi i raportuar edhe për qëllime të tjera, i një referendumi për shkëputje të Kalifornisë, diçka e hershme dhe që nuk prek vetëm këtë shtet. Parodia arriti majat kur u fol edhe për një ambasadë të Kalifornisë në Moskë, në eventualitetin që referendumi do të bëhet.

Këto ditë në Neë Orleans po zhvillohen protesta të atyre që përshkruhen si “nacionalistë të mirënjohur të bardhë” të cilët kundërshtojnë heqjen e monumentit të një gjenerali të Konfederatës(http://abcnews.go.com/US/wireStory/torch-wielding-group-protests-confede...). Fjala është për të mirënjohur Robert E. Lee, monumenti i të cilit ndodhet në Charlottesville. Protestuesit janë mbështetës të Donald Trump, kështu raportojnë mediat amerikane, i cili ia ka dalë që të çojë deri në Shtëpinë e Bardhë një njeri si Steve Bannon, larguar vetëm pak javë më parë. Shenja ekstremizmi në një vend ku si për çudi ka kohë që flitet edhe për një tjetër dukuri që nuk mund të mos lidhet me këto zhvillime politike: vetëvrasjen e përhapur te meshkujt e bardhë të moshës së mesme(http://www.bbc.com/news/world-us-canada-36116166). Një arsye pse Trump u votua në këtë kategori ishte edhe nevoja për të riafirmuar gjallërinë e saj të dikurshme, në kohët e Luftës së Ftohtë kur ajo përbënte zemrën e Amerikës dhe modelit të saj. Diçka që nuk po funksionon si duhet përderisa në skenë kanë dalë me forcë më shumë sesa më parë kërkesat për një kontestim sistemik.

Gazeta britanike “The Guardian” shkruante dje për një shfaqje tjetër në SHBA: Qytetari Sovran që i shtohet një tjetri: Milicisë, apo Patriotëve. Të gjitha dukuri të kundërshtimit të ligjeve federale dhe qeverisë qendrore në emër të lirive, idealeve të Etërve Themelues, amendamenteve kushtetues siç është ai për të drejtën e armës, por edhe të një nevoje politike që nuk pranon më të negociojë të vetën, lokalen me konsideratat e qendrave të mëdha. Ky fragmentarizim që pleks shumë rryma, është një sinjal shqetësues. Gazeta shkruan se administrata Trump ka vendosur si prioritet riorganizues për Departamentin e Sigurisë së Brendshme, mbrojtjen nga islami radikal, por një sondazh i vitit 2014 tregon se sipas 175 agjencive ligjzbatuese në SHBA, kërcënimi më i madh ështrë Qytetari Sovran, lëvizja e cila pasohet nga terrorizmi islamik dhe mandej nga tre kërcënime vendase: Milicia, racistët qerosë dhe lëvizja Neo –Naziste.

https://www.theguardian.com/world/2017/may/15/sovereign-citizens-rightwi...

Gazeta referon një raport të vitit 2009, shkruar nga një analist i shërbimeve inteligjente federale, Daryl Johnson, sipas të cilit nuk përjashtohet një ringjallje e ekstremizmit të djathtë, sinjal që u konsiderua “alarmizëm I motivuar politikisht” nga republikanët. Një shifër është tregues sadopak domethënës: Sipas Ligës Kundër Shpifjes, që nga viti 2001 në SHBA janë vrarë të paktën 45 punonjës  policie nga esktremistë vendas. Mes të cilëve 10 nga ekstremistë të majtë, 34 nga ekstremistë të djathtë dhe 1 nga esktremistë islamikë. Kjo dinamikë nuk përputhet me dinamikën e raportimit mediatik. Johnson thekson këtu rolin e madh që luan injoranca e brezit të ri, quajtur si milenians. P.sh bomba e Oklahoma City e vitit 1995 nuk dihet mirë që u vendos nga një qytetar amerikan, veteran i Luftës së Gjirit në bashkëpunim me një Qytetar Sovran që analizuan se akti do të provokonte një revolt kundër qeverisë federale, globaliste dhe dikatoriale. Lidhja e parë që u bë asokohe ishte terrorizmi islamik, apo ndonjë vend nga Lindja e Mesme, por bomba që vrau 168 njerëz ishte vënë nga duar amerikanësh të bardhë.

Situata ka nisur të fermentohet shpejt, por ajo mori vrull në vitet ’80 si pasojë e krizës fermere që krijoi borxhe të mëdha. Në vitet ’90 ekstremizmi njohu kulme, por ka qenë përherë jashtë vëmendjes së mediave ndërkombëtare.  Qyteari Sovran shfaq kështu simptomat e një krize komplekse që në vetvete është një pikë kulmore në kontestimin e narrativës historike që mban gjallë SHBA. Sherifi është zyrtari më i lartë legjitim për zbatimin e ligjit – kjo është një ide kryesore e cila i bën jehonë asaj tradite që shprehet mirë te Garda Kombëtare amerikane.  E cila duhet thënë se po vetëreformohet rrugës duke u hapur edhe për qytetarë me ngjyrë, gjithnjë me objektiv: kundështimin e qeverisë federale.

Në themel SHBA-ja po përjeton Mosbindjen Civile të kthehet gradualisht në rrymë ndër kryesoret dhe fitorja e Trump është një mesazh jo pa domethënie. Ndonëse me specifika lokale dhe me përhapje rajonale, ekstremizmi amerikan ka një traditë që shkon paralel me atë të demokracisë, në një vend ku feja ka një rol themelor.

Nuk është çudi që parime të këtilla apo përfaqësues të këtyre rrymave të gjejnë rrugën drejt vendimmarrjes dhe fjalimi i fundit i Obamës nga Akropoli në Athinë dëshmon se diçka po zien në këtë vend, diçka që duhet menaxhuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.