Ndryshime në Kodin Penal për periudhën e parashkrimit. Hiqet për veprën penale të vrasjes
Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë parashikojnë dyfishim të kohës së parashkrimit për vepra penale të rënda, ndërkohë që një kategori veprash nuk I nënshtrohen më parashkrimit.
Koha e parashkrimit – pra periudha nga kryerja e veprës penale deri në marrjen si të pandehur, pas të cilës nuk mund të fillojë më ndjekja penale – bëhet 40 vjet për “krimet për të cilat parashikohet burgim I përjetshëm”. Bëhet 20 vjet për krimet që “parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë”, dhjetë vjet për “krimet që parashikojnë dënim nga pesë vjet deri në dhjetë vjet burgim, e kështu me radhë.
Veprat penale të cilat përjashtohen nga paraashkrimi janë ato që bëjnë pjesë në kreun II, seksioni I, nenet 76 – 79/c të Kodit Penal. Ato janë:
Vrasja e kryer me dashje.
Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër.
Vrasja me paramendim.
Vrasja e kryer për interes apo hakmarrje.
Vrasja me dashje për gjakmarrje.
Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit.
Vrasja me dashje e kryer ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
Vrasja me dashje e kryer ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse.
Vrasja me dashje e kryer më shumë se një herë.
Vrasja me dashje e kryer kundër dy ose më shumë personave.
Vrasja me dashje e kryer në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës.
Vrasja me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave.
Nuk dihet nga udhëhiqen këto shtrëngime, pasi parashkrimi në afat kohor të njëjtë me masën e dënimit është efektiv nëse zbatohet.
Add new comment