Opozita gati për përplasje në Kavajë, quan fasadë tryezën e Ilir Metës

Postuar në 26 Prill, 2017 20:27

Koalicioni i Partisë Demokratike me partitë e vogla opozitare vendosën të përshkallëzojnë aksionin politik, çka do të thotë bllokim i qendrave të votimit apo çfarë do lëvizje që do të pengojë mbaravajtjen e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Skenar për të cilin Partia Demokratike ishte përgatitur edhe para negociatave me ndërmjetësit e Partive Popullore Europiane. Në një deklaratë pas takimit që u zhvillua në të njëjtën orë me tryezën e thirrur nga Ilir Meta me partitë parlamentare, koalicioni opozitar paralajmëroi përplasje civile duke nisur nga Kavaja dhe një injorim të tryezës së Ilir Metës, të cilën e quajti fasadë.

Deklarata:

Koalicioni Opozitar vendosi njëzëri përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës, për të mos lejuar diktatin e krimit e të drogës me mbështetje qeveritare mbi votën e qytetarëve. Koalicioni opozitar konfirmoi vendosmërinë për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja.

Në funksion të këtij vendimi, të gjitha partitë politike anëtare të Koalicionit Opozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile. Në kuadër të organizimit të mosbindjes civile dhe moslejimit të një procesi fasade elektoral, u miratua ngritja e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor.

Po ashtu, Koalicioni i bashkuar Opozitar, dënoi dhe hodhi poshtë përpjekjet për tryeza fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narkoqeverisjes.E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krjimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Koalicioni opozitar shpreh mirënjohjen për qëndresën e qindra-mijë qytetarëve në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës themelore të votës së lirë dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë për bashkimin më të madh popullor kundër krimit dhe drogës në pushtet. Fitorja i takon popullit të bashkuar për një Republikë të Re të Demokracisë, Lirisë dhe Drejtësisë së vërtetë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.