Shteti paçavure i kokave të koalicionit
Telenovela rozë me darka peshku dhe gjeagjëza politike mbi të ardhmen e partneritetit politik Rama-Meta përtej kureshtjes po afekton edhe procedurat që mbajnë në këmbë të ashtuquajturin shtet shqiptar, duke ekspozuar edhe me letra mungesën e seriozitetit të atyre që qeverisin këtë vend. Sekretarët e dy partive të koalicionit për Shqipërinë Europiane i janë drejtuar me një letër Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku i kërkojnë që në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të shtyjë me dy muaj afatin e regjistrimit në KQZ të partive politike dhe koalicioneve për zgjedhjet e 18 Qershorit. Argumenti sipas tyre është përpjekja e vazhdueshme e PS-LSI për të përfshirë opozitën në zgjedhje, pasi siç thuhet janë në negociata intensive për ta zgjidhur këtë çështje.
Letra e qëndisur nga Gramoz Ruçi dhe Luan Rama përveç aspektit ligjor flet edhe për një kontekst social-politik mbi të cilin edhe institucionet publike duhet të reflektojnë. “Në këtë konstekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e aq më shumë nga Komisionin Qëndror i Zgjedhjeve kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive dhe koalicioneve në zgjedhje”- thuhet në letrën e bashkëfirmosur nga PS-LSI.
Ky argument në thelb dhe parimisht është i njëjtë me kërkesën e opozitës për të shtyrë datën e zgjedhjeve, pasi siç thotë PD situata ose konteksti social-politik është i papërshtatshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pra de fakto mund të intepretohet si fitorja e parë e opozitës në betejën e saj për të shtyrë zgjedhjet për të cilat deri dje kryeministri ishte treguar i prerë se do të respektonte kushteutën. Për analogji pak ditë më parë në Asamblenë e Partisë Socialiste ai tha se “Data e zgjedhjeve nuk shtyhet. Ftoj PD-në të marrë shembull nga Barcelona e Juventus, që nuk kërkon shtyrje të datës së ndeshjes me Juventusin. Saliu i Lulit nuk do Vettingun se nuk do zgjedhje, Luli i Saliut nuk do zgjedhje se nuk do Vettingun”.
Pas kësaj deklarate emisarët e kryeministrit dhe aleatit të tij firmosin një “paçavure” për të shtyrë regjistrimin si koalicion në zgjedhje pasi pazari mes tyre duket se ka ende kredite për të negociuar. Me këtë letër kryeministri i jep të drejtë vetes që si trajner i ekipit të Rilindjes t’i kërkojë Federatës së Zgjedhjeve shtyrjen e afatit për regjistrimin e lojtarëve për ndeshjen e zgjedhjeve, çka as Barcelona dhe as Juventus nuk do ta bënin për analogji. Me pak fjalë topi është i yni, penalltinë e gjuajmë vetë në shtetin paçavure që kemi.
Add new comment