Merkel i ka dhënë garanci Bashës për të hyrë në zgjedhje
Prej më shumë se 47 ditësh opozita kërkon kushte për të hyrë në zgjedhje duke paraqitur si të vetmen garanci qeverinë teknike, ose qeverinë e besimit siç e quajti Ilir Meta. Në këtë kauzë Lulzim Basha deri më tani ka gjetur vetëm mbështetjen e LSI-së dhe aleatëve të PD-së, ndërkohë që faktori ndërkombëtar ka qenë thuajse në unison për rikthim në parlament dhe hyrjen në zgjedhje të opozitës.
Bashës kjo i është thënë edhe nominalisht edhe personalisht nga partnerët ku peshën kryesore e mbajnë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Burime pranë Partisë Demokratike thanë për "Respublica" se letra e nënkryetarit të CDU-CSU, grupimit të Partisë së kancelares Merkel në Parlamentin gjerman, ishte një konformim i asaj që vetë Merkel i ka kërkuar Lulzim Bashës: Të futet në zgjedhje përkundrejt gatishmërisë nga pala gjermane për të dërguar 5 deputetë të CDU-CSU-së për ekspertizë të specializuar në çështjet të reformimit të Kodit Zgjedhor.
Të njëjtat burime thanë për "Respublica" se dalja në publik e letrës së nënkryetarit të CDU-CSUsë alarmoi kreun e PD-së që hetoi për ndonjë rrjedhje nga stafi i tij, por siç u konfirmua letra doli nga ambasada gjermane në Tiranë. Pra Lulzim Bashës i është kërkuar nga kancelarja Merkel të hyjë në zgjedhje dhe i është dhënë garanci për këtë, ashtu siç në fakt thuhet edhe në letër se "Gjermania mbështet shqetësimin për zgjedhje të lira e të ndershme, por i kërkon opozitës të jetë pjesë e procesit".
Përveç këtyre garancive opozita i ka të gjitha mekanizmat për të mbrojtur votën pasi ka 50% të grupeve të numërimit në Komisionet Zonale. Ndërsa së fundmi kryeministri propozoi në parlament që opozita të ketë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Add new comment