Marifetet që shiten me të madhe si punë
Erjon Veliaj vijon të jetë prezent në media(ato serioze) thuajse për çdo “aktivitet” publik. Nëse hedhim një sy statistikës dhe intensitetit të prezencës së Veliajt në media, ekrane dhe online, mundet shumë mirë të parashikojmë se edhe dalja e tij nga shtëpia një ditë do të konsiderohet sensacion.
Këto dy ditë kryetari i bashkisë së Tiranës ka qenë në lajme 24 orë/24 për pastrimin e qytetit dhe pastëritë. Një temë me të vërtetë e rëndësishme që nuk ka pse të banalizohet duke e paraqitur si një çështje e vullnetit të një njeriu që përpos të tjerave mban leksione alla Nard Ndoka sipas Facebook si p.sh: Po të mos ndotësh, e mban pastër.
Ideja e Veliajt është e prekshme dhe e kuptueshme: të kufizohet në mos të hiqet nga qarkullimi përdorimi i qeseve plastike që janë ndotësit kryesorë. Për këtë ai propozoi nismën që qeset plastike të blihen në subjektet tregëtare, me synim dekurajimin e përdorimit të tyre dhe kalimin drejt përdorimit të çantave të rrobës. Mendim i dobishëm, por një çështje që kërkon disa sqarime sesi do të detyrohen subjektet nga Bashkia që të shesin qeset, duke ndërhyrë në atë që mund të quhet “ofertë shërbimi”.
Sot Veliaj ka organizuar ditën e pastrimit të Tiranës me ç’rast ka bërë edhe disa komente politike:
“Duhet të ndalojmë përdorimin e qeseve plastike. Do të vazhdojmë me inspektimet dhe me gjobat. Tirana është qyteti më i pastër në Shqipëri. Çdo kryetar bashkie të bëjë llogaritë e veta. Krerët bashkiakë në zona bregdetare të nisin pastrimin”, tha Veliaj.
Nuk dihet se ku godet kjo deklaratë, te Dako apo te ndonjë tjetër që ndoshta nuk është mik me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por nuk është e pranueshme kjo arrogancë dhe ky leksion për të të zgjedhurit në qytete të tjera.
Nuk është më sekret ambicia e këtij njeriu për të qenë në krye të PS-së dhe qeverisë, një ëndërr të cilën ja ka përkëdhelur edhe kryeministri aktual që është pronari i PS-së. Po kështu me teknikën e njohur dhe bajate të mediave në përdorim si altoparlantë, kemi parë tituj nga jashtë Sqipërisë që flasin për Shqipërinë e “erjon veliajt”, gjithnjë duke shkelur me çdo parim etik dhe duke ngjyrosur punën e rehabilitimit të disa rrugicave në Tiranë me notat e një transformimi.
Sado që të përpiqet zotëria nuk ka një gjë të jetë bërë thjesht për komunitetin dhe qytetarët më parë se të ketë qenë llogari politike e këtij njeriu. Taksat e përkohshme që u vunë zbuluan projektet e PPP-ve të shkollave. Skandali i landfillit tanimë numëron dy viktima dhe është i njohur, shehshi “Skënderbej” nisi si projekt rehabilitues me para nga qeveria dhe përfundoi me parkim nëntokësor, ashtu si pa dashje.
Ndërhyrjet te liqeni janë lënë në mes, ndërkohë që parkimi me sms zbuloi edhe njëherë lezetin e faturës Veliaj mbi shërbimin e ri. Procesi i caktimit të administratorëve në pallate është në fakt proces nga i cili përfitojnë qytetarët dhe duhet që ata ta bëjnë fakt, realitet. Jo, bashkia kërkoi të konstituonte asambletë për t’i shpallur mandej si arritje të vetat. Proces që është lënë në mes të rrugës. Edhe përurimi i Pazarit të Ri u tregëtua nga z. Veliaj si një mundësi për t’i thurur Edi Ramës lavdet e një servilizmi të pacipë, për të kthyer inaugurimin e një godine në çështje të suksesit të reformave dhe aspirimit të karrierave politike.
Nuk ka pra një akt, një veprim te aktivitei i këtij njeriu që të mos ketë hilenë nga pas, faturën për qytetarët dhe çka është më e rëndësishmja: gënjeshtrën dhe shkeljen e ligjit. Nuk është për t’u çuditur, kemi të bëjmë me dikë që akuzohet se ka falsifikuar firma. E çuditshme dhe fatkeqe është që këto marifete të shiten për punë dhe për tituj.
Add new comment