A mund të sjellë Le Pen një katastrofë për Francën?
Aspekti i “lojërave për pushtet” i këtij cikli zgjedhor francez filloi tek e majta. Presidenti François Hollande u rrëzua nga vetë Partia Socialiste. Kryeministri i Holande, Manuel Valls, u bë vakti i dytë në këtë banket kanibalësh.
Që nga ajo kohë, kufoma e njërës prej dy partive më të mëdha të Francës, jo vetëm që u kthye përmbys, por ka mbërritur në një nivel dekompozimi të përparuar. Tani, pikërisht në çastin kur ndokush mund të shpresojë se vendi do të ketë një kandidat për president që duhet t’i komunikojë kombit se çfarë mendon për Donald Trump, Vladimir Putin dhe radikalët islamistë, kandidati socialist Benoît Hamon, e gjen veçanërisht interesant që të flasë për legalizimin e marijuanës, ndotjen nga balta e kuqe dhe çrregullimet e sistemit të endokrinës nga ndotja.
Në të djathtë, katastrofa tashmë thjesht sa po vë kurorë. Më herët, ish-presidenti Nicolas Sarkozy u eliminua. Ish-kryeministri Alain Juppé, pasi u kurorëzua virtualisht si president për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, u rrëzua pikërisht nga ata që e adhuronin. Dhe, në valën e skandalit që ka përfshirë François Fillon, kandidati Republikan dhe njeriu që e mposhti atë, Juppé humbi nervin dhe më 6 mars u tërhoq përfundimisht nga gara.
Fillon, dikur kandidati me më shumë gjasa për të fituar, zgjedhja e katër milionë votave në zgjedhjet primare, tashmë po përballet me spektaklin e një partie kryengritësish që përpiqen për ta shtyrë atë jashtë gare. Skemat, shmangiet, llogaritjet dhe pazaret shumëfishohen, të gjitha të bazuara në sondazhe të interpretuara më së shumti si ekuivalenti modern i ogureve të perëndive të kohës së Romës së lashtë. Dhe një tjetër kufomë.
Kalojmë te prokurorët që po hetojnë, të cilët dukshëm po luajnë rolin që iu takon, duke dëgjuar prova mbi skandalin me vende pune që nuk ekzistojnë dhe që përfshin bashkëshorten dhe fëmijët e Fillon. Integriteti i tyre, gjithsesi, nuk do të pastrohet nga një rikujtesë e butë se ata, gjithashtu, janë qenie njerëzore, të prekshëm nga pasionet dhe pakënaqësitë njerëzore; dhe që pushteti i konsiderueshëm që ata kanë, siç bën zakonisht pushteti, mund të mbërrijë aq larg sa mundet; dhe kjo, si pasojë, i ka bërë ata tërësisht të përfshirë në një fushatë nga e cila, nëse rikujtojmë Montesquieun, ata duhet të luftojnë me skrupulozitet për ta mbajtur veten larg.
Por ne, qytetarë dhe votues – secili nga ne një më një – jemi pjesa më e shëmtuar e të gjithë kësaj tabloje. Marrëdhënia jonë e re dhe e çuditshme me politikën, siç është evidentuar nga rrethanat aktuale, mund të përmblidhet në tri terma.
Ncuqncuq. Ose, më saktë, nuk mundemi nuk mundemi: magjepsja që ne kemi çdo të mërkurë për shfaqjen Le Canard Enchaîné, (në shqip Rosa në Pranga), emisioni javor satirik i cili me humorin e vet rebel qe mish për topat e çlirët në të majtë dhe në të djathtë, është bërë gjuha e përditshme e politikës. Ka pasur një kohë kur leximi i gazetës qe, sipas filozofit Hegel, njësoj e vlefshme si lutjet e mëngjesit. Tani, të lexuarit të gazetës ushqen urinë e pangopur të elektoratit për përqeshje.
Me çfarë pritshmërie të hidhur lexuesit francezë presin ushqimin më të freskët mbi bëmat e zyrtarëve tanë të zgjedhur apo rivalët e tyre! Me çfarë kënaqësie prej të babëzituri ne gëlltisim dozën tonë të përjavshme të korrupsionit, gjepurave dhe skandalit! Dhe çfarë zhgënjimi të zymtë ne ndiejmë, çfarë humbje të papritur të interesit për të jetuar, kur, rastësisht, nuk ka asgjë të re të raportuar. Ne duhet të kemi parasysh paralajmërimin e poetit Stéphane Mallarmé se kur ne kënaqim veten dhe rrjedhimisht dehemi nga skandali, ne “gogësijmë mërzitshëm drejt dorëzimit të errët”.
Spektakël. Si zëvendësues i gjykimit, ne marrim komente të pafundme dhe të pavlera mbi një mijë e një kthesat dhe çuditë e papritura të garës elektorale. Dikur, media e lajmeve raportonte mbi sportin sikur ai qe politikë. Tashmë komentet mbi politikën iu ngjajnë lajmeve nga sporti.
“Loja e Analizës” është bërë paradigmë e narrativës politike. Dhe, në vendin e nderuar për të cilin Marx tha se është kombi politik par excellence, politika është bërë një nënspecie e futbollit, me skuadrat e veta, tifozët, arbitrat dhe tabelat e rezultateve.
A mos ka ndonjë surprizë në faktin që në kulm të skandalit Fillon, bosët e krahut të djathtë, trajnerët e tyre të padukshëm u kthyen (në dreq le të venë diferencat doktrinore dhe stilistike!) te stoli i rezervave, ku ata supozohet se po prisnin për të hyrë në lojë? Në mënyrë të ngjashme, dikush duhet të vrasë mendjen nëse besnikët e Fillon e shohin atë si diçka më shumë se sa thjesht stamina, si njeri i aftë për të përballuar një dajak, apo si njeriu që, pasi u rrëzua përtokë, gjeti forcat të ngrihet sërish, a thua se po rikthehej në një ndeshje të papërfunduar.
Barazia. Uria për të, dikur ka qenë pasioni më fisnik; pati, në atë pasion, një ëndërr për të kultivuar popullin politik dhe, në këtë mënyrë, të krijohej një politikë dinjitoze. Dhe unë jam dakord me filozofin Jean-Claude Milner, i cili, në librin e tij të kohëve të fundit, Relire la Révolution, (Rishikoni Revolucionin) sulmon Anatole France për librin “Zotat Janë të Etur”. Larg të ofruarit te njerëzit racionin që i takon të gjakut, Robespierre u përpoq gjithashtu, sipas mënyrës së tij, të kontrollojë transformimin e masave në turma hakmarrëse dhe të shpëtonte atë që mund të shpëtohej nga balancat e brendshme të hierarkisë republikane.
Asgjë të tillë nuk ka në etiketën e sotme të egalitarizmit – asgjë por një turmë që po ecën gjithnjë e më pranë momentit kur të ketë pushtet të plotë ndërkohë që promovon barazinë jo të interesit të përbashkët, por të ankesave, fyerjeve, mërive dhe korrupsionit. Dhe, mes fëmijëve të fragmentarizuar dhe të shqetësuar të Iluminizmit, mes trashëgimtarëve zombi të Rusoit (Rouseeau), duke u dridhur mes agresivitetit, verbërisë dhe dëshpërimit, barazia nuk është më një detyrë, por një turp, një lloj qefini i zymtë, një aureolë pakënaqësie dhe urrejtjeje në të cilën gjuha jonë e përbashkët është e lidhur si një vozë mbi ujë.
Një katastrofë tjetër. Një zhgënjim tjetër. Nga barazia si luftë ndaj të keqes te mundësia e barabartë për t’u qarë dhe për t’u hakmarrë, ne kemi ngjitur shtegun që e shpie një shoqëri nga jeta te vdekja.
Frikësuese sido që të duket, kjo është situata ku Franca e gjen veten sot: jo thjesht në një krizë por në fazat e fundit të asaj që historiani i madh antinazist Marc Bloch e quajti, më 1940, “disfata e çuditshme” e kombit të tij. Ne përballemi jo me një pemë të vetme padrejtësie, por me një pyll të stërmadh fjalësh të ndyra, të rrezikshme dhe të çmendura në përmbajtjen e tyre.
Dhe, duke qëndruar të shtrirë në pritje, udhëhequr nga Eumenidet (zotat greke të hakmarrjes, emri i të cilave është sinonim i zemërimit po aq sa edhe i drejtësisë), një figurë po merr formë, njësoj si në termat klasikë, në përmbushje të një fati të tmerrshëm: Marine le Pen.
Marrë nga gazeta "Mapo"(http://www.mapo.al/2017/03/a-mund-te-sjelle-le-pen-nje-katastrofe-per-fr...)
Add new comment