Kujt i vlejnë paralelet me '97-ën?
Në debatin politik mbi protestën e opozitës dhe kërkesat e saj u përfshi sot edhe ideologu i prapavijës në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçi, angazhimi i të cilit në këtë fushatë shënon një kthesë në diskursin me të cilin qeveria po trajton çadrën e Partisë Demokratike.
Nëse deri dje qëndresa e opozitës identifikohej me ata që nuk duan Vettingun, sot Gramoz Ruçi ktheu në vëmendje të elektoratit socialist ngjarjet e vitit '97 duke hequr një paralele me trazirat e 20 viteve më parë, ku sekretart lokalë të Partisë Socialiste patën një rol jo të vogël në orientimin e popullit drejt depove ushtarake të armatimit, hapja e të cilave mbetet ende një pikëpyetje e madhe.
"Kjo qe po ndodh tani është përpjekje për destabilitet. Ne e kemi provuar destabilitetin në vitin 1997, në kohën e piramidave etj”- tha Ruci në një takim në Fier. Përpjekja për të rikthyer ankthin e vitit '97 dhe referencat për luftë civile artikulohen sot nga një parti që qeveris vendin dhe duhet të japë llogari për bilancin e një mandati shumë të diskutueshmëm. Por argumenti që u serviret shqiptarëve kundrejt një proteste të opozitës, duhet thënë jo të dhunshme është viti '97, që mesa duket Partia Socialiste e lexon si faqe nderi në historinë e saj politike.
"Ju e dini që nuk është se e morëm shtetin, shtet, e morëm shtetin çadër. E tani ata janë futur aty që ta bëjnë çadër prapë. E janë po ata që (se jemi në mars të 2017) – aty brenda keni po ata që në mars të 1997, e kujtoni mirë se çfarë i bënë shtetit. Se ata vetëm atë dinë të bëjnë. Po se patën ta kërkojnë duke i vënë zjarrin, po e morën ta çmontojnë pa i qarë hallin"-deklaroi kryeministri Rama nga Shkodra.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Teksa merrte pjesë në përcjelljen e kontigjentit të 3-të të Forcës Detare në detin Egje, Kodheli është ndalur në situatën politike në vend duke theksuar se autorët e ngjarjeve të marsit të vitit ’97, sot enden të lirë me synim, pengesën e Rëformës në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Pyetja që ngrihet është kujt i shërbejnë paralelet me vitin '97, kur ata që Partia Socialiste thotë se janë autorë të atyre ngjarjeve erdhën në pushtet me votë. Aq më tepër që partia e Ruçit dhe Ramës nuk është se kanë iniciuar ndonjë hetim parlamentar mbi trazirat e vitit '97 dhe shkaktarët e "luftës civile".
Add new comment