Ambasadori rus në selinë e PD-së
Zyra për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike njoftoi se Lulzim Basha priti në selinë e Partisë Demokratike ambasadorin e Federatës Ruse, Aleksandër Karpushin. Në njoftim thuhet se Basha iu përgjigj interesit të ambasadorit Karpushin mbi zhvillimet politike në vend, por pa dhënë më tej një vlerësim për situatën me argumentin se “parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë, të cilit i qendron edhe Ambasada Ruse në Tiranë, është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera”. Basha theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni përmes aplikimit të dygjuhësisë nga Federata Ruse do të rihapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale.
Në njoftim thuhet se ambasadori Karpushin theksoi se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Diplomati rus shprehu besimin se "një impuls i fortë shkëmbimeve dypaleshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare."
Add new comment