A ishte projekti i Ramës për ndryshimin e logos së NATO-s arsyeja e tensioneve në Shqipëri?
Sot është fakt politik i pamohueshëm se konflikti mes Edi Ramës dhe Ilir Metës e Sali Berishës është real dhe në pamje i pathyeshëm. Dy drejtuesit politikë të lexojnë sot një mbështetje të madhe ndërkombëtare për kreun e PS-së, e tillë që nuk ka precedent në 25 vite tranzicion. Shkrimet e fundit kundër Ramës janë një përgjigje ndaj këtij kuadri që i ka krijuar Ramës një hapësirë veprimi, që përndryshe do ta kufizonte shumë. Si shpjegohet kjo mbështetje?
Përveç arsyeve politike, një arsye, unike në mjedisin politik, është piktura si profesion. Ekspozitat e shumta të Ramës rezervojnë edhe një aspekt mirëfilli politik që zbardh në vetvete një shkak të konfliktit që ka hedhur rrënjë. Gjithçka duket se nisi me krizën e armëve kimike, kur pasiguria e madhe publike e kryeministrit e ekspozoi atë ndaj pakënaqësisë me amerikanët. Edi Rama ka patur lidhjen me Soros një aset të çmuar në lidhjen me Perëndimin, por thyerja me armët kimike evidentoi një mungesë serioziteti.
Burime nga stafi i ngushtë i tij thonë se pas hartimit lexuar në një frymë dhe mbushur në djersë, përmes të cilës iu tha “Jo” amerikanëve, një ide për të thyer këtë goditje i erdhi Fate Velajt, këshilltarit për kulturën. Ai i sugjeroi Ramës që të propozonte një ripunim për logon e NATO-s, si një mënyrë simbolike afrimi me Perëndimin, shenjë se “asgjë nuk ka ndodhur”, se madje Shqipëria me Kryeministrin artist ka një shans unik për t’u integruar me kontribute origjinale në heraldikën perëndimore. Aty për aty, ky propozim i rastësishëm frymëzoi delirin e njohur të Ramës. Dhe siç merret vesh nga njerëz pranë kryeministrit, ai iu vu punës, duke rrëmuar për ide. Ditë të tëra fikoshej në dritaren e kryeministrisë duke parë nga qielli. Aq sa përntë firmosur akte të ndryshme, Fugës i duhej ta kapte nga mënga. Ky depresim i madh çoi në vendosjen e koshit të basketbollit në kryeministri, për të mbajtur të angazhuar atë për projektin.
Duhet thënë se NATO e ka të zakonshme modifikimin e logos në çdo samit(http://www.nato.int/cps/en/natohq/news_125409.htm) dhe dihej prej kohësh që Asambleja e Përgjithshme e saj do të mbahej brenda vitit 2016 në Tiranë. Nisi kështu ajo kronikë e shpëlarë e personalizimit të diplomacisë, me takimin me Merkel të cilës i prezantoheshin pikturat e Edit, veshja e mureve të zyrave në kryeministri me piktura, hapje ekspozitash etj., gjithnjë në kuadër të propagandimit të artistit kryeministër.
Arsyet politike për ndryshimin e logos së NATO-s, janë të kollajta. NATO po zgjerohet, ajo po rishikon doktrinën dhe logoja e saj i takon vitit 1949 dhe paraqet një fushë blu që simbolizon Atlantikun një rreth në qendër që përfaqëson unitetin e anëtarëve dhe katër shigjeta busulle që paraqesin drejtimet e paqes. Se çfarë ka në mendje kryeministri për logon e re këtë mund ta kuptojmë pakëz edhe te rubrika e tij Amarcord që ka hapur në Facebook, ku jo rrallë sjell imazhe mesjetare të Shqipërisë. Dhe nga një rrëmim i sipërfaqshëm, imazhi shqiptar që i përshtatet më shumë misionit dhe qëllimit të NATO-s është ai që lidhet me Stradiotët. Mercenarët shqiptarë, grekë dhe kroatë që luftuan për Venedikun. Është i njohur një flamur që Perandori Maksimilian ja dhuroi Mërkur Buas, në të cilën paraqitet shqiponja dykrenore bizantine me dy shufra kryqëzuar sipër që përfaqësojnë në tërësi Perandorinë e Shenjtë Romake(fotoja më poshtë). Nga ky flamur mendohet se janë vjedhur disa motive që Rama mendon se duhen shtuar në flamurin e Aleancës.
Aspekti më spektakolar i kësaj loje ishte se ajo ushqeu paranojën e Ilir Metës që synon të bëhet kryeministër dhe sheh sesi profili i tij, i thjeshtë sa më s’ka, errësohet nga këto lodra artisti që ngjisin jo pak. Momenti i parë ishte kur Rama doli në Top-Show dhe deklaroi se unë kur të lë politikën dua të bëhem rrobaqepës(http://www.respublica.al/content/n%C3%AB-%E2%80%98pritje%E2%80%99-t%C3%AB-edi-ram%C3%ABs-rrobaqep%C3%ABs).
Tani del në dritë se kjo deklaratë ishte një mesazh për Metën se për projektin e logos së NATO-s kishte dakordësi dhe se në fakt njeriu i Perëndimit në Tiranë ishte vetëm një.
Momenti i dytë ishte kur Rama me rastin e festave të Nëntorit publikoi në Facebook një vizatim të vetin të shqiponjës dykrenore që thuhet se e bindi Metën se SHBA dhe BE kishin vendosur tashmë se kush ishte “njeriu i tyre në Tiranë”. Sipas gazetarëve pranë Ramës, thuhet madje se me cinizmin karakteristik, Rama ngacmoi dikur Baton Haxhiun, i cili në fillimet e LSI-së kishte qenë një këshilltar imazhi për Metën. Meta, pasi edukoi veten që të hiqte nga fjalitë e veta kadencat e shumta me “ë” në fund, mori nga Haxhiu edhe këshillën për mënyrën sesi duhet të qëndronte në publik, sesi të mbante kokën etj.. Rama pra e ngacmoi një çikë Haxhiun duke e pyetur: Po kurs vizatimi kush do t’i bëjë Ilirit?
Pyetje që thuhet se kur e mori vesh Meta e bëri që instinktivisht të shikonte duart duke lëvizur para syve. Vazhda e paranojës arriti kulmin me Nismën e Berlinit dhe ndihmën e Vuçiç për Ramën i cili si me shaka thoshte se “Rama është lider i Ballkanit”. Kjo ishte tepër për Ilirin që për herë të parë në jetë e zuri sëkëlldia e madhe e mendimit se nuk ka asnjë talent në këtë botë. Ilir thuhet se bëri atë që di të bëjë më mirë: i kërkoi Berishës ndihmë. Nëse kthehemi në kohë, mund të kujtojmë se Berisha që nga përmirësimi i raporteve me Metën nuk e ka ndarë akuzën “piktor i dështuar”. Ai arriti deri aty sa të krahasonte Ramën me Çiljetën, artisten e suksesshme. Meta vetë kërkoi t’i gjenin një historian që t’i shpjegonte për ndonjë problem në këtë nismë të Ramës. Ndihma erdhi andej nga nuk pritej. Nga Koço Kokëdhima. Prishja e tij me Ramën solli afrimin me Metën, ndaj të cilit në shenjë afrimi i trego skicën origjinale të vizatimit të Ramës. Metës i kishin thënë se stratiotët përfaqësojnë ekspansionin ushtarak shqiptar dhe se inkuadrimi i simboleve të tyre në heraldikën ushatarake perëndimore nuk do pritet mirë nga serbët.
Nuk ka nevojë pra të shpjegohet se përse erdhëm tek incidenti i trenit serb në Mitrovicë, mbushur qëllimisht me simbole kishtare ortodokse. Ai ishte një mesazh i pastër për Ramën dhe miqtë e tij në Perëndim, një jo e prerë për atë që po kurdiste Artisti i Tiranës. I cili nga ana e vet u gjen në rrethim dhe nuk i mbeti tjetër veçse të shpikte teorinë e ndikimit rus në Ballkan.
Asgjë nuk duket siç është në të vërtetë. Kjo është maksimë për politikën dhe thuhet se pasi loja u ristabilizua, Meta i lehtësuar i rrëfeu Lorenc Vangjelit se “Rama më ka mësuar që ta lexoj kur thotë budallallëqe. Kujt ia priste mendja se pas ëndrrës me rrobaqepës fshihej kjo gjë?”.
Qysh nga ajo kohë në mjediset e LSI-së Ramën e quajnë Marigoja, nisur nga qëndistarja e flamurit të pavarësisë. Vetëm se atë nuk e beson njeri, njësoj sikundër kjo histori absurde na mëson se pas naivitetit origjinal të Fate Velaj bubullijnë ide që të bëjnë gjëmën. Njësoj sikundër kuptohet se lidershipi i vërtetë i Edi Ramës është të zhurmojë dynjanë pa bërë në fakt realisht ASGJË.
I shkroi ashtu siç i dëgjoi
Shaptilografisti
Add new comment