Do kërkohet diçka më shumë sesa protesta
Ilir Meta e ka braktisur sot ministrin e Drejtësisë të sapo shkarkuar Ylli Manjani. Ai i ka cilësuar shashka akuzat e Manjanit, duke dashur kështu të ftohë situatën e ndezur në koalicionin qeverisës që është në krizë permanente. Por kreu i LSI-së ka bërë edhe këtë vërejtje, në kontekstin e deklaratës se “arresimin e Balilit ma kërkuan në Departamentin Amerikan të Shtetit”.
“Policia dhe shërbimet sekrete nuk dua të shohim më policë duke korrur kanabis. Të gjithë institucionet të përfshihen për të parandaluar grupet kriminale për të sjellë farat e kanabisit. Aq më tepër që ky është një sezon që përkon me fushatën elektorale. Shteti duhet të tregojë forcën, dhe të bëjë këtë gjë, dhe të lërë deklaratat në televizione. Nuk duhet të vazhdohet me dënimin e hallexhinjve që punojnë në arat e kanabisit, por ata që e kontrollojnë këtë gjë. Mos të lejohet më kultivimi i kanabisit në vend”.
Kur thuhet që sezoni i hashashit përkon me zgjedhjet në fakt aludohet se blerja e votës është problem serioz. Dhe blerja e votës ecën dora dorës me përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje. Pra edhe nëse Meta e ka lënë Manjanin vetëm në akuzat e tij, nuk ka munguar t’I bëjë jehonë shqetësimit se zgjedhjet janë në rrezik. Dhe ky mesazh vjen nga një njeri që me sa dimë nuk ka nevojë për analiza, të paktën në sytë e inteligjentit Piro Lutaj që kërkon recetën për deputetët.
Po sot, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se duhen nisur protestat, pasi opozita nuk mori dot garancitë e votimit elektronik. Opozita me sa duket nuk ka besim as te fitorja, por as te fakti se integriteti i zgjedhjeve është i garantuar. Në këtë kuptim, PD-së i mbetet vetëm një detyrë: të nënshkruajë një memorandum apo një dokument me të gjitha partitë, parlamentare ose jo, që besojnë se zgjedhjet janë në rrezik dhe se ato angazhohen që për integritetin e tyre do të kenë angazhim politik të përbashkët. Kjo do të ishte një aleancë që nuk predikon një lexim subjektiv të realitetit, por niset nga të dhënat reale, nga përparimi i krimit dhe nga deklarimet të vetë koalicionit për depërtimin e parave të krimit në zgjedhje. Përndryshe është e qartë se PD-ja në derexhenë ku është katandisur nuk i mbron dot votat e veta. Nëse flet për përballje me krimin, protestat nuk mjaftojnë. Opozita duhet të jetë e përgatitur për më shumë sesa thjesht protesta. Është inkriminimi i koalicionit qeverisës që ka likujduar qysh tani besimin te vota.
Add new comment