Ndërmjet Cezanne-s, Braque-s dhe Matisse-s
Ndikimi i Paul Cezanne, pak edhe George Braque, herë pas here edhe të Henri Matisse-s, ndriçuan në formimin e piktorit nga Shqipëria Alush Shima, i cili ditë më parë hapi ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Tek Cezanne, piktori Shima huazon formën, ngjyrën, herë pas herë dritën, poashtu edhe kompozicionin, qëndrueshmërinë e formës, ndërsa perspektivën e nxjerrë nga rregulli i imponuar. Natyrat e qeta të Shimës janë postimpresioniste, dikund edhe impresive identike me ato të piktorit të famshëm Cezanne i cili pikturonte mollët, të njëjtat Shima i aranzhon (ngjyrë, linjë), vetëm se heq një numër të konsiderueshëm mollash që i gjejmë te Cezanne. Mollën, kur e pikturon artisti Shqiptar, së pari e koncepton si topth (identike me të Cezanne), ndërsa vazoja, qëndron si cilindër dhe si kon. Arrihet një gjeometri e mirëfilltë matematikore. Mbulesa e bardh, e cila qëndron pothuajse në çdo tavolinë (fjala për natyrat e qeta të Shimës), është e ndrydhur, me ngjyrë neutrale (të bardh), herë e shtrirë deri në dysheme, përfaqëson ndikimin e thellë të Cezanne-s. Artisti në këtë rast duhet të ketë aranzhim të tijin të veçantë. Vërejmë një shkallëzim tonal të ngjyrave të ngrohta dhe atyre të ftohta, dikund deri në dikotomi kontrasteve në orvatje të spikatjes së ritmit kompozicional. Hapësira e kanavacës ku janë të vendosura natyrat e qeta, përveç që i shohim, Shima tenton ti jetësoj, ti ndjejmë ato, të jenë të arsyeshme për vendosmërinë dhe pozitave. Mollët në kanavacat e Cezanne duken më të gjalla, dhe ngjyrat janë të përziera me nuanca tejet natyrale. Kurse te Shima, ngjyrat na vijnë herë origjinale të pa prekura nga paleta dhe janë më të ëmbla. Natyrat e qeta ndeshën edhe me eksterierin.
Koloriti është i çiltër
Veprat e Shimës e arrijnë poetikën, subtilen dhe e veçanta është drita e cila i bënë të gjalla figurat. Peneli nga gjurmët e lëna në kanavacë përpiqet të jetë spontanë, por është i zhdërvjelltë çliron dritën dhe hijen, ndërton kontraste duke krijuar nuanca të ëmbla. Koloriti është i çiltër veçanërisht tek motivet e frutave, porse tek disa fruta vërejmë sforcim të koloritit, me dozë fluditit të primesavve të ngjyrave lazure dhe i tëri përpiqet të begatohet me implikimin e dritës dhe sforcimin e formës dhe kjo përveç që na kujton Cezanne-n, poashtu na përkujton shumë piktorë postimpresionistë. Tek Shima shohë vetëm lulen, kurse tek Cezanne, shohë lulen edhe rrënjën. Më e rëndësishme është rruga deri tek rrënja sepse aty vjen lulja pra jeta.
Pas ciklit të natyrave të qeta spikasim kompozimet e portreteve të ngjashme të fovistit Henri Matisse i cili gjatë punës veçonte vëllimin, arabeskën, kontrastet dhe harmoninë. Matisse e harroj zanatin e mjeshtërve nga historia e artit, kurse Shima u zhyt thellë tek kanavacat e këtij mjeshtri fovist, duke ngjarë me portrete. Pjesa e kokës, sytë, vështrimi, pozita e trupit, mbajtja e duarve, skica ose vizatimi që ishte poashtu i rëndësishëm për Matisse-n, e gjejmë të plasuar edhe te Shima. Portretet gjenerojnë në dritë, përmbajnë ndjeshmërinë lineare, dritën dhe diferencën tonale. Mirëpo, janë pak më të ashpra se linjat e thjeshta të penës. Edhe kostumet e portreteve janë po aq identike të Matisse-s, duke ditur kohën në të cilën jetoj mjeshtri. Artisti duhet të jetë në proporcion me kohën në të cilën jeton, ndonëse edhe i kufizuar nga koha dhe vendi. Artisti në këtë radhë merr shumë nga mjeshtrit e mëdhenj dhe jo më kot shkruan Picasso: “Artistët e mirë kopjojnë, të mëdhenjtë vjedhin”. E vërtetë që arti i kthehet historisë, por piktori duhet të krijoj stil, por prapë stili është në lidhje me natyrën dhe historinë, sepse është prani e imponuar. Tek krijuesi Shima nuk gjejmë pajtim të së veçantës ose universalen, për të cilën shumë filozof pohonin. Kemi ripërtëritje të mjeshtërve të mëdhenj.
Punimi është gjithnjë i zbukuruar dhe kjo nuk nënkupton ngarkesën, të njëjtën gjë që e orkestroi edhe Matisse. “Kur janë në vendin e tyre ato sugjerojnë formën dhe aksentët tonale të nevojshme në kompozimin e vizatimit”, shkruante Matisse. Mirëpo, tek Shima ato qetësisht ringjallen nga mjeshtrit e dikurshëm dhe kompozohen. Të analizojmë pozat e portreteve tek Shima, pushojnë qetësisht, duken sikur kanë zënë pozitën që i përshtatet më së shumti, pushojnë së çliruari, pastaj artisti bëhet skllav i pozës së modelit. Të njëjtën e gjejmë tek portrete e Matisse-s. Në portrete mungojnë, gjysmëtonet, linjat e kryqëzuara, hijet, vërejmë një modulim të linjës, paksa të trashë, këtë e vërejmë edhe tek Rembrandt-i.
Trikotomia: ngjyrë formë dhe linjë
Ngjashmëria me piktorin George Braque qëndron tek kundrimi i peizazhit, vetëm se peizazhet e Braque-s qenë të paprovuara nga askush të ndriçuara nga arsyet poetike, dhe vetë Braque ka thënë: “Vazoja i jep formën boshllëkut”. Vazot qenë të orvatur në telajot e Shimës, poashtu në planë të parë. Peizazhi është i pikturuar në ngjashmëri me Braque, me kolorit intensiv, me thyerje të formave kompozicionale si në aspektin analitik, po ashtu sintetik të një kubizmi drejt ngjyrave neutrale, poashtu edhe jeshile në të mbylltë, herë edhe floreciente. Ky element thekson, dinamizon trajtime foviste, kubiste, në kërkim të një fryme moderniste, dhe pak spikat rrugëtimin drejt një qasje të stilit vetanak (të krijuar.) Te peizazhi kemi një trikotomi: ngjyrë, formë dhe linjë me tendencë të shpalosjes së një bote personale artistike.
Ngjashmëritë me Braquen: pemët, fletët, rrugicat, gjinkallat, dheu, trajtat e largëta në horizont. Ngjyrat janë intensive të pastra. Qielli në sfond ka një të kaltër të ftohtë, të pastër, pemët me degë të holla, në lëvizje, në harmoni kompozicionale, rrugët me dhe ngjyrë të verdhë, me dritë dhe hije, theksime deformuese të imazheve moderniste (kuptohet në kohën e Braques.) Këtu veçojmë ngjyrën dhe formën.
Kjo ekspozitë lirisht mund të trajtohet si ndikim i madh nga Cezanne, Braque dhe Matisse. Unë në ekspozitë pres thyerje të miteve, shablloneve historike, krijimi, prurje të reja artistike të cilat e vënë në sprovë edhe realitetin, porse realiteti është më i madh se arti. Ajo çfarë mund të shohim në këtë ekspozitë, mund të gjejmë me një të klikuar në “google”, vetëm të shkruhen tre emrat e piktorëve më sipër. Do dëshiroja që hapësirat e Galerive të jenë për veprat e mëdha veçanërisht për ata artistë të cilët japin përshtypje se fiksioni po bëhet realitet, apo personazhet e artistëve të duken sikur janë në lëvizje, në proporcion me kohën, shpesh të bëjnë edhe parashikime, të jenë rregullator të vërtetë të realitetit, që edhe pas vdekjes të meditohet për artin e tyre dhe gjithmonë të jetë me debat dhe pyetje. Nuk jam kundër këtij lloj arti, jam kundër ndikimit, marrjes së ideve, ngjashmërisë dhe arti i pikturës mund të përfaqësohet me shprehje të thella vetanake origjinale, duhet t’i iket historisë së artit, të zhytemi në historinë e çastit. Arti jep vizionin për vetveten dhe shtetin.
Add new comment