Hakmarrja paranojake e Enver Hoxhës ndaj femrave

Postuar në 16 Janar, 2017 11:20
Agron Tufa*

Krimet e komunizmit në Shqipëri përbëjnë një kapitull të pahapur, ndonëse për to është folur në 25 vjet pas rënies së diktaturës, kryesisht nëpërmjet kujtimeve fragmentare të atyre që kanë mbijetuar nga pesha e dhunës. Është folur në mediume të ndryshme në mënyra të ndryshme, me tone minimizuese e përkeqësuese, por gjithmonë, duke ndjekur sipërfaqen e sheshtë të gazetave dhe ekraneve, derisa perceptimi për komunizmin si e keqe njerëzore, shoqërore e kombëtare është reduktuar në një lloj ekzotike, pa e patur konkretësinë e duhur e as koordinatën e saktë. Me përballjen e përvojës sonë nën diktaturën komuniste, si një shumë e hidhur e së Keqes, nuk ka pasur as strategji, as vullnet e as një marrëveshje shoqërore. Rëndom, sa herë flitet për aspekte të caktuara të persekutimit komunist në media, problemit i bihet nga dera e pasme. Ndërkohë pritej që të përballeshim ndryshe, ndershmërisht, të përcaktonim e të zbardhnim gjeografinë e krimit, për të kuptuar përmasat e gjithanshme të maskrës, rrënimit e tjetërsimit, thyerjen e madhe e të pariparueshme që ka ndodhur në kodin e brendshëm të nderit e dinjitetit njerëzor.

Saga e pikëllueshme e familjes së Aldo Terruzit është një apel për të medituar mbi fatin e qytetarëve të huaj, shpesh tepër dashamirës ndaj popullit tonë, që e patën njehsuar fatin e tyre dhe të familjeve të tyre me fatin e shoqërisë shqiptare, të cilës iu bashkangjitën dhe u munduan të kontribuojnë në gjirin e saj me përkushtim e sinqeritet. Ne edhe sot nuk jemi ende të vetëdijshëm për kontributin e madh, për dëshirën dhe dashurinë e këtyre të huajve, që dhanë gjithçka të mirë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Tragjeditë e tyre na rëndojnë veçanërisht dhe na bëjnë të ndjejmë turp si shqiptarë, sepse pushteti komunist u soll me ta me të njëjtin absurditet, me të njëjtën egërsi e pabesi, njëlloj si me shtetasit shqiptarë.
Nëse mund të flasim me siguri për episode të pafundme të pabesisë dhe tradhtisë së pushtetit komunist ndaj shtetasve të tij, faktet na detyrojnë të konstatojmë se të njëjtën praktikë ka ndjekur diktatura edhe për shtetasit e huaj. Verbëria dhe fanatizmi internacionalist i komunistëve shqiptarë nuk i kurseu as të parët, as të dytët. Ndërsa për të parët, shtetasit shqiptarë, deri diku mund të kyçemi në një logjikë, gjithsesi të egër e të papranueshme, për shtetasit e huaj kjo egërsi e pabesi ishte jashtë çdo pritshmërie morale, një akt i turpshëm e fyes i përfytyrimeve tradicionale për paprekshmërinë e mikut.

Praktika komuniste e dhunoi dhe në këtë pikë konstitucionin moral të shqiptarëve, duke i përfshirë pa dallim edhe ata brenda makinës grirëse të luftës së klasave, spiunazhit dhe sabotatorëve. Prandaj strategjia komuniste e hekatombës me të huajt rezulton një tjetër poshtërim që i bëhej nderit dhe etikës tradicionale shqiptare. Dhe të mendosh, se vetëm një vit para instalimit të diktaturës së Enver Hoxhës, këto virtyte tradicionale shqiptare kishin shënuar aktin unikal e të vetëm njerëzor në mbarë Europën e pështjellë me muzikën funebre të përcjelljes së hebrenjve në krematoriume dhe dhomat naziste të gazit! Është po ky popull që dha shembullin e vetëm të mbrojtjes, fshehjes dhe shpëtimit të të gjithë hebrenjve të vet e të huaj, që erdhën në Shqipëri dhe është po ky popull, i cili pas një viti, nën thundrën e shtypjes gjakatare komuniste, jo vetëm nuk mundi të mbrojë asnjë të huaj, por as bijtë e vet.

Është për të ardhur keq, që deri më sot nuk ekzistojnë statistika për numrin e të huajve që iu nënshtruan kalvarit të burgjeve, pushkatimeve, internimeve dhe formave të tjera të represionit. Megjithatë, nga disa lista të burgosurish dhe dënimesh, shihet se ky numër është shumë i madh. Ai fillon që me instalimin e pushtetit në vitin 1945 me gjyqe të montuara trashë dhe arrin kulmin me arrestimet dhe dënimet masive pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në. Në rastin më të fundit, çnderimi i psikologjisë dhe etikës shqiptare mori formën më të neveritshme me arrestimin e grave të huaja, duke shënuar tragjedi të thekshme njerëzore familjare.

Për logjikën e egër dhe primitive komuniste nuk ekzistonte asnjë lloj diferencimi shoqëror, profesional apo gjinor. Shefat e hetuesisë, siç dalin nga dëshmitë, urdhërat dhe botimet e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përveç torturave dhe shantazhit mbi femrat, kanë kryer aktet më të turpshme e më mizore që fyen çdo shqiptar normal, siç është përdhunimi i planifikuar i tyre, si masë e thyerjes dërrmuese të çdo rezistence. Për këto aspekte të turpshme duhet folur haptazi, konkretisht dhe me fakte, nëse duhet të distancohemi nga krime të tilla që na rëndojnë në ndërgjegje.
Gjithkujt që ka lexuar memuaret e shkrimtarit Petro Marko “Retë dhe gurët”, i kujtohet episodi mizor i vrasjes së gjeologut gjenial polak Stanislav Zuber. Petro Marko rrëfen me detaje të imëta, direkt nga qelia ku qëndron i varur krahësh, se si dha shpirt shkencëtari i madh me famë botërore nën shqelmat e tërbuara të torturonjësve të tij.

Klika banditeske e dhunës shtetërore nuk njohu as cak, as normë. Dhe sjellja makabre ndaj të huajve, gjetja e eshtrave të tyre, ndriçimi i historive të tyre personale, është një detyrë që na takon ta përmbushim sot, për të nderuar kujtimin e tyre si viktimat më të pafajshme të diktaturës dhe nëpërmjet këtij akti, të shprehim ngushëllimin për ta, sikundërse edhe divorcin e pamëdyshtë me krimet e diktaturës, të cilat, sigurisht, s’kanë aspak lidhje me përfaqësimin e moralit dhe etikës sonë njerëzore.

Hakmarrja paranojake e Enver Hoxhës  ndaj femrave

Libri memuaristik “Brenga ime shqiptare” i inxhinierit italian Aldo Renato Terruzi është një ndër librat e shumtë të memuareve, përsiatjeve, refleksioneve, ditarëve dhe epistolarëve që ngërthejnë kujtesën e përjetimeve të trishta e tragjike që përjetuan qytetarët shqiptarë e të huaj në burgjet, kampet e internimit, format e dëbimit dhe persekutimeve të ndryshme përgjatë gjithë diktaturës së regjimit totalitar komunist nga viti 1944 deri në rënien e saj, me 1991. Rrëfimi është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe nga ana kompozicionale është ndërtuar mbi përvojën e udhëtimit Itali-Shqipëri të dy protagonistëve të rrëfimit, Aldos (autor i rrëfimit) dhe dajës së tij, Xhakomos, ish-portierit të famshëm të Kombëtares shqiptare të futbollit të vitit 1946, vit kur ky ekip kombëtar fitoi kupën e kampionatit ballkanik. Rrëfimi i z. Terruzi nuk është në stilin e njohur të zhanreve të udhëtimit, me qëllim përshkrimi të vendeve të panjohura. Të dy udhëtarët rikthehen pas 44 viteve në Shqipëri, në atë vend ku familja Terruzi kishte përjetuar sukseset nëpërmjet një pune këmbëngulëse e të ndershme, gëzimet familjare dhe respektin e dashurinë e vendasve për kontributin e tyre në këtë shoqëri. Udhëtimi është i mbushur kryesisht e paralelisht me rrëfimet e Xhakomos mbi sagën ballkanike të familjes së tij, deri në vendosjen e tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Së këndejmi, ai është një udhëtim introspektiv, që gërmon mbi të shkuarën dhe identitetin e familjes së autorit deri në momentin kur fillon tragjedia. Zhvillimet politike me kontekstet e paparashikuara të Luftës së Dytë Botërore nuk e lëkundën këtë familje italiane, që shikonte punën e vet dhe harmoninë me vendasit. Në fakt, tragjedia zë fill me ardhjen e komunistëve të Enver Hoxhës në pushtet, me karakterin inatçor të diktatorit. Gjatë rrëfimit ne njihemi hollësisht me një fakt të diktatorit: adhurimin e tij për Aurelian, të ëmën e Aldos, e cila asokohe, në moshën 16 vjeçare, ishte një ndër bukuroshet më të spikatura të Gjirokastrës. Në kohë e forma të ndryshme, diktatori i kërkon dashurinë me këmbëngulje Aurelias së bukur, por merr në të gjitha rastet refuzim të prerë. Autori beson, dhe jo pa arsye, se arrestimi i të atit, Xhuzepes, ka qenë një hakmarrje personale e Hoxhës, për refuzimin e vazhdueshëm që kishte marrë nga ish e adhuruara, Aurelia, tashmë bashkëshorte e drejtorit të Bankës së Vlorës. Në fakt, nëse shqyrtohen rrethanat e jetës personale të diktatorëve, episode të tilla të ngjashme përbëjnë një sfond të pasur psikologjik, që shpjegojnë nga pikëpamja psiko-analitike mllefin dhe mizorinë shpaguese, aq më tepër po të kemi parasysh se Enver Hoxha të njëjtën egërsi si me Aurelian, në mos më fort, ka shfaqur edhe ndaj femrave të tjera të lavdishme që e kanë përbuzur dhe refuzuar. Mjafton të bashkangjisim këtu rastet e mirënjohura të shkrimtares Musine Kokalari dhe shkencëtares Sabiha Kasimati, ku njëra u dënua dhe i ngrysi ditët në internim, ndërsa tjetra u pushkatua pa gjyq në shkurtin e vitit 1951. Pa u zgjatur më në këtë patologji paranojake, shënojmë shkarazi se në ndryshim nga njerëzit me drejtpeshim të shëndetit mendor, që nuk e asgjësojnë objektin e dashurisë, hakmarrësi primitiv Enver Hoxha i likuidoi të gjitha femrat që kishin qenë objekte të adhurimit dashuror.
Aurelias i ra për hise gjymtimi i familjes, si fillim. Ndryshe nga qytetarët e burgosur italianë, të vetmin, bashkëshortin e saj, Xhuzepen, nuk e liruan, derisa ai vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1952.

Një ndër pengjet dhe kryesisht qëllimi i udhëtimit të Aldo Renato Terruzit në Shqipëri, prej së cilës është larguar në moshën 4 vjeçare, është gjetja dhe kthimi në atdhe, pranë familjes, i eshtrave të të atit. Ai viziton burgun e Burrelit, ku bashkëvuajtës të të atit, Petrit Velaj dhe Engjëll Kokoshi (i cili e shoqëron), ia kanë përshkruar rrethanat e vdekjes së tij dhe vendin e varrimit ndanë qershizës së burgut, të njohur prej sa e sa rrëfimesh. Le të citojmë këtu një fragment nga biseda me Engjëll Kokoshin, për mënyrën se si i varrosnin të vdekurit në burgun e Burrelit: “Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” – “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mesvedi xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.

Pengjet e të gjallëve

Që nga viti 1993, qytetari italian Aldo Renato Terruzi, i lindur në Shqipëri, rikthehet herë pas here në “atdheun e tij të dytë”, me të cilin e mban të lidhur një peng që e ka munduar dhe e mundon gjatë gjithë jetës: gjetja e eshtrave të të atit. Këtu ka miq që e duan, e presin, e vlerësojnë, por për gjënë më të çmueshmë, më të shtrenjtë, me themelore në jetën e tij – gjetjen e eshtrave të babait, të vdekur në burgun komunist të Burrelit – askush deri më tash nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë. E trishtueshme është se vendi, sipas kujtesës së bashkëvuajtësve të të atit, është, në njëfarë mënyre i përcaktuar. Megjithatë, koha që ka kaluar i ka fshirë shenjat: qershiza si pikë referimi nuk është më. Gërmimet që janë bërë, kanë dalë pa rezultat. Qarkullojnë fjalë sikur dikur, aty ku janë varrosur të vdekurit në burg, kanë futur një ekskavator që ka rrafshuar a zhvendosur gjithçka. Ka të tjerë që thonë se gërmimet duhen bërë në një tjetër krah të territorit të brendshëm a të jashtëm të burgut. Në përgjithësi, gjetja e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura apo të të dënuarve që vdiqën në burgjet e saj, është një problem ende i pazgjidhur.
Ai përbën, si gjatë, si pas rënies së diktaturës, pengun më torturues të të gjallëve, të cilët, pa asnjë shenjë, pas asnjë varr simbolik, janë privuar edhe nga ceremonia e thjeshtë e vendosjes së një qiriu të ndezur apo e një tufe lulesh mbi varret e të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhunshëm nga gjiri i familjes. Me këtë peng rron sot edhe Aldo Renato Terruzi. Shteti diktatorial nuk ka lënë as shenja, as lista, as procesverbale. Së paku arkivat për këto raste, deri më tash, janë memece. Është e habitshme që instrumentat e kontrollit të diktaturës kanë qenë në mënyrën më cinike përllogaritës në çdo gjë; mund të gjesh procesverbale për humbjen apo dëmtimin edhe të sendeve të vockla, çikërrimave, deri edhe tek dëmtimi i parcelave nga bagëtitë… por është e habitshme se si nuk është lënë asnjë copë pusullë për pushkatimin e njerëzve!

Megjithatë, në rastin konkret, do të kishte qenë e mundur të bëhej maksimumi, duke kërkuar e gërmuar, pa përjashtim, çdo centimetër të territorit.
Ekziston një strukturë shtetërore që quhet task force, e cila, me sa di unë, ka një fond buxhetor për kërkimet dhe ekzguminimin e të pushkatuarve. Do të kishte qenë e drejtë, që qeveritë e Shqipërisë ta merrnin seriozisht këtë mision moral e paqtues, të gjetjes dhe identifikimit të eshtrave për ato viktima të pafajshme, që diktatura komuniste përveçse i vrau, i la dhe pa varr, duke u lënë një brengë të pashlyeshme në shpirt mijëra familjeve shqiptare dhe të huaja.
Gjithçka kërkon prej nesh sot qytetari italian Aldo Renato Terruzi, mik i yni, është një varr për Xhuzepe Terruzin, që e la të birin në moshë të miturisë me kujtesën e fundit të episodeve të komunikimit mes tyre përmes katrorëve të hekurave të burgut. Është një brengë që e shoqëron përherë në udhëtimet e tij nga Roma në Shqipëri. Është një brengë e pangushëllim, por edhe shpresa se ndoshta një ditë eshtrat e të atit do të gjenden dhe i biri do të lehtësohet, duke i patur ato në varret a urnën familjare, përbri të cilëve, herët a vonë, do të shtrihet gjithkush prej nesh, në paqen e përjetshme.

*Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

"Shqip"
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.