Meta del njëherë nga Kosova, dolën çështje me Serbinë për t'u zgjidhur
Teksa media pranë qeverisë ia njohu kryeminitrit Rama “suksesin” e marrëveshjes së faktorit politik shqiptar në Maqedoni, pa i lënë vend interpretimeve apo pikëpyetjeve mbi platformën magjike që bashkoi feudet e vjetra dhe të reja politike të shqiptarëve, pjesa tjetër e qeverisë në Tiranë ka aktivizuar diplomacinë paralele në një tjetër “çështje të nxehtë”. Kjo për të mos humbur garën e protagonizmit patriotik në çështje të karakterit kombëtar aq më tepër në një vit zgjedhor si ky i sivjetshmi.
Kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta ishte në Kosovë nga ku tha se do t’u përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për të tërhequr urdhër-arrestet politike ndaj ish- luftetarëve të UCK-së.
Fakti që Ilir Meta investohet personalisht në një çështje që implikon Serbinë nuk përbën ndonjë habi për vetë ndjeshmërinë që kanë këto marrëdhënie edhe në politikën atdhetare të LSI-së. Por ajo që bën qesharake qeverinë shqiptare është mënyra sesi ajo operon, jo për të zgjidhur ndonjë problem, por për të prezantuar para opinionit një axhendë që nuk është ajo që shitet në publik. Qeveria ku bën pjesë edhe zoti Meta e ka avancuar dialogun me Serbinë në nivelin më të lartë politik, atë mes dy kryeministrave dhe nga kjo perspektivë zgjidhja e çdo problemi nuk ka ku të ezaurohet më lart se kaq. Por Ilir Meta thotë se do bisedojë me homologen e tij serbe për ta zgjidhur këtë çështje.
Unë do t’i dërgoj një mesazh homologes sime serbe në këtë drejtim ashtu siç është e rëndësishme edhe kërkesa ndaj homologëve tanë në Francë dhe autoritetet shqiptare në nivele të ndryshme kanë vepruar menjëherë pasi menduam që këtij absurditeti t’i jepet fund. Veprime të tilla nuk i shërbejnë jo paqes, po as dialogut, stabilitetit dhe mirëkuptimit. Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, është qytetar i Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës, kryetar i një force mjaft të rëndësishme në Kosovë
Sipas këtij parashtrimi ose kredencialet e kryetarit të Parlamentit janë më të mëdha sesa ato të kryeministrit, ose vizitat e kryeministrit Rama në Beograd kanë qenë një vrimë në ujë dhe Ilir Meta po tenton një ndërhyrje nga krahët. Me gjasë të dyja opsionet bashkohen në një pikë, te vrima në ujë që udhëheqja politike e Tiranës ka bërë në raport me Serbinë dhe broçkullat që thuhen në konferenca shtypi për një faqe të re në marrëdhëniet me Beogradin.
Çështja Haradinaj vërteton atë që fshihej pas batutave dhe “snobizmit” provincial të kryeministrit Rama në konferencën me homologun Vuçiç. Vizitat dhe investimi i Edi Ramës për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë kanë dhënë zero rezultat. Kjo nuk është prova e vetme, por edhe bllokimi që Beogradi po i bën vënies në funksionim të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Pas këtij teatri a duhet të besojmë se vizita e Ilir Metës në selinë e AAK-së do të çojë përpara marrëdhëniet me Serbinë?
Add new comment