Arritje apo një “fitore publicitare” në Maqedoni?
Në Tiranë e përshëndetën thuajse të gjithë arritjen e marrëveshjes së partive shqiptare. Në këtë kuptim, Tirana zyrtare po ndërhyn hapur në politikën e brendshme të Maqedonisë, duke krijuar kushtet për tensione të së ardhmes, në një rajon ku koniunkturat ndryshojnë shumë shpejt. Nuk u pa e nuk u lexua gjëkundi asnjë analizë për pasojat dhe perspektivat që krijon kjo marrëveshje në kushtet kur ajo do të kërkohet që të miratohet në Kuvendin e këtij vendi siç po flitet këto orë. Në thelb marrëveshja imponon ndryshime kushtetuese të reja që aktualizohen jo si kërkesë parimore e palës shqiptare, por si moment oportunizmi në një shtet ku mosbesimi është normë. Këtu nis edhe përgjegjësia e Shqipërisë që fut duart në zhvillime të cilave u kishte qëndruar ftohtë për 2 vjet.
Analistët në Maqedoni janë qysh tani të ndarë në këtë pikë dhe ata janë të ndarë sipas pikëpamjeve që jo rastësisht përkojnë me etninë e tyre.
“Këtu do të jetë edhe beteja më e madhe që mospjesëmarrja në qeveri pa realizimin e këtyre premisave dhe mendoj se nuk mund të zgjidhet”, citon “zhurnal.mk” Jusuf Zenelin, profesor. Një tjetër zë publik, Osman Kadriu thotë se duhet imponuar vendosja e afateve për realizimin e marrëveshjes, diçka që nuk mund të bëhet pa votën e partive maqedonase.
E njëjta medie raporton se VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit po përgatitet të dalë në opozitë në kushtet kur siç citon ajo burimet, miratimi dhe negociimi i platformës së partive shqiptareë do të ishte tradhëti. Kështu një nga objektivat kryesore të investimit perëndimor në Maqedoni, largimi i Gruevskit, po shkon drejt realizimit. Natyrisht ky është një moment shumë i mirë për partitë shqiptare që të hedhin në tregun politik një platformë e cila tjetërson karakterin e shtetit.
“Hartimi i një dokumenti bashkë me Ramën e shkel sovranitetin e shtetit tonë dhe kjo është cështja kryesore. Më pastaj, pjesë më e madhe e platformës është kundër karakterit unitar të shtetit dhe synon federalizmin, si psh kërkesa për dy dygjuhësinë është një e tillë, nuk ka një shtet unitar ku funksion dygjuhësia, të tilla janë federatat dhe konfederatat. Njësoj është edhe kërkesën e konsezualitetit që është një tipar tjetër i federalizmit. Po ashtu edhe ndarja e buxhetit në baza etnike çon drejt federalizmit, koncept ky që do të shkonte në dëm të të gjithë qytetarëve”, citon “http://www.alsat-m.tv/” analistin Risto Nikovski, një ish - diplomat.
Dhe federalizimi faktik në Ballkan është provuar të jetë një eksperiment i dështuar dhe me pasoja. Të mos shkojmë larg, por të shohim atë që ndodh në Bosnje Hercegovinë, ku Republika Srpska kërkon referendumin e shkëputjes. Me federalizimin vjen natyrshëm dhe e drejta e shkëputjes, diçka që mandej luan një rol instrumental në shkatërrimin e çdo mundësie për bashkëjetesë. Në këtë kuadër, duke lexuar se demokratizimi i Maqedonisë nuk mund të tejkalojë mundësitë e shoqërisë, entiteteve të veta, duhet pranuar se ai është një proces gradual emancipimi që me këtë platformë merr goditje. Sepse as pala shqiptare dhe as ajo maqedonase nuk janë zviceranët e Ballkanit dhe nuk ka asnjë rast, përveç kapitullimit, kur dokumente që propozojnë vetëm një anë të realitetit të negociohen me sukses, apo të zbatohen. Maqedonia e tanishme është edhe ajo e Ali Ahmetit e Menduh Thaçit, nuk është vetëm e “autokratit Gruevksi” siç thonë në Tiranë.
Federalizimi i Maqedonisë është pra një propozim faktik që sponsorizohet nga Tirana zyrtare, e cila vetë nuk dihet se në cilin grazhd e kullot këtë politikë.
Pyetja që shtrohet është se a është gati faktori shqiptar që të menaxhojë dhe përballet me disintegrimin e Maqedonisë? Nëse i hedhim një sy dy shteteve shqiptare në Ballkan dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, shohim një establishment që është kampion i korrupsionit dhe kriminalitetit në Europë. Një establishment që nuk ka zgjidhur as kërkesat minimale për popullsinë e vet dhe meqë mund të përmendim simbolet, për Shqipërinë vlen ende ajo tallavaja patriotike e heqjes së portreteve dhe bustit të Skënderbeut, sa herë bujt ndonjë mik që nuk i duhet prishur terezia.
Lufta në Kosovë dhe në Maqedoni solli përmirësim të ndjeshëm të standarteve të lirisë dhe dinjitetit ndër shqiptarët, por ato prodhuan edhe klasa politike të kriminalizuara, të korruptuara të cilat kanë minuar perspektivën e popullsisë së tyre. Duke kthyer në normë hajdutërinë dhe feudalizimin e hapësirës publike. Kjo është arsyeja, kjo blerje e madhe e mendimit, konvertimi i tij në atribut vetëm i pushteti që shoqërohet nga demkat e pafund të kalemxhinjve, që nuk po krijon asnjë shans për debat mbi këtë që po ndodh. Aktualisht po dallohen “fitimtarët”, që me siguri kanë me vete edhe yjet, por fitoret e lehta dhe publicitare, nuk janë të mira për askënd. Fitore që e kthejnë brenda natës Ali Ahmetin në patriot e të mençur, po ashtu Menduh Thaçin e të tjrë. Vetëm pse dikush i mblodhi në Tiranë. Njësoj si marrëveshja e 1 prillit që e gdhiu Shqipërinë me një Ilir Meta çelës të së ardhmes europiane.
Comments
Po sikur partite sllave te
Po sikur partite sllave te FYROM te lene menjane platformat e tyre dhe te bashkohen per te ndare pushtetin me njera tjetren e per ti lene edhe nje here shqiptaret me gisht ne goje, eshte hipoteze e pabaze?
Add new comment