Akuza: Mbi mediat online vepron lobi rus në Shqipëri

Postuar në 28 Nëntor, 2016 10:16

Shaban Murati, ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe një bashkëpunëtor i rregullt i “Gazeta Shqiptare” për çështjet e rajonit të Ballkanit, shkruan sot për atë që e cilëson si ndikim i lobit rus në jetën mediatike dhe politike në vendin tonë. Ai i referohet heshtjes që pasoi në median shqip ndaj miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian për rrezikun e luftës hibride, term që adreson praktikat komplekse ushtarako-politike dhe mediatike që i atribuohen Rusisë së Vladimir Putinit që nga konflikti i Ukrainës.

“Nëse do të pyetesha përse gjithë kjo heshtje në politikën dhe në mediat e Tiranës për rezolutën alarmante të Parlamentit Europian mbi rrezikun e luftës hibride dhe informative të Rusisë kundër BE dhe Europës, të miratuar në 23 nëntor, përgjigja ime do të ishte “ndikimi i lobit rus në Shqipëri”. Sepse mediat dhe portalet shqiptare, që kanë dy vjet që glorifikojnë Rusinë dhe Putinin çdo ditë, nuk gjetën asnjë hapësirë për të dhënë të paktën lajmin se Parlamenti Europian datën 23 nëntor miratoi rezolutën “Komunikimi Strategjik i BE për të kundër balancuar propagandën anti-BE nga palë të treta”. Shqipëria është shtet kandidat i BE, i cili ka marrë edhe rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, dhe padyshim është i lidhur dhe duhet të jetë i interesuar për çdo akt politik dhe legjislativ, që ndërmerr Parlamenti Europian, dhe që ka të bëjë me interesat dhe vlerat themelore demokratike të BE, ku Shqipëria do të bëhet anëtare”, shkruan Murati.

Si një publicist që i ka mëshuar përherë rrezikut rus për botën shqiptare, Murati rikonfirmon edhe në këtë shkrim të njëjtin shqetësim. Kësaj radhe rreziku zhvendoset te mediat, ato online, pasi politika zyrtare shqiptare ka kaluar në një fazë partizane me pjesëmarrjen në operacionet në Egje dhe kalimin e ligjeve që lejojnë transferimin e komandës ushtarake dhe pjesëmarrjen eventuale në ndonjë konflikt në Balltik. Ky këshillim kritik që vjen nga ish-diplomati, që për disa kohë ka qenë edhe këshilltar i ministrit të Jashtëm Bushati, apelon për unifikim qëndrimesh edhe nga mediat, diçka që është e panatyrshme për sistemin ku jetojmë. Roli i Rusisë në ushtrimin e ndikimeve jokonvencionale në një rajon si Ballkani është mitizuar shumë nga mediat perëndimore. Askush deri më sot nuk ka qenë në gjendje të identifikojë më shumë sesa dy ente që akuzohen se luajnë simfoninë e dizinformimit – Sputini dhe Russia Today – të cilëve bashkë me “ushtrinë fantazëm të trollëve të paguar të Putinit”, paskan vënë përpara miliona njerëz. Nga kjo pikëpamje akuza që ndërtohet këtu tradhëton një dobësi serioze që Perëndimi dhe sidomos BE po shfaq në raport me zgjerimin dhe optimizmin që duhet të injektonte. Është një boshllëk që mbushet natyrshëm nga forca të tjera por kjo nuk ka pse të lidhet ekskluzivisht me djallëzitë e strukturuara të Putinit duke lënë mënjënë një histori 25 vjeçare hajdutërie e korrupsioni nga klasa politike që sponsorizohen e legjitimohen nga Perëndimi.

Murati ecën më tej kur ngre një hipotezë se Rusia mund të luajë fijet edhe në procesin zgjedhor.

“Kur Moska ka shtrirë ambicien e kontrollit dhe të ndërhyrjes së saj në deformimin apo devijimin e proceseve elektorale në shtete të paprekshme si SHBA dhe Britania e Madhe, çfarë do të mund të mendohet për ndërhyrjen ruse në shtete si Bullgaria apo Moldavia, Mali i Zi apo Shqipëria…Është një situatë emergjente politike dhe psikologjike, në të cilën institucionet dhe instinktet e mbrojtjes kombëtare duhet të zgjohen për profilaksinë e ekzistencës dhe të sovranitetit kombëtar. Rezoluta e Parlamentit Europian ngre një shqetësim real dhe e prish qetësinë e depërtimit dhe të diversionit të Rusisë në drejtim të Europës. Ajo prish rehatinë e forcave politike pro ruse të majta dhe të djathta, prish rehatinë e shoqatave joqeveritare fitimprurëse dhe të instituteve e fondacioneve, që financohen nga Moska, prish rehatinë e subversionit rus në vendet europiane dhe ngre alarmin për agresionin e butë rus në drejtim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve europiane”, shkruan diplomati në fjalë.

Një paragraf i ekzagjeruar pasi e shumta këtu mund të hamendësohet është një riorientim i drejtimeve strategjike të shqiptarëve, por jo ekzistenca e tyre kombëtare. Dhe më tej: drejt kujt adrese mundet që Rusia të devijojë procesin zgjedhor në Shqipëri? Aktorët politikë që janë në lojë në Tiranë janë ata që i kanë thënë lepe peqe Perëndimt për 25 vite, që i ndajnë vendimet e tyre me selitë diplomatike përpara se t’i ndajnë me shoqërinë që e voton.

Shkrimi i Muratit: http://www.balkanweb.com/site/e-degjuan-ne-tirane-alarmin-rus-te-parlame...

Comments

Submitted by Thanas Mustaqi (not verified) on

Shqetësimi i gazetarit dhe diplomatit të nderuar Shaban Murati është real.
Por shkrimit i mungojnë emrat e politikanëve dhe mediave e portaleve.
Murati i di emrat, por nuk dihet pse nuk i bën publikë.
Mendoj se shkrime të tilla, edhe kur nisen nga diçka reale, kthehen thjesht në bomba tymëse sa për të mbushur faqe gazete apo shkurtime “scoop”-esh si ushqim për portalet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.