Ligji për mbrojtjen në kuadër të NATO-s, pse nuk diskutoi PD-ja?

Postuar në 25 Nëntor, 2016 11:42
Zamir Alushi

Pse u largua opozita këtë të enjte nga salla e parlamentit? Për dekretin e plehrave që nuk u votua në parlament? Për ofendimet e Taulant Ballës? Duken arsye që nuk e justifikojnë largimin. PD ndoshta nuk donte as të diskutonte as të votonte një ligj të rëndësishëm mbi ushtrinë. Duke parë se si miratohen në parlament pa diskutim apo kundërshtime ndryshimet në ligjin për kalimin e forcave të huaja ushtarake, duken qesharake ankesat e politikës për shkelje të sovranitetetit nga paketa e ligjeve për Vetting-un në Drejtësi. Atëherë opozita bëri  çfarë mundej, sepse cenohej drejtpërsëdrejti, personalisht.

Në këtë ligj, për të cilin opozita nuk qëndroi në parlament, sanksionohet e drejta e kalimit të pjesshëm të komandës së ushtrisë në Shqipëri apo jashtë saj tek ushtritë e huaja aleate. Ndërkohë që merren vendime të tilla që i hapin rrugë pjesëmarrjes në luftë apo do të sjellin pasoja për popullsinë dhe ekonominë, nga pjesëmarrja në mbrojtje të shteteve të tjera të sulmuara, këta deputetë ose largohen nga seanca ose nuk e diskutojnë fare. Konkretisht, bëhet fjalë mbi projektligjin “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”. Për dijeni të lexuesve tanë, në këtë projektligj, parashikohet një shtesë për pjesëmarrjen e ushtrisë tonë në luftë në territore të tjera, nëse sulmohet një shtet tjetër i NATO-s.

Në projektligj këto quhen “ operacionet e vetëmbrojtjes kolektive, në kuadër të nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut”. Traktati i Atlantikut të Veriut, në të cilin Republika e Shqipërisë ka aderuar, parashikon: Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë palën apo palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Ndërkaq, projektligji parashikon një ndryshim tjetër. Është parashikuar që autoriteti kompetent shqiptar për drejtimin dhe komandimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për qëllime të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar, mund t'i transferojë pjesë të autoritetit të vetë komandantit ushtarak të strukturave të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Gjithashtu, është parashikuar se, në të njëjtën mënyrë, autoriteti kompetent shqiptar mund të pranojë një autoritet që i jepet nga një komandant ushtarak i strukturave të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i një shteti të huaj ose nga një organizatë ndërkombëtare. Nuk ka asgjë të keqe në këtë mes, sepse shteti ynë nuk ka mundësi të garantojë i vetëm, jo vetëm mbrojtjen, por as të ushtrojë sovranitetin në funksionet e tij bazë, siç po dëshmohet me drejtësinë, apo të luftojë trafikun e drogës me avionë ( në fakt, për ironi, mbrojtja e hapësirës ajrore i është dhënë ushtrisë greke).

Por duket e qartë hipokrizia dhe servilizmi i këtyre politikanëve që pranojnë dhe votojnë çdo gjë që vjen nga ambasadat perëndimore, mjafton të mos u preken interesat personale. Çfarë do të donim të dëgjonim të diskutohej në këtë parlament, me këtë rast që flitet për mbrojtjen? Sa na kushton në shifra pjesëmarrja në operacionet ushtarake apo në një luftë eventuale në vendet e Baltikut? A i kanë respektuar kuotat e shpenzimeve ushtarake këto shtete në kuadër të NAT0-s? Po, Shqipëria a rrezikon të rrisë shpenzimet ushtarake në kuadër të një politike të re të administratës “Trump” ndaj NATO-s? A duhet t’i kalojë, qoftë edhe pjesërisht, autoriteti ushtarak një fuqie të huaj brenda NATO-s, si fjala vjen Greqia? E thënë ndryshe, a duhet të kishte klauzola përjashtuese ky projektligj? Jo më larg se dje, ministri i Mbrojtjes i Greqisë bënte deklarate lufte me fjalët ‘Ushtria jonë nuk ka frikë as nga Shqipëria as nga Turqia”. Por, ata që duhet të flisnin, janë në heshtje se kanë bërë marrëveshje për ndarje kufiri antikushtetuese me Greqinë për hir të pushtetit dhe janë gati të bëjnë gjithçka sot për të shpëtuar nga drejtësia.

"TemaTv"

Comments

Submitted by Gjin (not verified) on

Teresisht i pa informuar shkruesi. Nqs kishe verejtje duhet ta kishe bere qe me 1994 kur u beme partnere. Cdo klub ka kuatazicion. Duhet paguar pjesa jone.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.