6 muaj më parë De Biasi shpallej “Nder i Kombit”, tani në sulm për ta hequr. Çfarë biznesi fshihet?

Postuar në 15 Nëntor, 2016 12:04

Në 11 Mars të vitit të kaluar trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit u vlerësua nga Federata Shqiptare e Futbollit me titullin “Nderi i Kombit në Futboll” për arritjet në fazën eleminatore të kampionatit Europian “Francë 2016”. Një qokë që u shkoi për shtat të dyja palëve, si teknikut italian që i shtronte rrogozin vetes për një pagë më të majme ashtu Armando Dukës për mbretërimin “me dafina” në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Aq sa në media u nxit debati se kush i kishte meritat më të mëdha për kualifikimin në Euro 2016, tekniku i shkathët italian apo Armando Duka. Kualifikimi në Francë e vuri De Biassin në pozita edhe më të favorshme pas një kontrate të kopsitur mirë se në rast kualifikimi, automatikisht i rinovohej edhe kontrata për eleminatoret e botërorit.

Veç popullaritetit pa kushte në Shqipëri tekniku italian krijoi premisat për të mbushur edhe më shumë qesen e përfitimeve. Kësaj atmosfere i ndihmoi edhe afilacioni i kryeministrit Edi Rama për De Biasin, të cilin sipas tij duhet ta mbanin me çdo kusht në krye të kombëtares së futbollit pas “mrekullisë” me kuqezinjtë në Euro 2016. Deri këtu biznesi i italianit në Shqipëri shkoi mrekullisht aq sa e vetmja mungesë është ngritja e një busti, ndonëse kryeministri premtoi gdhendjen me shkronja të arta të gjithë ekipit që çoi Shqipërinë për herë të parë në një europian.

Por nisja e eleminatorëve të botërorit nxori në pah ftohjen e dashurisë për de Biasin dhe krisjen mes tij dhe Armando Dukës apo thënë ndryshe dëshirën për të prishur pazarin nga FSHF. Kritikat për ndeshjen me Maqedoninë, Lihtenshtejnin  dhe më pas për humbjet me Spanjën e Izraelin krijuan një klimë mosbesimi ndaj italianit aq sa në media u angazhuan zëra kritikë specialistësh dhe u promovuan emisione se i kujt është faji, i arbitarve, lojtarëve apo teknikut De Biassi.  

I pari që reagoi ishte ish-futbollisti i kombëtares, Salvador Kaçaj nga ekrani i Tv Klan.  Ai tha se tashmë De Biasi e ka mbyllur ciklin dhe se Federata duhet të mendojë për një plan tjetër. http://tvklan.al/kacaj-kritika-de-biasi-e-ka-mbyllur-ciklin/. Pas tij reagoi një tjetër personazh i afërt me Federatën dhe Presidentin Duka, ish-futbollisti Redi Jupi.

“Të gabosh në një ndeshje, nuk është ndonjë gjë e madhe, sepse mund të ndodhë. Siç gabon një lojtar, një arbitër, gabon edhe një trajner. Por, pas pesë vitesh në drejtim të një skuadre, pasi njeh skuadrën, njeh mirë lojtarët dhe njeh edhe kundërshtarët, gabimet janë të patolerueshme”-u shpreh për Procesin Sportiv, Redi Jupi, ish-punonjës i FSHF dhe ish-trajner i Shpresave të Shqipërisë pas humbjes me Izraelin. http://www.gazetatema.net/web/2016/11/15/redi-jupi-sulmon-de-biazin-ne-kombetare-sjane-ftuar-me-te-miret-gjithcka-eshte-bere-gabim-qe-nga-rashica-tek-kace/.

Nga ana tjetër emisioni "Opinion" në "Tv Klan" trajtoi të hënën pikërisht këtë temë, se kush është përgjegjës për paraqitjet e kombëtares, ku në panel ishin të ftuar zëra kritikë ndaj De Biasit si ish-trajneri Astrit Hafizi me të cilin De Biasi ka patur edhe një polemikë të hapur në media.

Të gjitha reagime të sponsorizuara kundër teknikut italian, vendimet e të cilit në fakt lënë shumë vend për dyshime lidhur me përzgjedhjen e lojtarëve, për promovimin e të cilëve ai nxjerr të ardhura.

Rasti më flagrant ai i sulmuesit Edgar Çani që luan në kategorinë e dytë italian me Pisa dhe u ftua në dy ndeshjet e radhës ndonëse nuk ka bërë ndonjë paraqitje për t’u vlerësuar. Ai është një lojtar që menaxhohet nga De Biasi ashtu si Gjimshiti dhe Veseli, të cilët po ashtu ishin zgjedhje të trajnerit për t’u thirrur. Vetë italiani është shfaqur arrogant në konferencat me gazetarët shqiptarë duke mos e fshehur nervozizmin si për rezultatet ashtu dhe për përzgjedhjen e lojtarëve. Të dyja palët edhe Federata edhe De Biasi duket se janë në biznes me kombëtaren, ndaj dhe prishja e pazareve shpjegon edhe kritikat edhe nervozizmin e teknikut italian me pasaportë shqiptare.

Humbja me Izraelin ka infektuar me dyshime opinionin, duke shtuar paragjykimet mbi marrëdhënien mes teknikut dhe Federatës. Na vjen ndërmend këtu humbja me Rumaninë, 6:0 që solli si pasojë ikjen e Otto Bariç. Kuptohet asnjë provë nuk ka, por një gjë kuptohet qartë: disa bërtasin, të tjerë bëjnë biznes. Kuq e zi, apo lejla, pak rëndësi ka. Paraja ka vetëm një ngjyrë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.