Amerika ka rënë brenda me Saliun

Postuar në 14 Nëntor, 2016 23:34

A ka ndonjë shqiptar që nuk do të dijë se cilat janë objektivat e SHBA-së në Ballkan dhe në Shqipëri? Me siguri që jo, nuk ka. Por ja që e vërteta qëndron para syve dhe njeriu humbet fillin duke kërkuar gjetkë. Synimet janë një dhe vetëm një: të merren me Sali Berishën, ta shohin kur çohet në mëngjes, çfarë ha, pse vesh pantallonat ngjyrë kremi që ka disa vite që i mban, pse poston foto të caktuara, pse vazhdon mban atë bluzën me vija blu me mëngë të shkurtra kur bën vrap në behar, çfarë fjalori përdor, në parlament dhe jashtë tij, si shpjegohen liket në profilin e tij Facebook, jetëgjatësia në politikë etj..

Qenia e Amerikës siç e njohim varet nga njohja e Sali Berishës, pasi së fundmi siç po shohim, modeli Berisha po adoptohet edhe në politikën amerikane. Dhe për pasojë edhe aleanca shqiptaro –amerikane për të cilën këndon natë e ditë rapsodi i reformës në drejtësi, dhe i drejtësisë së munguar ndaj Saliut, Spartak Ngjela, varet pikërisht nga studimi i afërt dhe i hollësishëm i Berishës.  Kjo afri shpjegon frikën që ka kapluar PS-në dhe mediat pranë saj të cilat gdhihet e ngryset e kanë Saliun në mendje e në gojë.

Ku qëndron problemi? Problemi qëndron te fakti që Amerika po bëhet si Saliu dhe stigmatizimi i tij shpresohet se do të kompleksojë Amerikën në imitimin e tij. Diçka që nuk ka sesi të ndodhë, pasi Amerika ka rënë brenda me Saliun. Kjo duket qartë.

Me zgjedhjen e Donald Trump president, po kemi një deja vu me atë që na kanë parë sytë në vitet 92-2016.

Sot që flasim në SHBA po protestohet kundër rezultatit të votimeve. Kështu bënte edhe Saliu në vitin 1991 edhe pse kishte hyrë në qeverinë e Stabilitetit.

Asokohe Saliu fliste për Sigurimin e Shtetit, shkeljet e të drejtave, lirinë e munguar dhe nomenklaturën e kuqe.

E njëjta sot në SHBA: Po flitet për rënien e Amerikës, racizmin, fashizmin, antimyslimanizmin, gjithë këto shenja negative që shpiken apo emfatizohen para vlerave që quhen të humbura.

Dëshpërimi ku s’të çon. Gazeta britanike “The Sun” shkruajti për mundësinë e rrëzimit të Trump si president, duke qenë se askush nuk i detyron elektorët të ndërrojnë votën e tyre. E morën këtë edhe të mëngjërit këtu, edhe pse Hillary uronte Trump në telefon.

A nuk bënte Saliu të njëjtat demarshe në vitet ’2000 duke mbledhur fakte e duke shkuar me dosje të tëra në KE për të denoncuar zgjedhjet? A nuk kishim asokohe protesta kundër KQZ-së që quhej e kapur?

Por ajo që i vë vulën çdo gjëje është ideja që po qarkullon së fundmi nga thuajse të gjitha think tanket e njohuara: sistemi politik në SHBA duhet të ndryshojë. Ai ka nevojë për t’u reformuar. “I kemi besuar një pakice të drejtën të zgjedhin. Kjo është një mbetje e kohës së shkuar”, shkruante sot një media shumë e njohur.

Këtë lojë, Saliu dhe ne bashkë me të, e dimë përmendësh: Sa herë ka zgjedhje, ose  mbarojnë zgjedhjet, flitet për nevojën e ndryshimeve të thella në Kodin Zgjedhor. Ku qëndron këtu mençuria e SHBA-së? Asgjëkundi.

Priteni tani kur të nisin e të përdorin lloj - lloj marifetesh online, gjithnjë prapa në kohë nga shpikja gjeniale e “qytetarit dixhital”.

Këto instinkte të mbijetesës politike kanë konstruktuar modelin e qëndrueshëm të një bote që po shkon për lesh. Të ikurve nga Donald Trump u duhet një rikthim. Ku mund ta gjejnë profesorin e rikthimeve më mirë sesa këtu?

Ndaj të dashur bashkatdhetarë, çelni sytë! Aleanca shqiptaro –amerikane është në fakt garanci për Saliun. Ata që ju thonë të kundërtën nuk kanë kuptuar gjë, ose duan të shtyjnë ca kohë.

Shaptilografisti

Comments

Submitted by L. Hasa (not verified) on

Koment origjinal më kujton pikë për pike demagogjinë qorollepsëse të para viteve 80=85.më vjen keq që jeton akoma kjo demagogji. Jemi shumë larg shkëputjes nga diktatura, duhet një operacion shumë interes thellë për ta hequr këtë koncert.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.