Shkrimtarët e vërtetë dhe ata që tërheqin vëmendjen
“Ku ishte Calvino, aty ishte letërsia e vërtetë. Ju pëlqen apo jo”. Me këto fjalë e përshkruan Gore Vidal veprën e shkrimtarit italian Italo Calvino, apo më mirë mbresën që letëria e tij lë te ata që e lexojnë. I drejtpërdrejtë dhe krejt i zhveshur nga ajo etika e rreme e komunikimit për të lënë të kuptohet diçka që duhet thënë troç, Vidal, intelektual dhe novelist i njohur amerikan, kritik, i cili siç thotë ai “e kaloi jetën duke studiuar letërsinë”, na thotë se “Calvino ishte i vetmi shkrimtar i vërtetë i kohës sonë”.
Fjalë që do të ngazëllenin çdokënd që shkruan.
Dhe janë shumë ata që shkruajnë, një armatë e tërë. Dhe këtu vjen në plan të parë ai rol i kritikës dhe i kritikut si Vidal, i cili kur vjen puna tek emra shumë më të njohur si Faulkner dhe Hemingway na thotë se “këta ishin tipa të aftë për të tërhequr vëmendjen”. “Duhet të ishin duke shitur automobila gjëkundi”, shton Vidal në intervistën e vitit 2011 dhënë për Riz Khan. Janë fjalë të ashpra të dikujt që ka shijuar deri në fund atë magji të Calvinos që provokon shijet e çdokujt, t’i rafinon ato, të jep ndjesinë e papërsëritshme të befasimit nga e bukura, kaq e rrallë sot. Vidal bën pra pikërisht këtë, vë në dukje forcën e kontrastit që një kritikë e vërtetë duhet të evokojë në mënyrë që shkrimtarët e vërtetë të mos ngatërrohen me shitësa automobilësh që shesin shumë e shkruajnë po kaq shumë. Dhe jemi dëshmitarë të këtij "revolucioni tipografik" në fushën e letrave.
Add new comment