Qeveria shqiptare pa një deklaratë zyrtare për zgjedhjet në SHBA, mjaftohet me reagimin e kryeministrit në Facebook
Qeveria shqiptare nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar lidhur me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fitoren e kandidatit republikan, Donald Trump. Nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me pritshmëritë e qeverisë shqiptare lidhur me këtë betejë apo me kompleksitetin e krijuar pas deklaratave të kryeministrit për Donald Trump. Për hir të këtij kompleksiteti qeveria shqiptare nuk ka shprehur asnjë qëndrim, por është mjaftuar me postimin në facebook të kryeministrit Edi Rama që është munduar të arrnojë sa të mundet "pallavrat politike" që ka lëshuar lashtë e poshtë për presidentin e zgjedhur tashmë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Populli amerikan beri sot zgjedhjen e tij. Nje mike e madhe e Shqiperise, Kosoves dhe gjithe shqiptareve, Hillary Clinton, nuk i'a doli dot te behet Presidentja e pare grua ne historine e Shteteve te Bashkuara. Kundershtari i saj, Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepeste i SHBA, duke e bindur Sovranin te votoje alternativen e tij, pas nje debati te pazakonshem brenda e jashte Shteteve te Bashkuara te Amerikes.
Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe te gjithe suksesin qe amerikanet dhe miqte e partneret e SHBA, i urojne atij vendi te madh, kam bindjen se marredhenia jone strategjike me Shtetet e Bashkuara, do te vijoje te forcohet ne funksion te vlerave e te interesave te perbashketa, te cilat e bejne Shqiperine nje mik e aleat te çmuar te popullit e te qeverise amerikane"- shkruan Rama në facebook.
Pak muaj më parë kryeministri Rama ka qenë i ftuar në CNN ku bëri edhe komentin e tij për kandidatin republikan dhe mundësinë e zgjedhjes së tij si president i Shteteve të Bashkuara, deklaratë që ngjalli shumë reagime dhe pikëpyetje mbi aftësitë politike të kryemiistrit shqiptar që mund të kthehen në kosto për vendin
CNN: Nëse do të ndodhë që Donald Trump të fitojë emërimin e Partisë Republikane, atëherë do të bëhet shumë më e ndërlikuar për të gjithë ata që kanë shprehur këtë frikë?
Kryeministri Edi Rama: Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.
Add new comment