Intervistë/ “Amerika kristiane dhe besimtare”*

Postuar në 03 Nëntor, 2016 00:39

Amerika e ka ndërmjetësuar prezantimin e saj me botën përmes kinemasë. Ky është një rast i rrallë, për të mos thënë krejt i papërsëritshëm kur kinemaja, si një art më vete, kultivon një njohje të tërë sipas disa paradigmave të vetëperceptimit. Revolucioni, lufta civile, segregacioni, lufta e Vietnamit janë popullarizuar nga kinemaja përpara se “bota” të afrohet me të vërtetën e saj përmes mjeteve klasike si letërsia, historia e shkruar, media. Një përvojë që rigjeneron mite të vjetra e të reja, poshtë të cilave qëndron një realitet më kompleks, ai që shtyn përpara një kulturë e cila ka historinë e vet të ndërthurur me fenë. Këtë temë sjell në librin e vet Ernest Nasto (ekonomist dhe prej vitesh me banim në SHBA), i pari punim i tillë në shqip nga një autor shqiptar. Libri përcjell me përshkrimin e fakteve historike ngjizjen e një “Amerike kristiane”, ndonëse dokumentet kushtetues ishin laikë; ai jep një prezantim në këtë drejtim, por edhe udhëzon për momentet kryesore. Është pra një ftesë për atë që është i interesuar që të gjejë rrugën për të zbuluar “Botën e re”.

ResPublica: Z. Nasto ju keni prezantuar së fundmi në Tiranë një libër me temë interesante: Feja dhe ndikimi i saj në SHBA. “Një Komb nën Zotin”, një titull që i shkon më shumë fillimeve të Amerikës sesa asaj të sotmes, apo jo?

Titulli i shkon vërtet fillimeve të Amerikës, por ajo çka përbën një veçori kryesore të eksperimentit të madh dhe unik amerikan, është se edhe në ditët tona, edhe në shekullin XX e sidomos që prej viteve '70, ai titull vazhdon t'i përshtatet organizimit politik amerikan. E thënë ndryshe, e veçanta është rikthimi me forcë i temes së Amerikës kristiane e besimtare në diskursin politik amerikan në 40 vitet e fundit.

ResPublica:  Si lindi ideja e këtij libri që sjell para lexuesit shqiptar një përvojë të jetës në SHBA, por edhe një vështrim në thellësi apo përtej “ëndrrës amerikane”?

Në fakt, duke jetuar në Shtetet e Bashkuara prej 19 vjetësh, më ka bërë përshtypje se sa e mbrujtur është ajo shoqëri me konceptet biblike, e kjo jo vetëm në rrethet e besimtarëve, por edhe në vetë kulturën në përgjithësi. Dhe kryesorja është se, siç e kam shpjeguar edhe në libër, besimi fetar ka qenë faktor tepër i rëndësishëm në formimin e identitetit kombëtar amerikan. Nga ana tjetër ky aspekt është pak ose aspak i njohur në Shqipëri e Kosovë, dhe do të thosha edhe jo i kuptuar mirë jashtë Amerikës. Mirëpo dihet se Amerika është superfuqia e sotme botërore, prandaj është me interes të kuptohen faktorët që kushtëzojnë politikat e saj, nga të cilat ndikohen pastaj edhe vendet e tjera të botës. Për këtë arsye, pas zhvillimit të disa cikleve leksionesh në institucione të ndryshme universitare e pas disa artikujve në mediat, vendosa të përgatis këtë punim për t'i krijuar lexuesit një ide më të plotë rreth kësaj dukurie. Besoj se punimi do të jetë me interes të veçantë sidomos për studentët dhe specialistët e shkencave politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare, po ashtu edhe për punonjësit e diplomacisë të Shqipërisë, por edhe të Kosovës e Maqedonisë.

ResPublica: Në pjesën e parë të librit kemi një përshkrim të historikut të kolonive deri në Luftën Civile, nëse jemi korrekt në periodizim. Një përshtypje e parë që del është se feja në këtë periudhë ka shërbyer si një “zgjim” për amerikanët, katalizator identiteti. Është një shfaqje larg atij etiketimit pezhorativ të fesë si opium i popullit. Sipas jush kemi të bëjmë me një kulturë që ecën dora dorës me besimin, apo aty pajtohet një rrethanë unike me një investim shpirtëror që afirmonte ndryshimin nga Europa?

Në fakt janë të dyja këto që thoni ju, dhe shpjegimin më të mirë e gjejmë në evoluimin e ideve të "shtetit natyror" dhe "shtetit kristian" të trajtuara në libër. Kështu ideja e "shtetit natyror" mbështeti atë "rrethane unike" si thoni ju, pra faktin e ndryshimit nga Europa. Kjo sepse dy dokumentet bazë të revolucionit amerikan e të republikës amerikane shpallin si parime themelore jo vetem lirinë absolute në fushën e besimit, por edhe barazinë e të gjithë njerëzve përpara Zotit e përpara ligjit, dhe këto ishin tipare krejtësisht radikale për kohën. E po ashtu edhe respekti i thellë për besimin dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm në krijimin e një morali të shëndoshë publik, si domosdoshmëri për funksionimin e mirë të demokracisë.

Nga ana tjetër ideja e shtetit kristian bëri që besimi të ndjekë kulturën e përgjithshme, sepse kisha duhej ta mbështeste atë kulturë nëse donte të pranohej prej saj, e ashtu besimi iu përshtat normave kulturore, në vend që këto të fundit t'i përshtateshin besimit. Shembulli më kuptimplotë i komprometimit të besimit kristian nga kjo nënvendosje ndaj kulturës ishte ajo që shtetet e Jugut arritën deri në përdorimin e atij besimi për të justifikuar institucionin e skllavërisë. 

 ResPublica: Ju sillni në vëmendje se vetëperceptimi i amerikanëve si “popull i zgjedhur” krijon ngjashmëri me hebrejtë. Mirëpo ky aspekt kreativ i fesë në kultivimin e një identiteti politik dhe më tej një kulture, duket se ngjan më shumë me fillimet e Islamit...

Ideja e popullit të zgjedhur ishte tepër e pranishme në fillimet e Amerikës koloniale e bile edhe gjatë Revolucionit dhe fillimeve të ekzistencës së shtetit amerikan. Kështu puritanët, besimtarë të devotshëm që donin të restauronin kishën origjinale të Dhiatës së Re, ishin edhe kolonët e parë që u vendosën në bregun perëndimor të Atlantikut. Ata shihnin paralele të qarta ndërmjet vetes tyre në ikjen nga Anglia e korruptuar, dhe izraelitëve të lashtë në ikjen e tyre nga skllavëria egjiptiane. Edhe më vonë është vërtet interesant fakti që në dy konfliktet madhore të historisë amerikane, palët kundërshtare e kanë konsideruar veten e tyre "popull i zgjedhur" dhe me besim të plotë në bekimin hyjnor për kauzën e tyre. Kështu në revolucionin amerikan, edhe patriotët, ata që ishin për shkëputje nga Anglia, edhe luajalistët që ishin për besnikeri ndaj kurorës britanike, e quanin veten dhe kauzën e tyre të zgjedhur e të bekuar nga Zoti. Po ashtu në Luftën Civile edhe Veriu që kundërshtonte skllavërinë dhe kërkonte ruajtjen e Unionit, edhe Jugu që kërkonte të ndahej më vete e të ruante skllavërine, shpreheshin njësoj të sigurtë e të bindur në bekimin hyjnor për kauzat e tyre përkatëse.

ResPublica: Për të mbetur po te ky moment: a janë nocionet si Fati i Qartë apo Pafajësia në politikën e jashtme një bindje e amerikanëve dhe elitës së tyre, apo aty shohim edhe një etikë formale për të fshehur ekspansionin territorial? Pra sa mund ta besojmë vetëperceptimin e amerikanëve si një formë korrigjuese ndaj perceptimit tonë mbi bazë realizmi të “Amerikës imperialiste”?

Për këtë do të shprehesha pa asnjë mëdyshje që Po, ato besohen e janë besuar vërtet në fazat përkatëse të historisë së tyre. Kështu gjatë fazës së shtrirjes drejt Perëndimit në gjysmën e dytë të shek XIX besohej vërtet që Shtetet e Bashkuara duhej të shtriheshin deri në "kufijtë natyrorë" të caktuara nga "Arkitekti i Madh i Gjithësisë" d.m.th nga vetë Zoti. Besohej gjithashtu vërtet që amerikanët kishin një mision qytetërues hyjnor për të çuar kulturën dhe besimin kristian tek popullsitë "e egra" vendase. Po ashtu një besim i vërtetë tek Amerika si "shtet natyror" e si "shtet i pafajshëm" e shpjegon faktin që Shtetet e Bashkuara s'kanë pasur synime kolonialiste për territore të reja, si fuqitë europiane, por kanë qenë të interesuara vetëm për aspektin tregëtar dhe përhapjen e tregëtisë së lirë në të gjithë botën.

ResPublica: Z. Nasto ju nënvizoni një aspekt që ka rëndësi jo të vogël: Deklaratën e Pavarësisë ku përmendet Krijuesi dhe Kushtetutën ku “feja përmendet në një aspekt negativ”. Nuk e kemi pra besimin kristian të trupëzuar në dy dokumentet bazë. Si erdhi në jetë ky pajtim i besimit me pragmatizmin, siç shkruani ju për hartuesit e tyre?

Duhet pasur parasysh se përmendja negative në Kushtetutë nuk është një gjykim nëse besimi fetar është i mirë apo i keq, por është vetëm në kuptimin juridik të fjalës, d.m.th në atë që "nuk kërkohet ndonjë test fetar për asnjë post në administratën publike amerikane". Është e vërtetë që Kushtetuta amerikane është një kushtetutë laike, sepse nuk përmban asnjë koncept apo parim të besimit kristian, por nga ana tjetër gjatë lëvizjes së njohur si Zgjimi i Dytë i Madh vendi u kristianizua në praktikë. Kjo sepse të gjitha lëvizjet e mëdha sociale të shekullit XIX, duke filluar nga ajo kundër skllavërisë, kishin qartësisht në bazën e tyre parimet e moralit kristian. Shtetet e Bashkuara u bënë kështu praktikisht një vend kristian në shumë aspekte, pavarësisht nga Kushtetuta e tyre laike.

ResPublica: Vijmë te një temë që ka shumë rëndësi dhe që është aktuale: E Djathta Fetare sot. Çfarë përfaqëson ky grupim dhe ku i ka rrënjët ideologjike ai?

Në peizazhin politik amerikan është karakteristike ekzistenca e këtij grupimi të madh në kuadrin e lëvizjes konservatore. Është një dukuri tipike për Shtetet e Bashkuara dhe nuk mund të kuptohet pa ekzistencën e një popullsie shumë besimtare, siç është ajo amerikane. Këto janë disa grupe kryesisht kristiane evangjelike, të cilat nën moton “ta kthejmë Amerikën në rrugën e Zotit”, kanë shpallur hapur qëllimin për të vendosur njerëzit e tyre në të gjitha sferat e jetës socio-politike dhe vendimmarrëse amerikane. Është një lëvizje kryesisht politike, e cila paraqitet si e bazuar mbi interpretime të caktuara të Biblës, e qe ka synim formimin e një mase kritike që do të mund të orientonte shoqërinë dhe ligjet që e qeverisin atë drejt vlerave biblike. Por është ky grupim që merr përsipër të interpretojë se cilat pikërisht janë këto vlera biblike, gjithmonë sipas interpretimit të vetë atyre. Prandaj duhet theksuar se ata nuk flasin në emër të të gjithë besimtarëve kristianë amerikanë, e aq më pak në emër të kristianëve në përgjithësi. Ata janë një pakicë në krahasim me traditën dymijëvjeçare kristiane, por në peizazhin politik ata janë një grupim i fuqishëm të cilët përpiqen të shtyjnë historinë në drejtimin  e tyre, e që kanë arritur mjaft rezultate, disa herë spektakolare.

ResPublica: Në kontekstin e predikimit politik e fetar të kësaj të djathte, te cilët presidentë mund të shohim gjurmët më të forta të saj?

Prej vitit 1979 ata kanë pasur rol vendimtar siç thashë dhe një shembull i parë i një roli të tillë ishte braktisja masive më 1980 e presidentit demokrat në detyrë, Jimmy Carter, besimtar kristian i devotshëm dhe bashkimi me kandidatin republikan Ronald Reagan, që rrallë ja bënte ndonjë vizitë kishës. Kjo u bë për arsye thjesht politike, të cilat i kam shpjeguar sigurisht në libër dhe çoi në fitoren e bujshme të Reagan. Edhe në zgjedhjet e viteve 1984 e 1988 roli i tyre ishte përsëri i dorës së parë. Ndërsa një shembull tjetër edhe më kuptimpolotë e më i afërt me ditët tona ishin zgjedhjet e vitit 2004. Ato mbaheshin në mes të fiaskos irakiane dhe askush nuk priste që presidenti republikan në detyrë G.W. Bush të rizgjidhej, pavarësisht nga të metat e kandidatit demokrat Kerry. Mirëpo e Djathta Fetare shpalli se çështja më e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit amerikan, e bile krejt atij Perëndimor, nuk ishte lufta për arsye të sajuara, as shpenzimet kolosale dhe defiçiti i madh i shkatuar prej saj, por vetëm kundërshtimi i lejimit të martesave gay, që ishte pozicioni i përkrahur nga Bush dhe partia republikane. Meqe Kerry ishte në favor të atyre martesave, ai u cilësua i padenjë për postin e presidentit dhe kështu i humbi zgjedhjet në mënyrë spektakolare.

ResPublica: Ju keni shkruar që Trump, kandidati më i përfolur sot, nuk përfaqëson asgjë nga karakteristikat që burojnë nga predikimi i të djathtës fetare. Si shpjegohet atëherë kjo mbështetje për të?

Në fakt janë besimtarët kristianë ungjillorë, pra e Djathta Fetare, që kanë ngjallur më shumë diskutime me qëndrimin e tyre ndaj Trump . Ata po shquhen deri tashti në përkrahjen e tyre të paepur për miliarderin njujorkez, gjë që ka vënë në pikëpyetje gjithë analizat e mëparshme rreth pozicioneve politike të këtij blloku zgjedhor. Kjo sepse krejt personi dhe veprimtaria e Trump janë diametralisht të kundërta me ato çka janë predikuar nga liderët e pastorët e së Djathtës Fetare për shumë vite me radhë, qysh prej fillimeve të organizimit të tyre në vitet ‘70. Nga ana tjetër dalja e Trump është edhe dëshmi e polarizimit të skajshëm të peizazhit politik amerikan ku një ndihmesë të konsiderueshme ka dhënë pikërisht ky grupim politiko-religjioz. Pasojë e këtij polarizimi është fakti që një pjesë e madhe e elektoratit konservator e vështron njërën nga dy partitë e mëdha tradicionale, atë demokrate, si krejtësisht negative, gati-gati si mishërim të së keqes absolute, pra pa asnjë vlerë apo politikë që ja vlen të diskutohet konkretisht. Por zhvillimet e reja lidhur me daljen e Trump i kanë vënë në pozitë të vështirë drejtuesit evangjelikë e fundamentalistë, sepse Trump është një kandidat që shpalos një sërë tiparesh haptazi në kundërshtim me ato çka këta liderë kanë shpallur e përkrahur deri tashti.

Kështu pastorët e liderët në fjalë kanë denoncuar në vazhdimësi shthurjen morale të mishëruar në marrëdhëniet seksuale para dhe jashtë martesës, ndërsa Trump është mburrur shpesh për numrin e madh të aventurave te tij, bile edhe me gra të martuara. E Djathta Fetare shprehet si kampione e shenjtërisë së martesës, por Trump është tashmë në martesën e tretë dhe vjen nga bota e showbiz-it, e cila nuk shquhet në përgjithësi për ndonjë nivel të lartë të moralitetit kristian. Gjithashtu përkundrejt shqetësimit të vazhdueshëm të drejtuesve evangjelikë për laicizimin e Amerikës, siç duket nga rënia e numrit të frekuentuesve të rregullt të kishave, Trump jo vetëm që s’është i tillë, por deklaratat e tij dëshmojnë për një njohje fare të përciptë, për të mos thënë joekzistuese, të Biblës apo të koncepteve bazë të besimit. Nuk është e pakët as ajo që megjithëse e quan veten kristian, Trump ka deklaruar se s’i ka kërkuar kurrë falje Zotit për ndonjë gabim që mund të ketë bërë, e as per fyerjet peronale qe leshon pa hesap ne adrese te cdo kundershtari. Edhe pozicionet e tij politike s’kanë qenë aspak konsistente, por janë lëkundur sa majtas aq edhe djathtas, e në çdo nuancë tjetër të mundshme ndërmjet tyre, pa folur pastaj për mungesën e çdo lloj përvoje politike. E megjithatë, për elektoratin e djathtë evangjelik, një kandidat i tillë është më i pranueshëm në krahasim me Hillary Clinton, pavarësisht nga pozicionet centriste të kësaj të fundit dhe përvojën e gjatë si figurë politike qendrore. Arsyeja për këtë parapëlqim për Trump vjen vetëm nga fakti se Clinton është demokrate, dhe si e tillë pozicionet e saj janë automatikisht pa vlerë, për të mos thënë të dëmshme, pra që s’mund të shtrohen fare për diskutim.

Ishin liderët e këtij grupimi ata që u vunë në ballë të kritikave të ashpra ndaj presidentit Clinton në fund të viteve ‘90, sidomos gjatë skandalit Lewinsky. Ata theksonin vazhdimisht se ‘‘karakteri ka rëndësi’’ dhe se aferat e Clinton ishin dëshmia më e qartë e qorrsokakut moral ku ishte futur Amerika. Evangjelisti i njohur Pat Robertson e kishte quajtur asokohe Clinton “të shthurur e të zvetënuar”, por sot pas më pak se dy dekadash ai iu drejtua Trump me fjalët ‘‘ju jeni frymëzim për të gjithë ne’’. Nga ana e tij teologu i së Djathtës Fetare, Wayne Grudem, i cili kishte kritikuar publikisht Clinton për “përdorimin e ulët të femrave” dhe për “manipulime të së vërtetës”, botoi para një thirrje publike në përkrahje të Trump, ku e quante atë ‘‘një kandidat të mirë, por me disa të meta’’ e po ashtu argumentonte se vota për Hillary Clinton do të ishte mëkat për çdo besimtar kristian. Kthesa të tilla 180 gradëshe kanë bërë, me fare pak përjashtime, edhe personalitetet e tjera të së Djathtës Fetare amerikane.

Duket pra se një kampion i vesit, si Trump, po përkrahet paradoksalisht prej atyre që krejt karrierën e tyre publike ja kanë kushtuar mbrojtjes së virtytit. Këta liderë refuzuan ta besojnë Clinton kur ky pranoi publikisht se kishte bërë mëkat, dhe i kërkoi njëkohësisht falje Perëndisë, familjes së tij e popullit amerikan. Por sot janë po ata që ja ofrojnë faljen pa asnjë problem kandidatit Trump, i cili s’ka shprehur kurrë ndonjë shenjë pendimi, e s’ka kërkuar kurrë një falje të tillë.

Atëherë i vetmi shpjegim i këtij paradoksi është se Trump po u premton krerëve ungjillorë atë çka ata duket se e dëshirojnë më së shumti, pra pushtetin. Me këtë Trump tregon se, pavarësisht nga gafat e njëpasnjëshme, ai është aq i mprehtë sa t’i njohë mbështetësit e tij besimtarë shumë më mirë nga ç’e njohin ata veten e tyre. Këta të fundit janë të ndërgjegjshëm për sfidat që u duhet të përballojnë për të ruajtur të paprekur pozitën e tyre, deri tashti mjaft prominente, në skenën politike amerikane. Ata kanë pretenduar qysh prej viteve ‘70 se angazhimi i tyre publik ishte për çështjet e moralit e të karakterit, për vlerat e shëndosha familjare e për parimet biblike. Por duket se tashti ata janë gati të bashkohen me këdoqoftë, vetëm e vetëm për hir të pushtetit dhe ndikimit të tyre në shoqërinë amerikane. Një pakt i tillë që fort pak ka të bëjë me vlerat kristiane e me moralin e Jezu Krishtit, është vërtet faustian. 

*Titulli është i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.