Një histori e seksit në Diktaturë që i ka lënë vendin “Diktaturës së seksit”
Shumëkush ka dëgjuar histori nga studentët e dikurshëm shqiptarë në Bashkimin Sovjetik, për femrat ruse, marrëdhëniet me to, liberalizmin e tyre në krahasim me Shqipërinë etj.. Kjo përvojë, çoroditëse më shumë sesa emancipuese, ka gjetur shprehjen e vet edhe në ndonjë poezi të Kadaresë, përveç asaj që njihet si drama e çifteve ruso – shqiptare. Mirëpo përtej paketimit fin të dashurisë, si term hermetik që kopsit me etikën e duhur një marrëdhënie shumë më tokësore, qëndron seksi.
Seksi i dënuar me heshtje në kohën e komunizmit, apo atij që quhet komunizëm. Nuk ka një histori të seksit, marrëdhënieve dhe shfaqjes seksuale të Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës. Ka vetëm një kulturë “zakonesh” informale që nisnin nga vouajerizmi, tradhëtia bashkëshortore e për të shkuar te kurvëria si term pezhorativ që na tingëllon sot më shumë si fetar sesa social.
Historia e seksit ka shumë rëndësi, pasi me të zbulohet një kulturë e tërë, me atë shkruhet një zhvendosje e madhe në paradigmat e familjes, njësoj sikurse mund të kuptohet më mirë sesi Shqipëria e sotme mbërriti këtu ku është. Në këtë shpartallim total raportesh, ku seksi po zëvendëson çdo etikë. Më tej akoma dhe jo pa rëndësi, historia e seksit na jep edhe një histori të higjenës personale, shenjë edhe e një diferencimi social. Diçka mund të kuptojmë mes analogjisë që na jep një histori e thukët e një vendi si Bashkimi Sovjetik, që mund të quhet si emancipuesi kryesor i rinisë shqiptare të viteve ’50 – ’60.
Shkrimtari Denis Dragunsky shkruan në "Russia Beyond the Headlines" për atë që ndodhte në Bashkimin Sovjetik që nga vitet ’20 e deri në rënien e tij, duke mos neglizhuar edhe hollësi pikante.
“Ka patur përherë një tabu për seksin në BS. Në të njëjtën kohë kishte seks. Dhe jo më pak sesa sot. Thjesht të flisje për seksin atëherë ishte e sikletshme dhe e pavend”, shkruan Dragunsky që e sqaron më tej këtë sjellje duke hedhur dritë edhe mbi një keqkuptim. “Mendohet se gjatë telekonferencës së perestrojkës Leningrad – Boston, një grua tha: “Ne nuk bëjmë seks në BS”. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo në fakt tha se: “Ne nuk kemi seks në televizion”, vijon autori si për të davaritur një keqkuptim jo të vogël. Por këtu jemi në fundin e BS-së dhe para tij qëndron në histori e ndryshimeve të mëdha që sollën kësi “tabush”. Sa për ilustrim, numri i divorceve mes qytetarëve sovjetikë edhe në vitin 1978 – ilustruar me filimin “Gruaja e çuditshme” ku një i ri bie në dashuri me një grua të kaluar në moshë – ishte shumë i lartë. Një në tre çifte divorcoheshin. Për analogji, divorci në Shqipëri kosniderohej një gati skandal, me femrën që mandej përndiqej nën etiketën: Grua e ndarë nga burri.
Interesante është se ngurtësimi i zakoneve vjen nga liria. Kështu ndodhi edhe në Shqipërinë komuniste, kuptohet me shprehi shumë më brutale, edhe pse në planin legjislativ, kemi ngjashmëri. Dragunsky shkruan se në vitet ’20 autoritetet sovjetike publikuan udhëzimet mbi zakonet seksuale.
“Liria seksuale dhe emancipimi i gruas shihej si pjesë e betejës kundër fesë, shkollave, mësimit të greqishtes dhe latinishtes, uniformave të punës dhe tabelave të vlerësimit të kohës cariste. Ishte koha kur edhe homoseksualizmi u dekriminalizua, divorci pa njoftimin e bashkëshorti u ligjërua”, vijon autori.
Është Stalini që vë dorë në këtë liberalizëm kaq të madh i cili do çonte patjetër në hedonizmin e jetës duke prezantuar rregulla “më imperiale” e duke marrë në mbrojtje familjen. Diçka ndryshon pas Luftës së Dytë, për “shkak të mungesës së madhe të meshkujve”, por sërish vitet ’50 riciklojnë "masat shtrënguese”. Aq sa kemi edhe një masë që na duket kaq absurde: divorci ishte akt publik dhe njoftohej në gazetën “Vechernei Moskve”.
Zhvillimi i pornografisë vjen paralel me Perëndimin: fotografitë shiteshin në stacione treni bashkëngjitur me një shpikje urbane mbi origjinën e shitësve: Bjellorusët. Fotografitë ishin edhe në Shqipëri, por me qarkullim më të vogël. “Tregu” i zi pronografik në Shqipëri u zhvillua më tepër në vitet ’80 përmes kanaleve televizive jugosllave e gjermane, që kapeshin me vështirësi. Në ndryshim nga vendi ynë i vogël dhe me njohje ndëpersonale të gjerë, në Rusi qarkullonte një ekonomi e vërtetë mbi seksin, aq sa fotografi të bëra në shtëpi, shiteshin kundrejt një pagese.
“3 rubla, ndërkohë që një paketë cigaresh “Capital” shitej 40 cent, një shishe vodka, 3 rubla dhe një biletë teatri 1. 50 rubla”, shkruan Dragunovsky.
Nuk mungonin edhe histori pornografike me tema të njohura ruse, një Kama Sutra e publikuar vetë, përpjekje që në Shqipëri i gjejmë të kultivuara vetëm në formën bisedore mes meshkujve “halabakë”, autorë anonimë të legjendave urbane të kohës.
Diçka kurioze është prodhimi i filmave pornografikë në një regjim që kontrollonte gjithçka. Madje po t’i besojmë autorit filmat janë profesionalë, njësoj si dukuria e zhargoni që prodhohet në këto kushte. Zhargon i dobishëm dhe praktik edhe për të blerë në farmaci një profilaktik, nën fjali të tilla si: “Një çantë të lutem”, apo një “Aspirinë” duke shkelur syrin”. Kujton gjë “shkrepsja suedeze”? Ndalimi formal çon në kod komunikimi të ri.
Limoni dhe permaganati i potasit, ishin kontraceptivët e tjerë të kohës. Këtij vështrimi historik i vjen si plotësues ai që Dragunsky e quan “Totalitarizmi seksual modern”. Ndryshe nga një kohë e largët si kjo që prezantohet këtu, sot kemi kultin e trupit, një model femëror krejt tjetër nga ai i djeshmi, ku gjithkujt i interesonte seksi, por jo manifestimi i seksualizmit.
“Seksi ishte një nga mënyrat për t’i rezistuar totalitarizmit”, shkruan Dragunsky, për të shtuar se “sot ka diktat tjetër, ai i trupit”.
Dhe këtu dalim në një pikë shumë me rëndësi: higjena personale. Çfarë na kujton ai rregulli i “larjes një herë në javë”? Është irrituese të mendosh se ne shqiptarët e kemi kaluar këtë kulturë që mendojmë se e kemi unike. Në fakt nuk është kështu. Një higjenë më e madhe lidhet me aktivitetin seksual.
“Nuk kishte një kult të trupit, sepse kushdo e dinte se kjo ishte për atletët dhe profesionistët...Në Rusinë moderne kemi kultin e plastikës, trupit me fotoshop. Është një tjetër lloj i totalitarizmit – ai i modës dhe i reklamës. Në Bashkimin Sovjetik ishte ndryshte, ndoshta sepse çdokush ishte i varfër dhe bënte seks pa e menduar dy herë. Kjo është arsyeja pse kishte më pak prostitucion. Ishte një kohë kur çdo gjë ishte e lirë...Pse të paguash një prostitutë kur mund të shkosh për kërcim”, shkruan autori.
Me liberalizmin seksual dhe prostotucionin vijnë edhe sëmundjet veneriane. Gonorrea, sifilizi, ishin të përhapur. Njësoj si sot në Shqipëri si pasojë e një kulture të ulët. Asokohe edhe për shkak të higjenës së ulët. Ja një pasazh që amniston “palarësinë tonë”:
“Njerëzit bënin banjë rrallë dhe jo me shumë kujdes. Thuhej se vajzat me aktivitet seksual laheshin më shpesh, por vajzat e zakonshme i ndërronin të brendshmet vetëm kur bënin banjë, pra një herë në katër ditë...”.
Tingëllon e pabesueshme sot sesi këto zakone që mbanin gjallë një nënkulturë ndaj asaj zyrtare anashkalonin rituale kaq jetike si higjena. Ndoshta është ajo që nënvizon autori: seks pa e menduar dy herë.
Sot tjetër gjë: seks me dorën në xhep. Ndaj edhe kushtet sa vijnë e përmirësohen, duke vrarë imagjinatën dhe duke i lënë vend inercisë dhe argëtimit si kompensim stresi. Dje seksi ishte një kundërvënie ndaj regjimit, sot ai është depolitizuar. Ndaj edhe ka humbur tonalitetin e dikurshëm.
Add new comment