"Momenti i kishës shqiptare” dhe nevoja për të zbardhur dosjet e krimeve
“Është momenti i Kishës shqiptare”. Kështu e hap një shkrim të vetin “Avvenire”, media afër Vatikanit, e cila na njofton edhe për një libër të ri që i shtohet ngjarjeve të tjera të këtij viti.
Vitit të shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën gazeta e lidh me shqiptarët, lumturimi i 38 martirëve të komunizmit që do të zyrtarizohet më 5 nëntor në Shkodër dhe emërimi kardinal i Ernest Simonit, përfshihen të gjitha si ngjarje që e vënë kishën shqiptare në dritën e një rigjallërimi të madh.
Kësaj atmosfere pozitive i shtohet edhe një kontrobut tjetër,mnjë libër që botohet nën kujdesin e Roberto Morozzo della Rocca dhe Andrea Giovanelli.
Della Rocca është i njohur për shqiptarët me një monografi të vetën që trajton pikërisht marrëdhëniet mes kombit dhe fesë në shekullin e 20-të, ndërkohë që libri i ri trajton martirizimin gjatë regjimit të Enver Hoxhës.
“Martirët e Shqipërisë” titullohet libri që ndërtohet mbi dëshmi dhe mbi jetën në burgje të Anton Lulit dhe Gjovalin Zezaj, njëri jeuzit e tjetri katolik laik.
Përmbajtja tingëllon e njohur: të dhëna për torturat, hetuesi surreale dhe procese të montuara, gjithçka nga ai realitet që njihet mirë në Shqipëri, por që i cili ka ende shumë punë për t’u sjellë para brezit të ri me notat reale, pa njëanësi dhe emocion. Jo më kot libri merr përvojën tragjikë të një jezuiti dhe një laiku katolik.
“Ndodhitë e tyre përgjithësojnë vuajtjet e të gjithë Kishës në Shqipëri. Priftërinj, besimtarë dhe laikë”, shkruan autori Mimmo Muolo që e përfundon shkrimin me një fjali jo pa rëndësi:
“Po është momenti i Kishës shqiptare. Jo vetëm për shembullin e besimit te Krishti që tani po prodhon frutet e veta, por edhe si “shkollë e faljes” në këtë vit të Shenjtë të mëshirës”.
Këtij shkrimi që inauguron një të vërtetë zyrtare për kishën në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti, mund t’i shtojmë aspektin cinik që konsumohet këtu te ne nga politika. Në 5 nëntor në Shkodër me siguri do të shohim varganin qeveritar që merr pjesë në ceremoni, me veshje dhe lloj lloj fanfarash që celebrojnë politikanin e përkorë. Por vuajtjet e martirëve, ashtu si na paraqiten këtu, do të kishin marrë një shelbim sado të vogël, nëse ato dosjet e kyçura të persekutorëve do të hapeshin. Që të shihnin të gjithë të vërtetën e asaj që ndodhte pas mureve dhe çka më shumë rëndësi, që të kuptonin më mirë se përse këto dosje u mbajtën të pahapaura për kaq kohë.
Përkundrejt kësaj heshtjeje të një pushteti që sot pretendon se është distancuar nga krimet e komunizmit, ne shohim nisma për muze, apo edhe estradën parlamentare të luftës me ballistë e partizanë, e cila prodhon një konflikt që është produkt i padijes së madhe që qëndron mes Luftës nga njëra anë dhe krimeve të pushtetit që pasoi nga ana tjetër. Një konflikt që vijon të konsumohet si refleks i premisave të gabuara historiografike: fitimtarë nga njëra anë, humbës nga tjetra. Le ta ndajmë më mirë këtë histori në një përballje mes atyre që gabuan dhe atyre që bënë krime, e mandej të gjykojmë sot se cilën anë zgjedhim. Por për këtë do të duhej që të zbardhej e vërteta e arkivave.
Do të ishte në dinjitetin e kishës që të nxirrte nga pararoja e festimeve hipokritë të këtillë, pavarësisht se po kuptohet qartë se Papa Françesku ka një dashamirësi ndaj shqiptarëve, e cila në botën që jetojmë na ndihmonë të gjithëve shumë.
Add new comment