Sondazhi Follow Business Albania: Rritje e ngadaltë e konsumit
Në vitet e fundit, rritja e konsumit privat në Shqipëri ka qënë më e ngadaltë se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Edhe në gjysmën e parë të këtij viti, rritja reale vjetore e konsumit final të popullatës ishte 2.7%, ndërkohë që rritja reale vjetore e ishte më e lartë , 3.1%.
Sipas parashikimeve të FMN-së, rritja e PBB-së do të vazhdojë të jetë mbi nivelin 3% deri në fund të vitit. Ndërsa nga një sondazh i revistës Follow Business Albania, i zhvilluar me 800 qytetarë nga gjithë Shqipëria, duket se konsumi final i popullatës do të vazhdojë të rritet më ngadalë se PBB-ja deri në fund të vitit.
Kështu, 29% e të anketuarve deklaruan se do të shpenzojnë më pak për ushqime e veshmbathje në tremujorin e fundit të 2016, krahasuar me një vit më parë; 51% deklaruan se do të shpenzojnë njësoj; 8% ndoshta më shumë; dhe 13% më shumë.
Nga përgjigjet e të anketuarve rezultonte se ketë tremujor do të ketë më pak familje që do të blejnë mobilje, televizorë, lavatriçe, frigoriferë, vetura, motoçikleta, biçikleta etj, krahasuar me tremujorin e fundit të 2015-ës.
Nga ana tjetër, më shumë familje se vjet në të njëjtën kohë janë duke planifikuar të bëjnë modifikime të banesave të tyre.
Bazuar në përgjigjet e të anketuarve, Follow Business Albania ka llogaritur për herë të parë në Shqipëri Indeksin e Kërkesës Konsumatore (1.02 në tremujorin aktual), i cili do të shërbejë si bazë krahasimi për periudhat e ardhshme. Banka e Shqipërisë ka 14 vjet që llogarit Indeksin e Besimit Konsumator, por luhatjet tremujore të këtij indeksi nuk kanë patur një korelacion pozitiv me ndryshimet reale të konsumit të popullatës (madje kanë patur një korelacion negativ -0.18)
Artikulli i plotë në Follow Business Albania: https://issuu.com/followbusinessalbania/docs/follow_business_-_2
Add new comment