Edi Rama në Përmet, sportiv dhe me veshje firmato: PD nuk nuk bëri asgjë për ju se jeni socialistë
Kryeministri Rama ishtë në Këlcyrë në kuadër të bashkëbisedimit me fermerët për fondin e garancisë nga ku banorët e zonave rurale mund të përfitojnë kreditim për projekte në bujqësi pa qenë nevoja e kolateralit. Sportiv dhe me veshje firmato. Si për kreditë ashtu dhe për cilësinë e prezantimit të kryeministrit del garant shteti. Nismë që vlen për t’u përshëndetur ndonëse është herët për të folur pa parë efektet që do të ketë në terren. Ende nuk janë bërë publike shifra sa fermerë kanë aplikuar dhe sa kanë përfituar, e megjithatë kryeministri i përdor këto takime edhe për të bërë politikë sipas modelit socialist që në fakt ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë vota për partinë në fjalë. Argumenti është se banorët e kësaj zonë janë diskrimunuar nga qeverisjet e Partisë Demokratike sepse janë të majtë. Me pak fjalë kryeministri iu është drejtuar votuesve të abonuar të Partisë Socialiste, sicc ai vetë i trajton këta banorë.
“Ju e dini mire se sa vështirë ka qënë në gjithë këto vite, për shkak të mungesës së plotë të mbështetjes nga shteti; për shkak të braktisjes së qëllimshme të një territori të tërë, që është konsideruar si bastion i të majtës dhe ku qeveria e mëparshme s’ka dashur t’ia dijë fare, ndërkohë që ne, pavarësisht se në Bashkinë e Përmetit ka fituar një kandidat i cili përfaqëson opozitën e sotme, kemi financuar disa herë më shumë sesa çka financuar në 8 vjet Partia Demokratike kur ishte në qeveri”- u tha Rama banorëve të Këlcyrës.
Këtu kryeministri është në fushën e tij dhe talenti nuk i mungon për të argëtuar banorët e zonës, për aq sa kodi i komunikimit mes socialistëve përkthehet në vota.
“E vetmja gjë që bëri Partia Demokratike kur drejtoi Bashkinë ndërtoi një shatërvan, nuk e di a e keni parë, ai shatërvani është tamam fytyra e Partisë Demokratike: një legen i madh blu me pllaka banjoje në mes të qytetit dhe kuptohet pa ujë, me një si skulpturë të lënë nga dhia që ka kaluar atje, të bardhë, një çmenduri që tregon ekzaktësisht vizionin dhe konceptin e Partisë Demokratike për zhvillimin e komunitetit. Jam i befasuar nga ai shatërvan. E pashë sot. Është një vepër monumentale e budallallëkut politik dhe njerëzor që zor se e gjen dot në ndonjë qytet tjetër të botës”- deklaroi kreu i qeverisë, projektet për rilindjen urbane të të cilit mbartin në veteve shumë pikëpyetje si për vlerën ashtu dhe për estetikën.
Add new comment