Kur kanabisi trullos statistikat
Droga është bërë problem serioz imazhi për këtë qeveri. Ministri i Brendshëm nuk mund të korrigjojë dot asgjë; asnjë shifër dhe asnjë e dhënë nuk i ndihmon dot Saimir Tahirit që është një ministër nga i cili si qytetar është mirë të ruhesh. Se çfarë halli është ky këtë tërthorazi e dëshmon një opinion i Carlo Bollinos dje në gazetën “shqiptarja.com”. Bolino i drejton një pyetje Sali Berishës dhe Lulzim Bashës duke ndjekur këtë fill logjik:
“Burimi i të dhënave është Guardia di Finanza italiane, pra një palë jopolitike, e pavarur dhe joshqiptare. Për këtë arsye, është e besueshme. Të dhënat janë këto: Në periudhën 2012-2013, kur në qeveri ishte Sali Berisha, plantacionet e kanabisit në Shqipëri, të fotografuara nga avionët e Guardia di Finanza-s, zinin përkatësisht 321 dhe 323 hektarë, gati të gjitha të përqendruara në zonën e Lazaratit. Në vitin 2012 policia e Berishës dhe Nokës nuk shkatërroi asnjë parcelë të mbjellë me drogë. Në vitin 2013 shkatërroi vetëm 7.5% të tyre.
Tani kthehemi në ditët tona: Guardia di Finanza ka monitoruar në vitin 201,5 44 hektarë parcela të mbjella me drogë dhe në vitin 2016, 211 hektarë (shumë janë, por gjithsesi 30 për qind më pak se ato, të zbuluara në kohën e Berishës) dhe policia e Ramës dhe Tahirit (gjithnjë sipas Guardia di Finanza-s italiane) ka shkatërruar deri 99.8% të mbjelljeve të regjistruara të drogës. Por jo vetem kaq. Në vitin 2012, pas tratativave të gjata dhe të vështira, Guardia di Finanza mori nga Berisha lejen për të kryer vetëm 12 fluturime mbi Shqipëri për të zbuluar mbjellje droge (Berisha nuk donte ndërhyrje të italianëve). Në vitin 2016 Rama i dha liri absolute Guardia di Finanza-s, e cila mundi të kryejë gati 50 fluturime në kërkim të plantacioneve me kanabis. Një pyetje për Berishën e Bashën (dhe për analistët e tyre privatë): Cila Shqipëri i afrohet më shumë një skenari kolumbian? Kjo e sotmja, apo ajo e katër viteve më parë”.
Së pari, ministri dhe kryeministri na kanë thënë se kanë asgjësuar 99.8% të parcelave. Dhe kjo është një statistikë që nuk ka nevojë për referenca krahasuese, pse si shifër është sukses shumë i madh. Është praktikisht asgjësim i plotë i të gjithë parcelave. Mirëpo vjen një ditë dhe ministri i Brendshëm pranon “se ka një problem me kanabisin”. Por cili është ky problem kur na thua se ke asgjësuar gati 100%? Kjo pyetje na çon pastaj tek “analiza” e Bolinos me statistika krahasuese pasi tashmë nuk është problem lufta ndaj trafikut të drogës, por akuzat e opozitës. Me këtë këngë jemi mësuar të gjithë.
Këtu rëndësi ka pohimi kategorik i analistit në fjalë kur thotë se “meqë të dhënat i servir Guardia di Finanza, ato janë 100% të besueshme”. Pala italiane në Shqipëri që asiston policinë shqiptare u përfshi në dy çështje brenda këtij viti: së pari ishte çështja e hapur nga oficeri i policisë Zagani dhe e dyta çështja e pajisjes përgjuese. Në të dyja rastet shpjegimet e dhëna, apo edhe letrat pa firmë që iu servirën mediave shqiptare, nuk japin asnjë garanci për seriozitetin e tyre. Po kështu prokuroria shqiptare ka pretendime se pajisja përgjuese nuk i është vënë në dispozicion nga misioni Interforza që mbuloi kështu një skandal shumë të madh ku po binte ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Është e thjeshtë të thuash se “këto janë shpifje” e makineri balte. Por në çdo rast ky lloj predikimi nuk e thjeshton dot realitetin drejt një atij të një Shqipërie me drogë afër zeros. Drogë ka, kanabis mbillet, policia ëstë e përfshirë dhe mu për këro arsye, të pranuara edhe vetë dje nga ministri i Brendshëm, edhe ato që thotë Guardia di Finanza duhen marrë me shumë, shumë rezervë. Njësoj si avionët e rënë që dikur u quajtën mushkonja.
Add new comment