Ikonoklastia e miteve themeluese
Një episod i serialit vizatimor The Simpsons (i filluar në 1989 dhe akoma në prodhim), i titulluar ironikisht Whacking Day (për t’i qëndruar ironisë: Dita e Dajakut), që parodizon një shkarkim kolektiv e të sistemuar dhune, nga këndvështrimi abstrakt sjell në vëmendje festat laike amerikane të sakralizuara nga feja civile. Rituali qendror i kësaj feste është gjuetia dhe vrasja e gjarpërinjve në Springfield, në përkujtim të një akti që memoria kolektive ia atribuon themeluesit të qytetit, Jebediah Springfield, bashkë me shumë bëma të tjera heroike, si vrasja e ariut, zbutja e bizonit etj. Mirëpo gjatë episodit zbulohet se akti themelues i festës lidhej më shumë me rrahjet e irlandezëve, se në fakt ai kishte qenë viktimë e ariut dhe bizoni kishte qenë i zbutur.
Episodi kushtuar dyqind vjetorit të themelimit të qytetit rikthehet sërish te Jebediah, ku nxënësit e fillores, pjesë e mozaikut të celebrimeve, duhet të përgatisin një detyrë kërkimore lidhur me heroin, e pikërisht me atë rast Liza Simpson zbulon një dokument që e përshkruan Jebediah si pirat të përfshirë në disa vrasje e deri madje edhe në një atentat ndaj George Washington-it. Pas shumë pengesash, nga shkolla (merr notën e ulët F) dhe sidomos nga drejtori i muzeut, Lizës i jepet leja për të shpallur publikisht zbulimin, ndërkohë që kryebashkiaku vendos një snajperist për ta qëlluar, nëse do të thotë të vërtetën. Në fund, e ndodhur përpara luzmës, ajo zgjedh të respektojë memorien e heroit, duke hequr dorë nga e vërteta historike në favor të modelit që Jebediah frymëzon.
Pyetjes së shtruar nga Natale Spineto se “a duhet që njerëzit të mbahen në injorancë në favor të tërësisë?”, pra në emër të së mirës publike (të prodhuar në këtë rast nga dimensioni funksional i mitit), historiani George Mosse – i cili ka lënë kontribute të çmuara rreth procesit të nacionalizimit të masave –, nëpërmjet çmontimit të mitologjisë së betejës së Langemarck-ut (11 nëntor 1914), i përgjigjet duke i dhënë përparësi historiografisë ose, thënë ndryshe, asaj metodës kritike që Friedrich Nietzsche i njeh rrezikshmëri nëse aplikohet me tepri (Kush e vendos limitin e teprisë? Sa është masa? Po kriteret? Fiksohet një herë e përgjithmonë? A shmanget kështu ngashënjimi?).
Versioni zyrtar e lartësonte betejën si një triumf i vullnetarëve gjermanë ndaj francezëve, të cilët, për më tepër, shkuan drejt vdekjes së lavdishme duke kënduar “Deutschland, Deutschland über alles”. Beteja hyri në histori si fitore e jashtëzakonshme e arritur kryesisht nga “Të rinjtë e Langemarck-ut”. Gradualisht u shndërrua në kult, në mit themelimi i sakrificës së rinisë gjermane për ripërtëritjen e atdheut, në frymëzim për artistë që e madhëruan si model, e rrjedhimisht do të përdorej nga nazizmi për të ngashënjyer ithtarë në emër të kauzës së tij, pikë së pari studentë, të cilët edukoheshin me frymën e Langemarck-ut. Adolf Hitler-i e citon në Mein Kampf betejën, ku ai vetë mori pjesë, pikërisht lidhur me komponentin e flijimit rinor dhe të këngës Deutschlandlied të dëgjuar prej tij në atë zallamahi e që më vonë do të bëhej himni i flamurit gjerman.
Në fakt, vëren Mosse, studentët e pranishëm ishin 18% dhe pjesa më e madhe e vullnetarëve përbëhej nga prindër e zanatçinj. Beteja u kushtoi gjermanëve 145 mijë të vrarë dhe nuk u siguroi asnjë avancim. Madje as nuk u zhvillua fare në vendin e adhuruar, por në Bixchote, 5 km më tutje, që propaganda e mënjanoi sepse toponimi tingëllonte si tepër francez. Mosse i jep goditjen përfundimtare betejës simbol të pagëzimit të rinisë gjermane në luftë kur shton se “Deutschland, Deutschland über alles” ishte kënduar nga ushtarët jo për patriotizëm – dihet se Deutschlandlied nuk ka as ritmin e përshtatshëm për marshim lufte – por për t’u dalluar disi në mes të mjegullës, në mënyrë që, të paktën, t’i shpëtohej zjarrit të shokëve. Miti i ngritur mbi një lavdi të sajuar zgjohet kështu turpërisht qesharak e bashkë me të modeli i brendësuar nga sistemi nacionalsocialist për të prodhuar përjashtim e dhunë ndaj Tjetrit, që orientoi popullin me aq kontribute në civilizim drejt një deliri kolektiv të pashoq.
Çështja e shtruar nga Liza është pezullimi i të vërtetës historike për të mos lënduar ndjesitë dhe pritshmëritë e komunitetit, ndërsa Mosse refuzon kompromisin me të pavërtetën jo edhe aq për faktin, në vetvete të mjaftueshëm, se rezultat i saj janë, ose mund të jenë, dhuna e përjashtimi, sesa për zgjedhjen e të qenurit historian, për të cilin e vërteta historike nuk ka si njësi matëse të mirën e të keqen. Fundja kush do ta përcaktojë këtë raportim? E kaluara është dëshmitare, dhe eksperienca e totalitarizmit në Shqipëri e konfirmon më së miri, se elitat lejojnë të përdoren dhe manipulojnë. Nga ana tjetër masa nuk është e huaj në zgjedhjen e Barabës në vend të birit të Zotit. Ndaj edhe Mosse, ndryshe nga mendimi i Nietzsche-s për historinë, respekton kriteret e një objektivizmi, sigurisht joperfekt, që e ndihmon ta zgjidhi dilemën e Lizës pa rrezikun e ndërvarjes mes një dogme, kaste e pushteti të memories, ku, përkundër, pluskojnë shoqëritë me trashëgimi totalitare gjalluese, përfshi ato të cilat nuk kanë arritur të konvertohen në një fe civile, ndodhen ende në një proces fabrikimi identitar dhe strukturat e djeshme mito-simbolike rrezikojnë të jenë përjashtuese aq sa nevojitet një manipulim konstant.
"Postbllok.com"
Comments
So what? Do të thoshte
So what? Do të thoshte profesori im i filozofisë! Shkrim i thellë po i shkruar këtu është pa qëllim, pa lidhje, pa audiencë!
Po më Birin e Zotit ç'do që ngatërrohesh? Kur s'je teolog mos merr kot shembull nga teologjia se del bllof. Por, sa për Simpson, je në rrugë të duhur. Keep on studying the serial and you'll learn more American weltanschauung then any academia.
Add new comment