Supermazhoranca ASHE përmes numrave
Fuqia elektorale e mazhorancës së sotme duket absolute. Edhe të disfavorizuar me përzgjedhjen e kandidatit të vjetshëm për bashkinë e Dibrës, edhe pse opozita u angazhua mjaft të fitonte këtë betejë strategjike, prapëseprapë Dibra prodhoi një rezultat surprizues, i cili në një këndvështrim të parë, pa u thelluar, jep idenë që vitin tjetër do kemi numerikisht një mazhorancë siç kishim ne vitin 1991 apo ne vitin 1992.
Në këtë analizë do përpiqem ta racionalizoj këtë situatë popullariteti duke analizuar Dibrën dhe duke gjetur diçka të përbashkët me zgjedhjet e kaluara. Në një artikull të vitit 2014 ( http://www.respublica.al/arkiv-opinion/supermazhoranca-aktuale-sipas-numrave ) kisha analizuar shpërndarjen e votave duke konstatuar luhatjet e forta të përqindjeve në zona territorialisht afër për subjektin LSI, gjithashtu duke bërë krahasimin me shifrat nga zgjedhjet e mëparshme. Ky fenomen përsëritet edhe tani në zgjedhjet e 11 shtatorit për kryetar bashkie të Dibrës, ndonëse jo me impakt deçiziv përsa i takon përcaktimit të fituesit.
Bashkia e Dibrës ka gjthsejt 15 njësi administrative (ish komunat dhe ish bashkitë). Për çdo njësi administrative kam paraqitur tek grafiku i mëposhtëm dispersionin e përqindjeve të votave për të dy kandidatët që konkuruan në zgjedhjet e 11 shtatorit.
Mesatarja e devijimeve (dispersioni) të përqindjeve të votave të fituara nga kandidatët nëpër qëndrat e votimeve nga mesatarja e përqindjeve të tyre për çdo njësi administrative.
Vërejmë që njësia Tomin ka dispersionin më të madh, që do të thotë se mbështetja për kandidatët ndryshon shumë nëpër qëndrat e ndryshme të votimeve brenda kësaj njësie. Tabela e mëposhtme jep një ilustrim për këtë ndryshim.
Nëpër QV e tabelës së mësipërme vërehet një ndryshim i madh i mbështetjes për kandidatët , ndërsa po të krahasohen rezultatet e tanishme me ato të vitit 2015, vërehet mungesa e konsistencës së ndryshimeve. Në QV 1154 një lëvizje tepër e fortë majtas , ndërsa në QV 1163 një lëvizje e fortë djathtas.
Që të mos e zgjas me tabela e shifra më tepër, po konkludoj që sa më i madh të jetë dispersioni (nga grafiku për njësinë administrative), aq me i pranishëm do të jetë fenomeni i kaotizmit në shpërndarjen e votave për kandidatët. Kështu, kaotizëm paraqitet edhe njësitë Kastriot, Fushë Cidhën, ... , kurse me tepër stabilitet ka në qytetin e Peshkopisë.
Duke shtuar që kjo analizë nuk ka qëllim të merret me Dibrën konkretisht por me fenomenin që shfaqet përherë e më tepër në zgjedhjet shqiptare, luhatjet kaotike dhe mbështetja iracionale (e shprehur në shifra) që marrin subjektet politike, sidomos në zonat rurale.
Kështu, ky kaotizëm nuk të lejon të bësh parashikime efektive në të ardhmen mbi baza analitike, që do të thotë se do kemi mjaft rezultate surprize për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Mjafton të përmend faktin që deputeti Tom Doshi në vitin 2013 bëri një parashikim shumë më të saktë për rezultatin në Shkodër sesa analistet, dhe surprizues në saktësinë e tij në raport me pritshmëritë e opinionit dhe traditën e Shkodrës që votonte historikisht djathtas.
Dikush mund të ketë dyshime për manipulime apo krim elektoral (siç shprehet opozita), dikush mund të mendojë se zonat rurale kanë përparuar aq shumë në mentalitet dhe në mënyrën e perceptimit të politikës, saqë prodhojne vetëm surpriza me progresin e tyre.
Gjithsesi, ky është një fenomen në rritje përherë e më tepër dhe gjithashtu ka impakt përherë e më të madh në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.
Sidoqofte, populli vendos! Se si, ne ç’mënyrë, e në ç’formë, mbetet ta shohim...
Add new comment