Ligji i Vettingut/Fletë Përgëzimi për koalicionin PS – LSI nga Ambasada e ShBA-së

Postuar në 30 Gusht, 2016 22:39

Ligji për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kaluar sot në parlament pa votën e opozitës. Ky akt i rëndësishëm politik e legjislativ kreditoi krejt pa bazë një paradë deklaratash që provojnë krizën reale të vendit. Kryeministri nxitoi të shpallte soliditetin e koalicionit dhe rikthimin e drejtësisë në Shqipëri, ndërkohë që thjesht është hapur një proces i gjatë dhe i ndërlikuar.

Ilir Meta, malësori nga Skrapari, u mësoi sot të gjithëve që e panë në televizor sesa të lehtë e ka ta dredhë fjalën, kur konsensusin e shumë përfolur e konvertoi sa hap e mbyll sytë në një artific që nuk vlen më. Është padyshim akti më i fundit i dëshpërimit, por edhe frikës që e nxori në dritë reale Ilir Metën, i cili e lë sot opozitën parlamentare në alternativën e radikalizimit parlamentar e jo vetëm dhe në një periferi numrash që me gjasë do të riciklojnë ndjeshmëritë krahinore. PD-së aktualisht i mbetet vetëm një betejë e madhe: reforma zgjedhore.

Një tjetër deklaratë erdhi nga Ambasada Amerikane e cila i vë shenjën pozitive vetëm votës “pro”, pavarësisht sfera e veprimit parlamentar e legjislativ e bazon forcën tek e kundërta: tek liria e votës. Atë liri të cilën kaq shumë e kërkonte ambasadori Lu pak kohë më parë, kur u drejtohej deputetëve që t’i drejtoheshin ndërgjegjës dhe përgjegjësisë së tyre kur të votonin për ndryshimet kushtetuese.

“Ambasada e Shteteve tё Bashkuara mirёpret vendimin e Parlamentit tё Shqipёrisё pёr tё miratuar ligjin e parё pёr zbatimin e reformёs nё drejtёsi. Ky ligj i rёndёsishёm do tё fillojё procesin e rivlerёsimit tё prokurorёve dhe gjykatёsve.

Pёrgёzojmё ata Anёtarё tё Parlamentit tё cilёt votuan nё favor tё kёtij hapi tё rёndёsishёm pёr zbatimin e amendamenteve kushtetuese tё aprovuara unanimisht mё 22 korrik. Presim tё shohim aprovimin e plotё dhe nё kohё tё ligjeve tё tjera pёr zbatimin e kёsaj reforme kritike qё gёzon mbёshtetjen e shumicёs dёrrmuese tё shqiptarёve”, thuhet në deklaratë. E cila miraton kështu edhe faktin se amendimet e PD-së nuk duheshin konsideruar.

Situata ka precipituar pra në një provë asimetrike force që tejkalon prerogativën parlamentare që është vota dhe fjala. Sot kemi bllokun monolit PS - LSI - ShBA kundër opozitës parlamentare në emër të një projekti që u hartua dhe miratua sipas një axhende të caktuar, ndonëse u shpall si interes kombëtar.

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

PS-LSI-SHBA jane me te fuqishem se PPSH dikur! Po vazhdoi ky koalicion do kalojne shume shpejt deputete nga e djathta tek Rilindja! Duket qe SHBA po e "mbeshtet" opoziten ashtu si Bashkimi Sovjetik forcat opozitare ne Shqiperi ne vitet 50! Pervec faktit qe Bashkimi Sovjetik ishte me i sinqerte!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.