Garancitë e Policisë së paradave
Ditët e fundit policia ka ndërmarrë një tur prezantimi në zonat bregdetare të vendit, duke çelur një panair ku ekspozon mjetet dhe logjistikën për t'i bërë ato më të prekshme për qytetarët. Në rolin e spikerit është vetë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Drejtori i Policisë, Haki Çako.
Nisma të tilla ndoshta nuk duhen paragjykuar sepse e afrojnë më shumë policinë me komunitetin, por ajo që përpiqen të përcjellin në publik krerët e policisë bie ndesh me realitetin. Ja çfarë ka thënë Haki Çako në hapjen e panairit në Himarë. "Ne tregojmë me këtë që jemi në shërbim të komunitetit në çdo kohë dhe me të gjitha mundësitë tona, duke i ofruar atij të gjitha llojet e shërbimeve, por duke e rritur në mënyrë të ndjeshme sigurinë, si për qytetarët shqiptarë të cilët pushojnë në bregdetin shqiptar dhe në të gjitha vendet e tjera të rëndësishme turistike që ofron e gjithë Shqipëria, por edhe për të gjithë shtetasit e huaj të cilët kanë qenë të shumtë që kanë vizituar bregdetin e gjithë Shqipërinë këtë verë".
Mjafton vetëm rasti i turistit rus në Himarë për të kuptuar se çfarë garancish ofroi polica këtë sezon për turistët e huaj. Për të mos përmendur rastin tragjik të 12 vjeçarit në Palasë që mbeti viktimë e kanibalizmit të një të sëmuri mendor që lëvizte lirshëm në publik. Prania në panairin e policisë bëri që polumbarët e RENEA-s të shkojnë me disa orë vonesë për nxjerrjen e trupave të dy 17 vjeçareve të mbytur në rezervuarin e fshatit Qatrom të Korçës. Ndaj dhe Haki Çako mund të vlejë si prezantuesh panairesh, po jo si drejtues i policisë.
Add new comment