Qeveri teknike dhe një sistem i ri zgjedhor. PD-ja zbulon paradhënien e marrëveshjes elektorale me LSI-në

Postuar në 12 Gusht, 2016 18:50

Skenari i qeverisë teknike, formalisht si kusht për zgjedhje të lira, zyrtarizohet si axhendë kryesore e opozitës parlamentare. Në një prononcim për “AbcNews”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se qeveria teknike është e vetmja mënyrë për të siguruar integritetin e zgjedhjeve.

Unë kam bërë një ftesë para më pak se një jave për një marrëveshje politike mes gjithë aktorëve politikë, pa përjashtuar e paragjykuar askënd, që ky të jetë një akt politik konsensual. Por e kam bërë po ashtu të qartë që ndërsa ftesa ime qëndron, po kështu jam I bindur që t’i prij me PD-në dhe gjithë opozitën e bashkuar një lëvizjeje popullore për ta detyruar këtë mazhorancë në numra por të rënë në legjitimitet që të pranojë qeverinë teknike, si i vetmi shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Qeveria teknike është kushti patejkalueshëm. Dy rrugë ka meqë më pyetët, njëra është ajo e bashkëpunimit politik, tjetra është e presionit popullor”, tha Basha.  

E ndërkohë që ka vlerësuar rolin e Ilir Metës, kryetar i LSI-së, në procesin e negociatave për reformën kushtetuese, si parimor, Basha, ka zbardhur edhe atë që mund të quhet paradhënia e një marrëveshjeje zgjedhore mes PD-së dhe LSI-së.

T’ju them se çfarë kam problem? Mospërfaqësimin e qytetarëve. Kam problem një parlament që është mbushur me horra kriminelë edhe pse amendamentet e 2008 duhej të rrisnin cilësinë…Një qeveri ku pas çdo akti fsheh hajdutërinë e radhës…Përtej zgjedhjeve të lira, jam i vendosur për t’i dhënë shqiptarëve një sistem përfaqësues. Se si do ta arrijmë kjo mbetet jo vetëm pjesë e punës së ekspertëve por edhe e vullnetit politik”, tha më tej kreu i PD-së.

Një sistem përfaqësues është në fakt një përmbushje e kërkesave të partive të vogla, që aktualisht janë kryesisht djathtas, por edhe LSI-së. Sistemi aktual proporcional rajonal dikton koalicionet dhe formula e përllogaritjes së mandateve në të, penalizon subjektet e vogla, por në tërësi lë pa përfaqësim një numër të madh votash. Për një parti si LSI-ja ka vlerë çdo votë, por që ajo duhet rregulluar të përfaqësohet.  Në vitin 2013 u fol për korrigjimin e sistemit aktual, proporcional rajonal, çka do të thotë që votat e marra nga një parti e të papërllogaritura të mund të gjejnë përfaqësim. Janë rreth 160 mijë vota të papërfaqësuara që sipas partive të vogla, lënë ato jashtë Kuvendit padrejtësisht. Po kështu, ndërhyrja në sistem, me parimin e zgjerimit të përfaqësimit i lë rrugë daljes më vete të LSI-së, e cila është aktor shumë i interesuar për këto propozime të Lulzim Bashës. Dhe një dalje më vete, si një skenar teorik, e çliron partinë e Metës nga paragjykimi për prishje të marrëveshjes. Këto janë hipoteza, por fakti që Basha flet për qeveri teknike dhe premton reformë zgjedhore  përfaqësuese, flasin për atë se ai ka një marrëveshje të pashkruara me disa partnerë që të vërë në lëvizje një skenar të tillë. Këtu hyn ndoshta edhe riformatimi i përbërjes së KQZ-së, ku sot Kontrolli i Lartë i Shtetit dha një goditje me kallëzimin në prokurori të Lefteri Luzit, kryetare e këtij institucioni. Më tej akoma, nuk është më sekret që një korrigjim i sistemit aktual, i hap rrugë përfaqësimit edhe të Aleancës Kuq e Zi, e cila në zgjedhjet e fundit mori vota jo pak, por pa arritur në Parlament. Thjesht: premtimi për reformën zgjedhore zbardh skicën e një draft marrëveshjeje elektorale të PD-së me LSI-në dhe aktorë të tjerë. PD-ja fiton jo pak me pretendimin për të rrëzuar Edi Ramën, që nuk e bën dot pa LSI-në(apo edhe PDIU-në, që fiton me një sistem tjetër elektoral).

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.