Komedia socialiste/Një qëndrim ndryshe çdo ditë për sistemin e drejtësisë
Bashkia e Tiranës ka dalë sot me një deklaratë rreth vdekjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë. Ajo i ka dhënë një përgjigje akuzave të këshilltarëve të djathtë në këshillin Bashkiak, sipas të cilave me mbetjet zhvillohet një biznes i lidhur drejtpërdrejt me kryetarin Erjon Veliaj. Në reagimin e vet Bashkia thotë:
“Bashkia e Tiranës po ndjek me vëmendje hetimin e fatkeqësisë në Sharrë dhe mbështet punën e organeve ligjzbatuese të përfshira në ngjarje. Në përfundim të hetimit do të zbatojmë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse. Territori i landfillit në Sharrë përfshin disa hektarë sipërfaqe në periferi të Tiranes, të cilat në 4 vitet e fundit degjeneruan në një fushë-betejë për grumbulluesit e mbetjeve. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, po projekton landfillin e ri, për të rikuperuar gjendjen e mjerueshme të viteve të fundit. Deri në atë fazë, vazhdojmë t’u bëjmë thirrje qytetarëve të mos afrohen në zona të ndaluara, e ku punohet me mjete të rënda”, citohet.
Nuk po merremi me përmbajtjen e deklaratës për atë që ka ndodhur në Sharrë, por me rrugën që po ndjek bashkia për të rrëzuar akuzat ndaj saj. Ajo po na thotë me gojën e drejtuesve të saj se do të presë hetimet, se i mbështet ato, e në bazë të tyre do të reagojë. Një qëndrim thuajse i pabesueshëm krahasuar me atë të PS-së, partia që e drejton Bashkinë, e cila përkundrejt një vendimi të Gjykatës Administrative në Dibër, doli me një qëndrim kontestues, përmes të cilit “vuri edhe njëherë në dukje nevojën e reformës në drejtësi dhe të vettingjut”.
Janë karagjozllëqe që PS-ja i ka bërë pronë intelektuale të vetat prej kohësh, por të paktën kërkohet një konsistencë në këtë drejtim. Një ditë vendimet nuk na pëlqejnë dhe sistemi duhet reformuar, e një ditë presim hetimet dhe i mbështesim ato. Pra kemi besim te sistemi. Është e lexueshme se me hetimet, që janë ngritur mbi një ngjarje ku vështirë se mund të gjendet ndonjë provë që fajëson Bashkinë, kjo e fundit dhe kryetari i saj, kërkojnë alibinë. Te prokuroria adresoi PD-në edhe Ministria e Brendshme që është nën akuzë politike e publike për trafikun e drogës, pa harruar këtu faktin se Bashkia që sot mbështet hetimet, deri më dje protestonte ndaj një vendimi gjykate. Nuk dihet se ku do të dalë kjo lojë kalamajsh tekanjozë që kalërojnë paratë publike, por është shumë e çuditshme që partnerë të Shqipërisë, siç quhen, të shprehin konsiderata dhe besim, për përfaqësues politikë të këtillë, me dy qëndrime e dy standarde, me formim të shformuar mbi normat elementare juridike në çështje administrative, e të cilët çfarë thonë në mëngjes e zhbëjnë në darkë. Ja le të pyesim nisur nga kjo zikzake: a ka besim Erjon Veliaj te hetimet që po bëhen për çështjen e falsifikimit të firmës, ku ai është i akuzuar direkt? Dhe a do të respektojë vendimin e gjykatës për të, ndonëse siç po duken punët, Prokuroria e Adriatik Llallës e ka shumë të vështirë të mbyllë dosjen hetimore.
Add new comment