Fatmir Xhafës i kërkohet largimi
Opozita ka përshkallëzuar sulmin ndaj kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar largimin e tij nga Komision, pas denoncimeve të bëra nga vetë Partia Demokratike për implikimin e vëllait të Xhafës në trafik ndërkombëtar të drogës.
“Fatmir Xhafaj nuk mund të vazhdojë të jetë më pjesë e këtij komisioni, aq me tepër ta drejtojë atë. Ai është në konfliktin me të rrezikshëm të interesit, dhe i papranueshëm në sytë e çdo qytetari. Aq më tepër kur, edhe pas publikimit të fakteve, ka heshtur dhe nuk ka mbajtur asnjë qendrim publik, nuk ka dhënë asnjë shpjegim para shqiptarëve për këtë implikim të tij. Komisionit për Reformën në Drejtësi duhet t’i rikthehet menjëherë legjitimiteti me largimin nga drejtimi të vellait të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj. Ndaj është emergjent largimi i vëllait të trafikantit ndërkombëtar të drogës dhe çmontimi i planit ogurzi të Ramës.”-thuhet në deklaratën e PD-së
PD ka publikuar një vendim të Gjykatës së Lartë të Venezuelës ku përmendet emri i Agron Xhafajt si pjesëtar i një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës. Opozita thotë se për Xhafajn ka kërkesë ekstradimi, gjë që policia e mohon. Nga ana tjetër ish-kryeministri Berisha akuzon kryeministrin se ka marrë 1.3 milionë euro për ya fshehur kërkesësn, pretendim që është hedhur poshtë nga kreu i qeverisë.
Add new comment