Malajzi/Megamashtrimi financiar përmes “projekteve strategjike”. Nga kryeministri deri te financimi i filmit “Ujku i Wall Street”

Postuar në 30 Korrik, 2016 03:55

Çfarë mund të prodhojnë kur bëhen bashkë biznesmenë në kërkim të fitimit të shpejtë, një kryeministër i korruptuar dhe një nevojë për të marketuar sukses ekonomik? Shumëçka, por në rastin e Malajzisë kanë prodhuar atë që prokurorja e Përgjithshme në SHBA, Loretta Lynch, e cilësoi si “rasti kleptokratik më i madh në historinë e SHBA”. Skandali që është investiguar dhe publikuar në fillim të këtij viti nga gazetarja Clare Rewcastle Brown në “The Guardian”, përfshin kryeministrin e Malajazisë, Najib Razak, këshilltarin e tij, të riun, Jho Low, kompaninë me bazë në Londër, “PetroSaudi”, poseduar nga një saudit me emrin Tarek Obaid dhe princi Turki bin Abdullah, djali i shtatë mbretit Abdullah bin Abdulaziz,  si dhe një zyrtar të saj, njeriun që hapi kasafortën e dokumenteve me 227 mijë emaile, Xavier Justo.

Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka nisur ndërkohë edhe një hetim paralel për kompaninë e njohur, “Goldman Sachs”, e cila u bë pjesë e skemës përmes bondeve dhe sigurimit të financimeve, por për të cilat ka mohuar të kishte dijeni. GS-ja fitoi nga kjo xhiro 593 milionë dollarë, ndërkohë që aktorët e përfshirë në këtë skemë gjigande pastrimi parash qarkulluan dhe përfituan 3.5 miliardë dollarë nga një fond publik shtetëror investimesh në Malajzi. Këto para qëndrojnë pas financimit të vilave, apartamenteve në New York dhe Los Angeles, argjendarive, shëtitjeve me jahte të Loë me Lindsay Lohan dhe Paris Hilton, si dhe financimit të filmit “Ujku i Wall Street”.

Një përmbledhje e shkurtër

Sipas historisë së zbardhur nga gazetarja Brown dhe pesë muaj pas saj nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, gjiithçka filloi me arrestimin në Tajlandë të Xavier Justo, i akuzuar për shantazh ndaj ish-punëdhënësit të vet “PetroSaudi”.  Në të vërtetë, Justo pasi kishte dalë nga xhiroja e kompanisë ku punonte kishte kërkuar 2 mlionë dollarë, që iu refuzuan. Dhe për 2 milionë dollarë ai ofroi dokumentet për gazetaren në fjalë, e cila kishte dëgjuar të flitej në Malajzi për këtë histori. Paratë për blerjen e informacionit i dha një biznesmen  i fuqishëm në botën e medias, posedues i “The Edge”, Tong Kooi Ong. 

Sipas “The Guardian” në vitin 2009, kompania “PetroSaudi” ishte një firmë e panjohur në Londër.  Justo dhe Tarek Obaid ishin miq të hershëm dhe synimi i sauditit ishte depërtimi në sferat e larta.  Meqenëse vëllai i tij ishte këshilltar i ambsadorit saudit në Londër  dhe ortaku ishte djali i mbretit, Obaid shpresonte që të luante me këto kredenciale.  Si objektiv ishte përfitimi i një pjese nga të ardhurat e naftës që gjeneroheshin nga kompani shtetërore në vende në zhvillim. Më tej “PS” mendonte të operonte me shumë zgjuarësi: ““PetroSaudi” u deklaronte partnerëve potencialë se kontrollonte fusha nafte në Azinë Qendrore të cilat mund t’i vendoste si kolateral me synim sigurimin e parave nga investitorët shtetërorë”, shkruan “The Guardian”. Dhe këtu hyn në lojë Malajzia dhe fondi i saj i investimeve 1MDB, krijuar në vitin 2009.

  1. Marrëveshja e Parë

 

Në gusht të vitit 2009, u arrit edhe marrëveshja e parë pas takimit në një jaht ku mori pjesë edhe kryeministri Najib Razak -  i cili në dokumentet e Deprtamentit të Drejtësisë, cilësohet si “Zyrtari nr. 1 në Malajzi”. Në një vizitë të këtij të fundit në Arabinë Saudite u ra dakord që “PetroSaudi” dhe “1MDB” të bashkëpunonin për investime në projekte me impakt të madh që kapnin vlerën e 2.5 miliardë dollarë. “Sipas Departamentit të Drejtësisë marrëveshja ishte një pretekst për të mbuluar transferimin e më shumë se 1 mld$ nga 1MDB drejt një llogarie bankare në Zvicër, e kontrolluar nga Loë. “PetroSaudi” ka deklaruar se fondet e 1MDB-së u janë paguar përherë enteve që posedohen nga aksionerët e saj.  Marrëveshja u mbyll në një kohë rekord: për një muaj”, shkruan “The Guardian”.

  1. Marrëveshja e Dytë

U ideua më 9 shtator:  “PetroSaudi” do të kontribuonte me 1.5mld$ në naftë dhe asete gazi në bashkëpunim me “1MDB” që do të injektonte 1 mld$ në kartëmonedhë.  Sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA, “1MDB” transferoi 300 milionë$ në një llogari krijuar për këtë bashkëpunim, por pjesa e mbetur prej 700 mln $ u kalua në një llogari bankare në Zvicër në “RBS Coutts”, kontrolluar nga kompania e regjistruar në Seychelles “Good Star”. Sipas DD-së u dhanë informacione të rreme nga “1MDB” për pronarin e “Good Star” vetëm për të mundësuar transferimin e 700 mln $. Në 30 shtator “Good Star” pagoi Obaid me një shifër prej 85 mln $ si komision brokerimi që u depozituan në llogarinë e Obaid në “JP Morgan”. Në 20 tetor Obaid kërkoi që 33 mln $ të kalonin në një llogari që i përkiste një drejtuesi të “PetroSaudi”. Katër ditë më vonë, ky zyrtar nis përpjekjet për hapjen e një kompanie offshore”.

Ky është pak a shumë skenari sipas gazetës britanike, i cili i hapi rrugën transferimit të shumave  marramendëse, të cilat zyrtarisht duhet të ishin investime për Malajzinë, por që në fakt ishin asgjë më shumë se një vjedhje e përmasave gjigande. Ndarja e të ardhurave nga ky operacion, mendohet se ka mundësuar çdo blerje pasurish të patundshme, çdo investim privat nga personat e përfshirë në të, ndërkohë që e ekspozoi fondin shtetëror ndaj një akumulimi borxhi që nuk justifikohej me investimet zyrtare. Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka ndarë skemën në tre pjesë që japin lehtësi për ta kuptuar:

“1 mld$ të vjedhura nën sebepin e investimeve në bashkëpunim me “PetroSaudi”.

1.4 mld$ në formën e bondeve të emetuara nga “Goldman Sachs” të transferuara mandej përmes mashtrimit në një kompani zvicerane offshore

1.3 mld$ të përfituara sërish me ndihmën e “Goldman Sachs” përmes injektimit në treg të parave të devijuara mandej drejt llogarive në Singapor”.

Një skemë e zhvilluar në një vend aziatik por që u hetua në Perëndim dhe SHBA, pse qarkullimi i sasive të tilla të parave është padyshim një problem, i cili me “Panama Pappers” vetëm sa u gërvish. Sa për analogjinë me rastet në Shqipërisë, ato mund të sillen jo vështirtë në mendje. 

 

https://www.theguardian.com/world/2016/jul/28/1mdb-inside-story-worlds-b...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.