Cila histori festohet?
Partia Socialiste ka vendosur sot nuk dihet për ç’arsye të festojë 25 vjetorin e krijimit të saj më 12 qershor 1991. Është një festë që e gjen këtë parti larg atij skeleti dhe mendjeje të viteve të para, apo edhe të periudhës së parë qeverisëse. Nuk lidhet me një apo dy emra, por me një frymë që u gjeti përfaqësim disa vlerave, degradimi dhe braktisja e së cilave nisi gjithsesi qysh atëherë.
Ndaj në këtë ditë zyrtare feste, konsumohet një trill i oborrit dhe ekipit drejtues që ndjen se ka nevojë ende për ata që i shkojnë pas kësaj partie prej 25 vitesh. Edhe pse sot shumë pak mund të shikosh ndonjë refleks të asaj që PS-ja ishte apo mendohej të ishte. Ajo është konvertuar në një turmë që drejtohet në mënyrë të mbyllur nga një bërthamë që operon si sekt monokratik, aty aderojnë njerëz ndër më të pasurit, hyjnë e dalin gjithfarë cv-sh. Aty po ngulitet rituali i teserave për njerëz të ekselencës, por edhe të krimit, në memorien politike të të cilëve qëndron vetëm ambicia e kultivuar si përkatësi klase/kaste dhe nevoja për të fituar imunitet.
Aty mungon dhe është asgjësuar historia dhe kujtesa e “veprave”, arritjeve, ideve, debateve pa dorovitje nga pas, programit dhe sidomos përpjekjes opozitare. Nuk ka asgjë për të idealizuar në politikë, por në një vend si Shqipëria është arritje edhe normalizimi dhe relaksim human i një partie që pason një strukturë të mbyllur dhe me përgjegjësi historike se PPSH-ja. E që po rikthehet po aty.
Është arritje kur disa vlera sado formale qofshin, kthehen në paradigmë mentale dhe politike, pasi konfirmojnë një dëshirë për të përmbysur inercinë topitëse të Diktaturës. Dhe japin mundësi apo shanse për korrigjim.
Çfarë mund të festojnë sot ata që deri më dje “bënin jetë partie” si kundërvënie ndaj Berishës? Asgjë me gjasë. Përveç karriges dhe ndonjë kocke që është vërtitur si buqeta e nuses në dasëm, për ta kapur ai që ka fat. Sot festohet vetëm një gjë: gëzimi që kryetari “më ka ftuar”. Që jam aty, sepse siç thotë një kategori sociaistësh të vjetër: “Unë jam me partinë. Kryetari është i përkohshëm”. Një kryetar që deri më dje deklaronte se në 20 vjet nuk është bërë asgjë, e ndërsa sot shfaq dokumentarin e arritjeve të PS-së në vite. Nevojtari i madh i konsensusit, i një dashamirësie që dikur e përçmonte, por sot e gjuan me sy e me faqet e veta online, e paguan me foto dhe buzëqeshje apo me shaka me spërkla pështyme në pritje të fundvitit.
Është një kryetar që ka të drejtë të festojë, pasi hyri në një rrugë dhe mori një parti që ndonëse e strukturuar, e pranoi “aksidentin” e një drejtuesi outsider. Pranoi një garë të cilës nuk i dihej fituesi. Dhe kjo është jo pak e rëndësishme për një parti ku kryetari intepreton gjenu(i)alisht statutin dhe mandatin e tij.
Le ta konsiderojmë këtë si shenjë të fundit hapjeje, pas dorëheqjes së Fatos Nanos. Ajo është në fakt edhe fundi i historisë së asaj që u tha se nisi në vitin 1991. Të tjerat janë letra muri të personalizuara të një grupi që fitoi mbi të gjithë. Me koston e shkërmoqjes dhe zhbërjes së një kontributi prej dy dekadash.
Add new comment