Ditëlindjet e Famshme në 14 Gusht – Celebrity Birthdays on August 14

Postuar në 14 Gusht, 2011 02:17

 

Mila Kunis, aktorja amerikane me origjinë ukrainase mbush 28 vjeç. Ajo lindi më 14 gusht 1983 në Chernivtsi, Ukrainë dhe së bashku me prindërit u shpërngul në Los Angeles, California në vitin 1991, kur ajo ishte shtatë vjeçe. Ajo u bë e njohur me rolin e Jackie Burkhart në serialin komik That 70s Show, përkrah Ashton Kutcher, dhe zërin e Meg Griffin në serialin e famshëm të animuar Family Guy. Ajo interpretoi më pas në role te rëndësishëm në filma shumë të sukseshëm si Rachel Jansen  në filmin Të Harrosh Sarah Marshall (Forgetting Sarah Marshall), Mona Sax në filmin Max Payne dhe tani si Jamie në filmin që po shfaqet në kinema Shoqëri Me Përfitime (Friends With Benefits).   

Halle Berry, aktorja dhe ish top modelja  e famshme amerikane, fituesja e çmimit Oscar, mbush sot 45 vjeç. Ajo lindi në Cleveland, Ohio më 14 gusht 1966 nga një nënë e bardhë dhe një baba afrikano-amerikan. Përpara se të bëhej aktore ajo mori pjesë në konkurse bukurie dhe u bë shoqëruesja e parë e Miss USA në 1986 dhe po atë vit u rendit në vend të 6-të në konkursin Miss Bota. Rolet e saj të parë të rëndësishëm përfshijnë filma si The Flintstones (1994), X-men (2000) dhe seritë që pasuan, si edhe filmat e James Bond, përkrah aktorit të njohur Pierce Brosnan.  Në vitin 2001 ajo fitoi çmimin Oscar si aktorja më e mirë për filmin  Përbindëshi i Dashuruar (Monster’s Ball), duke u bërë kështu aktorja e parë afrikano-amerikane, dhe deri më sot e vetmja, që e fiton këtë çmim si Aktorja më e Mirë.

Raul Bova, aktori i njohur Italian sot bëhet 40 vjeç. Ai lindi më 14 gusht 1971 në Romë nga prindër kalabrezë. Në vitet e adoleshencës ai u mor me not dhe në moshën 16-vjeçare u bë kampioni lokal i 100 metrave me kurriz. Bukuria fizike dhe aftësitë interpretuase, ndihmuar edhe nga studimi në shkolla të njohura të aktrimit, e bënë atë një subjekt tërheqës për regjisorët. Ai u bë i njohur që në hapat e para të karrierës së tij, pas interpretimit në filmin sukses Princesha e Bukur (Piccolo Grande Amore) përkrah hollandezes së bukur Barbara Snellenburg. Pas kësaj karriera e tij si aktor njohu vetëm ngjitje.

Emmanuelle Béart, aktorja simpatike franceze sot mbush 48 vjeç. Ajo lindi më 14 gusht 1963 në St. Tropez të Rivierës Franceze, vajza e një ish modeleje dhe një këngetari-poet. Në moshën 15-vjeçare prindërit e dërguan në Montreal, Kanada që të mësonte anglisht. Ajo ka interpretuar në më shumë se 50 filma dhe produksione televizive në Francë dhe Shtetet e Bashkuara si Mission i Pamundur (Mission Impossible), 8 Gra (8 Femmes), Dëshmitarët (The Winesses), Krimi (A Crime)  e të tjerë.

Përshëndesim të gjithë ata që kanë lindur sot, të famshëm apo jo, duke iu uruar nga zemra Gëzuar Ditëlindjen. Edhe njëqind 14 gushte të tjerë!  

A.Kola

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.