Masakra në aeroportin e Stambollit, tre kamikazë mbollën vdekjen. Çfarë tha Erdogan për atentatin (foto, video)
Tre kamikazë mbollën vdekjen mbrëmjen e së martës në aeroportin Ataturk të Stambollit. Autoritetet numërojnë deri më tani 41viktima dhe qindra të plagosur, por nuk përjashtohet që bilanci i viktimavetë rritet. Atentati është i ngjashëm me atë të pak muajve më parë në aeroportin e Zaventemit në Bruksel. Autorët mbërritën në aeroport me taksi dhe iu drejtuan sallës së fluturimeve, ku dhe tentuan të kalojnë kontrollin e sigurisë. Në këtë moment njëri prej tyre filloi të qëllojë me kallashnikov në drejtim të udhëtarëve, shumica e të cilëve qytetarë turq. Ai u qëllua më pas nga policia dhe pas rrëzimit në tokë aktivizoi mekanizmin shpërthyes. Në të njëjtën kohë u vetëshpërthyen edhe të tjerët duke mbjellë panik dhe kaos. Sulmet nuk janë marrë përsipër nga asnjë organizatë, por të dhënat e autoriteteve turke krijojnë dyshime se pas sulmit terrorist të përgjakshëm qëndron Shteti Islamik. Në të parën deklaratë pas masakrës, presidenti turk Erdogan tha se nëse vendet perëndimore nuk bëhen bashkë në luftën kundër terrorizmit atëherë organizatat terroriste do bëhen realitet i përditshëm. "Presim nga vendet Perëndimore, drejtuesit e tyre, mediat, organizatat joqeveritare të tregohen të vendosur ndaj këtyre lojrave të organizatave terroriste" theksoi Erdogan.
Add new comment