Kamerat, Noka: ICITAP kërkoi anullimin e ligjit. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave e ka kundërshtuar”
Komisioni i Sigurisë ka diskutuar sot edhe për dekretin e Presidentit që kthen për rishqyrtim ligjin për masat e sigurisë publike. Deputetët e maxhorancës dhe përfaqësues të ministrisë së Brendshme e cilësuan të pabazuar dekretin, ndërsa deputetët e së djathtës mendojnë të kundërtën. Më konkretisht, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia kërkoi rrëzimin e dekretit të Presidentit, pasi sipas tij, argumentet nuk bazohen në frymën e ligjit. Ndërsa, zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa tha se dekreti është i pabazuar në Kushtetutë.
Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka debatuar sot mbi dekretin e Presidentit të Republikës që kthen për rishqyrtim ligjin për “Masat shtesë të sigurisë”, njohur edhe si ligji për kamerat. Presidenti e ka kthyer ligjin me argumente të shumta, mes të cilave ai i survejimit të papërligjur, të shtimit të kompetencave të policisë, shkelje të privatësisë si dhe mungesën e arsyeve për një masë të tillë siç është vendosja e kamerave në mjedise private. Deputetët socialistë e bashkë me ta edhe zv.ministri i Brendshëm Stefan Çipa kanë kërkuar rrëzimin e dekretit, pasi ai nuk merr në konsideratë frymën e ligjit. Por deputet demokrat, Flamur Noka, ka deklaruar se ligji është kundërshtuar nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe ICITAP.
“Publikoni dokumentin që ka sjellë komisioneri i mbrojtjes së të dhënave. Ministri sot është fshehur, se ka dalë gënjeshtar para qytetarëve. Sot ende nuk e dimë sa është kostoja e zbatimit të ligjit. Kostoja ka qenë edhe një ndër arsyet pse e kemi kundërshtuar. Ministri u mburr se ligji është konsultuar edhe me partnerët, por ICITAP thotë se nuk u dorëzua asnjë relacion dhe s’u zhvilluan takime. ICITAP thotë se ligji është barrë financiare për bizneset dhe se i ka këshilluar Ministrisë së Brendshme që të lërë mënjanë ligjin”, tha Noka.
Add new comment