Humbet Romën dhe Torinon, por Renzi është i prerë: “Nuk dorëhiqem”. Nuk përjashtohet referendumi për reformën kushtetuese
Grilinët morën Romën. Kryeqyteti italian do të ketë një kryetare bashkie femër, Virginia Raggi, avokate 37 vjeçare. Por lëvizja “5 yjet” mori edhe zemrën e Piemontit, Torinon, duke vënë me shpatulla për muri kryeministrin Matteo Renzi, i konsideruar si ndër të paktët që ka ditur t’i japë një përgjigje krizës që preku Europën. Këto ishin zgjedhje lokale të cilat Matteo Renzi po refuzon t’i lexojë politikisht. “I humbëm zgjedhjet në periferi jo sepse njerëzit u shprehën mbi sistemin me dy dhoma apo atë zgjedhor. Humbëm sepse këto periferi ishin mbytur nga plehrat, problemet dhe sepse kryeqyteti u administrua keq”, citon “Corriere della Sera”, kryeministrin e majtë të Italisë.
Si mund të reflektohet kjo humbje, qoftë ajo edhe për shkak të “plehrave” në nivel politik dhe atë të brendshëm? Po t’ia lësh këtë Matteo Renzit, me siguri që të gjithë shqiptarët do ta gjenin përgjigjen pasi kanë përvojën e Sali Berishës dhe sidomos të Edi Ramës. Përgjigja është fare e thjeshtë: Gabimi dhe përgjegjësia fillon poshtë meje. Edhe Renzi e pëejashton në çdo rast dorëheqjen, e cila me siguri kërkohet si mjet presioni për të kufizuar kryeministrin brenda partisë. “Do të thonë se na duhet një sekretar që të punojë me kohë të plotë dhe ndaj do të kërkojnë ndryshimin e nenit të statutit sipas të cilit lideri i partisë është automatikisht kandidat për kryeministër. Por për të arritur këtë objektiv duhet kongresi”, citon “Corriere” kryeministrin italian.
Dhe në fakt një nga drejtuesit e saj që njihet si “pakica e brendshme”, Roberto Speranza kërkon pikërisht këtë gjë: mandatet të ndahen. Edhe pse kjo kërkesë nuk është e qartë se çfarë zgjidh realisht në kushtet kur vota po lexohet politikisht.
Renzi nuk përjashton referendumin, gjithnjë “për të kuptuar kush punon në terren, kush janë aleatët e brendshëm dhe ata që mund t’u besojë dhe sesi funksionon me të vërtetë rrjeti renzian”. Nëse kjo ndodh atëherë Matteo Renzi do të ketë një përgjigje politike për ata që kërkojnë largimin e tij. Sipas tij nëse kjo ndodh, duhet të vijë nga një “jo” e referendumit për reformën kushtetuese, por jo nga zgjedhjet administrative. Taktikisht lëvizja është e gjetur, ndonëse humbja e Romës dhe Torinos përballë një lëvizjeje të majtë nga një qeveri e majtë, është që çke me të mesazh politik.
Add new comment