Nuk bën punë presioni dhe serioziteti i Ramës, Basha nuk tërhiqet nga vendet e rezervuara
Dalja e kryeministrit në konferencën e posaçme për shtyp dhe deklarimi i tij se ka vend për diskutim lidhur me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, dhe vizatimi i vizës së kuqe nga kryeministri për Komisionin e Vetingut dhe Apelimit të Vetingut për pastërtinë e figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk dhanë sërish efekt.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në kundërpërgjigje të deklaratave të kryeministrit e bëri të qartë se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për modelin e vendeve të rezervuara për të katër institucionet e reja drejtësisë që do të ngrihen. “Paragrafi 88 e ka përcaktuar qartë se modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik mes palëve për dy institucionet që tashmë z Rama i ka pranuar sipas këtij parimi por edhe për dy të tjerat që reziston t’i bindet të njëjtit parim, të njëjtit rekomandim të Komisionit të Venecias. Rruga është e hapur që z Rama sot apo nesër ti bindet plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Më pak se ky rekomandim, nuk mund të pranojmë. Nuk kërkojmë më shumë se ky rekomandim. Ky është qëndrimi im, dje, muajin e kaluar dhe vitin e kaluar.”-theksoi Basha.
Megjithë investimin për të marrë dafinat e një kompromisi, kryeministri duket se nuk po merret seriozisht nga opozita edhe për faktin se sa herë ka qëndruar stoik në bindjet e tij është detyruar të tërhiqet si në rastin e ligjit për dekriminalizimin.
Add new comment