Korrupsion ka kudo, por kontrolli i tij nuk mund t’i besohet formulave magjike
Revista e njohur “Foreign Policy” shkruan sot për korrupsionin, përmasat e tij nga shteti në shtet me synimin për të gjetur pse disa vende janë më të korruptuar se disa të tjerë, si dhe për të nënvizuar se kufizimi i tij nuk lidhet me një formulë të njëjtësuar.
Në perëndim ka korrupsion dhe jo pak. Revista citon rastin e kryeministrit britanik David Cameron, që nga njëra anë bën moral dhe predikime për shtetin ligjor dhe korrupsionin, nga ana tjetër i del emri në “Letrat Panameze”. Por është një gjë të thuash se në Britani ka korrupsion dhe të kthesh kokën e të kërkosh ta krahasosh atë me Shqipërinë p.sh. Ndryshimi është shumë i madh dhe buron te rregullat. “Vendet sistematikisht të korruptuar kanë Ishujt e tyre Virgin, brenda kufijve. Në vende të tilla është rutinë për qeverinë që të shpërndajë burime të të mirave publike bazuar mbi favoritizmin. Karrierat bazohen mbi lidhjet dhe jo meritën, duke i bërë si tregjet ashtu edhe politkën jo efiçente”, shkruan autorja Alina Mungiu-Pippidi(http://foreignpolicy.com/2016/05/24/some-countries-really-are-more-corru...).
Ka diçka nga Shqipëria në këtë përkufizim? Nga Shqipëria e sotme politike, e qeverisë aktuale? Do të binim dakord që duket sikur është shkruar posaçërisht për vendin tonë dhe qeverinë aktuale, me konçesionet, emërimet e çuditshme dhe sidomos mungesën e transparencës dhe llogaridhënies. Na kujton gjë ministri i Shëndetësisë, drejtoresha e Tatimeve, apo ministri i Brendshëm? Ndoshta.
Problemi është global, por për të nuk ka një metodë të përgjithshme për ta luftuar. Vende që kanë njohur përparim në këtë drejtim, si Estonia, Gjeorgjia, Kosta Rika, Kili, Uruguaji, Korea e Jugut dhe Tajvani, e kanë arritur atë me një përzierje politkash që vijnënnga vullneti i brendshëm dhe jo nga ndonjë zgjidhje magjike nga jashtë.
Edhe njëherë, kjo përvojë na sjell te debati për reformën në drejtësi, e cila po transplantohet nga jashtë, ndërkohë që brenda ka rezistencë të madhe. Adoptimi i legjislacionit nuk çon detyrimisht në ulje të korrupsionit dhe për këtë në shkrim sillen si referencë disa raporte, siç është Indeksi i Integritetit Publik(http://integrity-index.org/country-profile/?id=189). Nga të dhënat e referuara vjen edhe një përfundim që ndoshta do kujtuar edhe nga ata që e shesin reformën si ilaç: “Kontrolli i korrupsionit në mënyrë efektive nuk është rezultat i institucioneve specifike, si p.sh agjencitë antikorrupsion apo zyrat e Avokatit të Popullit. Vende që kanë rregulla të forta për financat e partive, apo rregullore të forta për konflitkin e interesit, nuk janë më pak të korruptuar se të tjerët. Në fakt, shumë vende të korruptuar sot investojnë në legjislacion të ashpër antikorrupsion, por rrallë duket se ndonjë gjë ecën për mirë. Ajo çfarë i lejon një vendi që të vendosë korrupsionin nën kontroll është kombibnimi i treguesve që sillen në Indeksin e Integritetit Publik(pavarësia e gjyqësorit, administrata, liria e tregëtisë, transparenca e buxhetit, e-qytetaria, liria e shtypit)...Pa qytetarë aktivë, gazetarë të lirë dhe gjykatës të pavarur, kontrolli i korrupsionit është i pavarur”, vijon autorja.
E kotë të krahasojmë peshën e treguesve në Indeks me atë që ndodh në vendin tonë, sidomos treguesit e gjyqtarëve të pavarur, apo gazetarëve të lirë dhe qytetarëve aktivë. Nga kjo perspektivë, korrupsioni lulëzon edhe për shkak të shmangies nga përgjegjësia e disa aktorëve që përndryshe do të kishin dhënë tjetër ndikim. P.sh nëse ngjarja e Gërdecit u raportua në media, me pamje filmike, ishte radha e qytetarëve të protestonin, jo pas PS-së dhe axhendës së saj, por për shkak të ngjarjes. Ajo që ndodhi, pra tradhëtia e Edi Ramës në emër të pazarit të prillit për Kushtetutën, ishte leksion sesi të drejtat nuk i duhen besuar askujt.
Njësoj edhe aktualisht: aksidenti i Kavajës do të kishte prodhuar të tjera pasoja nëse mediat do të kishin bashkuar zërin deri sa të detyronin kryeministrin që të linte mënjanë kapriçot, apo edhe frikën nga Ilir Meta, e të dilte të fliste. Parë kështu, Indeksi fiton vërtet vlerë si një udhëzues për të kërkuar rrugët e daljes nga kjo situatë, të paktën për ta kthyer atë në një prirje pozitive.
Add new comment